Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore ndaj Igballe Hudutit.
Në një vendim të nxjerrë më 8 shkurt, 2022, Apeli vërtetoi lirimin e Hudutit nga akuzat për shtytje në kryerjen e veprave terroriste.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërkaq aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, datë 13.12.2021, Vërtetohet”, thuhet në aktgjykim.
Prokuroria Speciale më 30 shtator 2020 ngriti aktakuzë kundër Ikballe Hudutit për shkak të veprës penale – shtytja për kryerjen e veprave terroriste.
Huduti pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron të kryer nga ushtria amerikane, kishte shpërndarë në llogarinë e saj në “Facebook” një status me përmbajtje e cila dyshohet se përmbante thirrje për hakmarrje.
“Populli irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dhashtë durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”, citohet një shkrim i saj i datës 04.01.2020.