Deputeti i PDK-së Hysen Berisha ka folur në lidhje me fjalimin e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme në seancën solemne.
Berisha, në “Info Magazine”, u shpreh se fjalimi i djeshëm i kryeministrit Kurti ishte i pritshëm, duke shtuar se edhe fjalimi i presidentes kishte defektet e veta, sipas tij.
“Tash edhe fjalimet dhe gjithçka që bëhet në institucionet tona politike është çështja e përkatësisë politike të atyre që vlerësojnë në shumicën e rasteve që nuk është shumë korrekte, kur ka diçka të mirë dhe ia vlen të thuhet ajo që duhet të thuhet, aq më tepër jemi në një seancë solemne, e cila shënon përvjetorin e 14 të shtetit të Kosovës. Duhet me nxjerrë në pah të gjitha ato elemente, ato arritje që na përafrojnë dhe që na inkurajojnë për të shkuar tutje në avancimin e objektivit që kemi si shtet dhe si popull. Fjalimi i djeshëm u prit të ishte i tillë, fjalimi i kryeministrit nuk ishte i pari që kishte defektet e veta, por të njëjtat defekte kishte edhe i presidentes. Është e papranueshme, është fyese për popullin, për qytetarët që kanë rrugëtuar bashkë me Kosovën, të gjitha ato sakrifica deri te liria me klasën politike, nuk e ka përjetuar vetëm klasa politike sfidën e të bërit të shteti, por i mbarë populli, me theks të veçantë kategoritë e dala nga lufta”, u shpreh Hyseni.
Tutje, Hyseni theksoi se edhe mospërmendja e emrit të presidentit Ibrahim Rugova është fjalim i papranueshëm.
“Nuk përmendet ideatori, vizionari, arkitekti i pavarësisë, i shtetit të pavarur të Kosovës, nuk përmendet në asnjë kombinim fjalori, emri i presidentit Ibrahim Rugova, është fjalim i papranueshëm”.
“E ka thënë shumë herë Hashim Thaçi, nuk mund të rishkruhet historia, është shkruar historia, kush ka qenë në anën e duhur të historisë kur atdheu të ka kërkuar dhe populli yt ka qenë, kush s’ka qenë, ka kohë me përmirësu veten me punë dhe me përkushtim”.