Nagavci fton të gjithë akterët të kontribuojnë për zhvillimin në fëmijërinë e hershme

Aktuale

Nagavci fton të gjithë akterët të kontribuojnë për zhvillimin në fëmijërinë e hershme

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 19:32
Arbërie Nagavci

Me Ligjin e ri për Edukimin në Fëmijërinë e hershme, i cili së shpejti do të dalë në dëgjim publik, është paraparë që edukimi parafillor të bëhet i obligueshëm nga viti 2023-2024. Kështu ka thënë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në Panelin e diskutimit ku është prezantuar Dokumenti pozicionues lidhur me qendrat e kujdesit për fëmijë në Kosovë, i përgatitur nga Instituti Riinvest.

Ministrja Nagavci tha se prioritet i Qeverisë së Kosovës është edukimi në fëmijërinë e hershme, ku synohet përfshirja në edukim cilësor për çdo fëmijë si një e drejtë e garantuar, pa dallim gjinie, etnie, prejardhje apo besimi fetar

Pasi që theksoi rëndësinë e zhvillimit në fëmijërinë e hershme, ministrja Nagavci përmendi përfshirjen e ulët të fëmijëve në edukimin e hershëm për shkak të numrit të pamjaftueshëm të institucioneve, mungesës së investimeve, mungesës së resurseve njerëzore, si dhe vetëdijesimit.

Përveç hapit të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës ligjore që është duke u punuar, ministrja Nagavci theksoi se kjo çështje është adresuar me prioritet edhe në Planin Strategjik për Arsimin në Kosovë 2022-2027, i cili është në përfundim.

Në bazën ligjore dhe strategjike për këtë nivel të edukimit janë paraparë 5 milion euro vetëm për vitin 2022, ndërsa u është kushtuar kujdes i veçantë fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe fëmijëve nga grupe të margjinalizuara.

Por, Ministrja tha se një vëmendje të veçantë do të kenë fëmijët e zonave rurale, ku përfshirja është tejet e ulët, në mënyrë që të zvogëlohet hendeku me fëmijët e zonave urbane, ku pjesëmarrja në edukimin e hershëm është më e lartë.

Ministrja Nagavci theksoi se bashkëpunimi me drejtoritë e arsimit nëpër komuna, shoqërinë civile, ekspertët e fushave si dhe komunitetin në përgjithësi, do të ndihmojë në realizimin e synimit për të ofruar gjithëpërfshirje dhe cilësi në edukimin në fëmijërinë e hershme, i cili ka përfitime të shumëfishta për shoqërinë.

Rëndësinë e investimit në edukimin në fëmijërinë e hershme e theksuan në fjalën e tyre edhe pjesëmarrësit tjerë në panel, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, Majlinda Zhitia Gjelaj nga Fakulteti i Edukimit Alban Hashani dhe Tringë Shkodra nga Riinves, Nora Latifi nga Instituti GAP, si dhe pjesëmarrësit tjerë në diskutim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat