Situata Rusi-Ukrainë e tensionuar, eksperti i sigurisë: Putin dëshiron të bie në sy me vizitën në kufi

Aktuale

Situata Rusi-Ukrainë e tensionuar, eksperti i sigurisë: Putin dëshiron të bie në sy me vizitën në kufi

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 19:10
Foto ilustrim

Adrian Shtuni, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare dhe siguri, ka thënë se situata Rusi-Ukrainë po vazhdon të jetë mjaft e tensionuar.

“Sipas raportimeve, situata është mjaft e tensionuar. Ka pasur dhjetëra shkelje të armëpushimit duke përfshirë edhe goditjen me artileri të kalibrit të lartë. Kjo është në kundërshtim flagrant me marrëveshjen e Minskut. Duket se ka një përkeqësim të mëtejshëm të situatës dhe këto lloje provokimesh që nuk janë aksidente dhe dihet pse po bëhen në këtë moment, mund të jenë pikërisht shkëndija që ndezin fitilin e luftës, fatkeqësisht”, tha ai.

Shtuni, në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, ka folur edhe rreth pozicionimit të Amerikës në këtë situatë.

“Edhe SHBA-ja ka qenë e qartë prej fillimit, ka folur me një zë të drejtpërdrejtë. Jemi në në një situatë, ku parimet themelore të paqes dhe sigurisë janë nën kërcënim. S’po flasim veç për Ukrainën, e cila është fusha e betejës, është vendi ku Rusia ka vendosur ta testojë Perëndimin, NATO-n, SHBA-në dhe komplet arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe rendin global. Por, kjo është shumë më tepër se vetëm për Ukrainën dhe SHBA-ja e ka thënë qartë që kjo nuk është e pranueshme dhe do të ketë sanksione, të cilat do të jenë gjymtuese për Rusinë, nëse e vazhdon me këtë trajektore, pasi siç e thashë, parimi se një vend nuk mund të diktojë vendimet e një vendi tjetër, parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, janë duke u cenuar në këtë mënyrë. Kjo është shumë shqetësuese dhe mendoj që edhe vendet e tjera të BE-së duhet të komunikojnë me po të njëjtin zë dhe të bashkohen shumë më ngushtë me qasjen e SHBA-ve”.

Ai e komentoi edhe vizitën e paralajmëruar të Putinit nesër në kufi me Ukrainën.

“Putin e ka shumë tradicionale këtë mënyrën e të vepruarit, që do t’i mbajë të gjithë në ankth dhe në pritje sepse i pëlqen që të marrë vëmendje gjatë gjithë kohës, me t gjitha këto veprimet Putini po tenton që të tërheqë akoma më shumë vëmendje. Sepse, nuk kam përshtypje se lufta i intereson Rusisë”, tha Shtuni.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat