Ish deputeti i LDK-së dhe anëtari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi, konsideron se konflikti në mes Rusisë dhe Ukrainës është përthyerja më e re në mes perëndimit dhe Rusisë.
Sipas tij, pasojat e një lufte eventuale atje do ndihen edhe në Ballkan, veçanërisht
“Lojës me dy standarde të Serbisë -- edhe me BE e Amerikë edhe me Rusinë -- po i vije fundi”, shkruan Bislimi në Facebook.
Ai ka theksuar se sot, sipas shtypit amerikan, Presidenti Putin ka caktuar njeriun e tij më të besueshëm, Nikolai Patrushev, si të dërguar special për Ballkanin.
“Petrushev, një ish-oficer i lartë i KGB-së, ka shërbyer si Drejtor i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë nga 1999 deri më 2008 dhe nga 2008 është Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë në Kremlin. Konsiderohet dorë e djathtë e Putinit në punët më sensitive të Presidentit. Petrushev pritet të vijë në Ballkan -- fillimisht në Beograd -- ditëve në vijim”, nënvizon ai.
Bislimi thotë se ardhja e tij po kamuflohet nën petkun e supozimeve se 'mercenarë nga Ballkani po i bashkohen forcave ukrainase kundër seperatistëve rusë në lindje të Ukrainës,' por realiteti është ndryshe.
“Ai vjen në Ballkan, kryesisht në Beograd, për të betonuar tutje lojalitetin e Serbisë ndaj Rusisë. Një luftë frontale mes Rusisë e Ukrainës, në debatin e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, doemos do të përfshijë edhe Kosovën. Këtë diskurs tash e sa kohë po e ndërton Rusia. Edhe vet Presidenti Putin në konferencën për media pas takimit me Kancelarin Scholtz të Gjermanisë, para pak dite, bëri një gjë të tillë kur theksoi 'bombardimin e një kryeqyteti evropian si Beogradi nga NATO më 1999”, shprehet Bislimi që është edhe ekspert i diplomacisë ndërkombëtare.
Ai konsideron se lufta eventuale Rusi-Ukrainë mund të duket e largët gjeografikisht për Kosovën, por është shumë e afërt gjeopolitikisht.
“Pasojat politike të asaj lufte do arrijnë të shtrihen deri në Ballkan. Serbia shumë shpejtë mund të gjendet para një udhëkryqi historik në relacion me interesat e veta diplomatike dhe lojalitetin shtetëror: do ta abandonojë marrëdhënien historike vëllazërore me Rusinë duke u rreshtuar krah botës perëndimore, apo do t'i qëndrojë besnike 'vëllait të madh' Rusisë duke i kthyer bërrylin njëherë e mirë perëndimit. Ideja e Vuçiqit që Serbia do qëndrojë neutrale në këtë konflikt nuk po pranohet nga Kremlini si duket, prandaj edhe njeriu kyç i Putinit po vije në Beograd këtë javë me gjasë”, shton ai.
Ish deputeti thotë se Kosova, fatmirësisht, është e rreshtuar kah duhet në këtë situatë, por përcaktimi gjeostrategjik i Serbisë do të përçojë mesazh të qartë edhe për Kosovën.
“Neve tash më shumë se kurrë na duhet të koordinohemi e të bashkërendojmë çdo lëvizje politike në rrafshin ndërkombëtar me SHBA-të dhe aleatët tjerë evropianë e perëndimor.
Fati ynë i madh është që Shqipëria tanimë është në NATO dhe 'vula apostile' për shtetin tonë do të merret pikërisht atëherë kur edhe Kosova të arrijë anëtarësimin në NATO!”, përfundon ai.