(E plotësuar 17:27) - Dështon miratimi i Projektligjit për financimin e partive politike
Në mungesë të vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës ka dështuar votimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike.
Këtë projektligj e ka arsyetuar kryeministri Albin Kurti, i cili tha se me synim arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet partive politike për formën përfundimtare të këtij projektligji, Zyra e Kryeministrit ka organizuar tryezë diskutimi, por sipas tij, vetëm dy grupe parlamentare i janë përgjigjur ftesës.
Kryeministri Kurti tha se në këtë mënyrë konsensusi nuk është arritur.
Shefi i ekzekutivit shtoi se përmes Projektligjit të financimit të partive politike rritet transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut dhe më këtë vota arsyetohet.
Sipas tij, shkeljet e ndryshme të raportuara në media kanë shpërfaqur financimin jashtëligjshëm të partive politike dhe ndërlidhjes me korrupsionin.
“Miratimi i këtij projektligji është pjesë e agjendës evropiane për reforma dhe rekomandim i Raportit të Komisionit Evropian për vendin, por edhe kërkesë e qytetarëve dhe shoqërisë civile për transparencë në financat e partive politike. Si Qeveri jemi zotuar se do ta sjellim këtë projektligj në Kuvend dhe këtë e kemi bërë. Mirëpo, është përgjegjësi e jona kolektive që këtë projektligj ta miratojmë sa më parë. Ky projektligj është i domosdoshëm për transparencën e financimit të partive politike e me qëllim të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit. Për ne është e rëndësishme që projektligji të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe të ofrojë transparencë maksimale”, theksoi Kurti, transmeton KP.
Për projektligjin në fjalë, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku theksoi se GP i partisë së tij nuk e mbështet këtë, pasi sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën.
Ai tha se projektligji duhet të harmonizohet me Kushtetutën dhe ligjet ngase në këtë formë nuk arrihet llogaridhënia dhe transparenca e subjekteve politike.
“Të njëjtin projektligj që ka qenë kaq kundërshtues atëherë tash e keni sjellë pa asnjë ndryshim, ku po pretendoni se gjoja se po vendosni rregull me ketë projektligj. Kjo situatë nuk po iu bën nder, sepse ju po e paraqitni veten si të padijshëm atëherë, ndërsa sot si mashtrues. Ky projektligj duhet të punohet në mënyrë të harmonizuar me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Kështu siç është hartuar nuk arrihet ajo që synohet për transparencë, llogaridhënie të subjekteve politike dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Si i tillë, ne si Grup Parlamentar nuk e mbështesim”, u shpreh Lushtaku.
Derisa u shqyrtua ky projektligj, deputetët e LDK-së nuk ishin në seancën plenare.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lëshuar sallën e Kuvendit në seancën e sotme plenare. Deputetët opozitarë shprehen vërejtjet e tyre për mosrespektim të rregullores së Kuvendit, në momentin e tejkalimit të pikave të rendit të ditës për shkak të mungesës së paraqitjes së dy projektligjeve nga ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku dhe ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se kjo mënyrë e bartjes së pikave nuk ka funksionuar asnjëherë në Kuvend.
Selmanaj: Kjo mënyrë s’ka funksionuar asnjëherë
“Respektimin e rregullores, duhet dikush të respektojë një kërkesë për mocion procedural për tu shtyrë dhe bartur për seancë tjetër, një çështje që kemi votuar për rend të ditës. Nuk mundemi kështu, s’janë ministrat hajt po këqyrim deri të kthehet dikush. Kjo s’ka funksionuar asnjëherë edhe me rregullore është e përcaktuar”, tha ai.
Pavarësisht kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se do të vazhdohet në mënyrën e bartjes së pikave të rendit të ditës, pa nevojë për mocion procedural.
Konjufca: Do të vazhdojmë traditën e deritanishme
“Duke marrë parasysh përvojën dhe traditën e deritanishme vazhdojmë me çka kemi mundësi”, tha ai.
Kuvendi po vazhdon punimet, ku u miratua Projektligji për sistemin e menaxhimit, performancës së komunave dhe skemën e garantit të bazuar në performancë.
***
Kuvendi i Kosovës me mbështetje të deputetëve të opozitës dhe pozitës, me 61 vota pro ka votuar në parim Projektligjin për policinë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Arsyetimin e këtij projektligji e ka bërë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se rregullimi i misionit dhe statusit të policisë ushtarake me ligj është një hap drejt anëtarësimit në NATO.
Mehaj: Kosova një hap drejt anëtarësimit në NATO
“Është hera e parë që statusi dhe misioni i policisë ushtarake rregullohet me ligj të veçantë. Duke marrë parasysh se synimi Kosovës është anëtarësimi në NATO, rregullimi i misionit dhe statusit të policisë ushtarake me ligj është një hap drejt realizimit të këtij synimi strategjik të Republikës së Kosovës… Prandaj kërkoj që policia ushtarake të ketë autorizime specifike ligjore në mbështetje të misionit. Andaj, Ministria e Mbrojtjes kërkon shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji”, tha ai.
Për votimin e këtij projektligj është dashur të pritet të bëhet kuorumi, por kryeparlamentari Glauk Konjufca përmendi edhe masat që duhet të merren ndaj deputetëve për të funksionuar si duhet Kuvendi i Kosovës.
Konjufca: Pa e bërë si në shkollë fillore me tri mungesa nuk funksionon ky Kuvend
“Po më duket pa e bërë si në shkollë fillore me tri mungesa nuk funksionon ky Kuvend. Mirë, 61 me ‘mezi’”, theksoi Konjufca.
Ndërsa, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Arkivat Shtetërore është shtyrë për një seancë tjetër, për shkak të mungesës së ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku.
Po vazhdon seanca e Kuvendit.
Miratohet në lexim të parë rregullorja e re e Kuvendit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë rregulloren e re të legjislativit, e cila u përkrah nga gjitha grupet parlamentare.
Kryetari i komisionit për legjislacion, njëherësh deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tregoi risitë e kësaj projekt-rregullore.
Rrustemi: Përmes rregullores së re të Kuvendit krijohet konferenca e kryetarëve
“Draft-rregullorja defion procedurat për seancën konstitutive në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, kryesimin e seancës në rastin e refuzimit të seancës konstituive, nominimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përcakton mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve, proceduarën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe procedurën e nominimeve të zgjedhjes së nënkryetarëve të pakicave. Për të shmangur vonesat procedurale forcon rolin e kryetarit të Kuvendit në çështjet si përgatitja dhe propozimi i rendit të ditës, shpërndarja e projektligjeve por në esencë nuk pakëson kompetencat e kryesisë së Kuvendit. Formalizon dhe normon praktikën aktuale të konsultimit me shefat e grupeve parlamentare rreth rendit të ditës, numrit dhe përbërjes së komisioneve të Kuvendit, duke krijuar konferencën e kryetarëve si një organ të ri të Kuvendit. Fshihen dispozitat për procedurat e heqjes së imunitetit të deputetit në përputhje me aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011. Me nen të veçantë rregullon organizimin e grupeve të grave deputeteve, grupeve të tjera jo formale dhe grupeve të miqësisë. Përcakton të drejtat dhe përgjegjësisë të deputetëve që të ofrohen mbështetje për deputetët, në anën tjetër përcakton papërgjegjësinë e deputetit për të marrë pjesë në procesin e votimit në seancë dhe përcakton rregullat kur mungon në seancë plenare apo mbledhje të komisioneve”, tha ai.
Megjithëse i dha mbështetje në lexim të parë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se duhet shqyrtohet edhe disa çështje gjatë grupeve punuese. Ai tha se masat disiplinore që janë propozuar karshi deputetëve nuk duhet të cenojnë punën e lirë të deputetit.
Tahiri: Masat disiplinore nuk duhet të cenojnë punën e lirë të deputetit
“Ka mangësi që duhet të adresohen në mes dy leximeve. Janë disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë të përfshira në rregullore. Siç është konstituimi i Kuvendit, ku aktvendimi e Gjykatës Kushtetuese e bënë të qartë kur konstitutohet Kuvendi, ndërsa propozimi i ri në rregullore bie ndesh me këtë, pasi kuvendi nuk konstituohet pa u zgjidhur të gjithë nënkryetarët e Kuvendit. Prandaj janë edhe disa çështje të tjera, mirëpo që duhet të adresohen në mënyrë që rregullorja mos të bie ndesh me disa prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu edhe tek masat disiplinore të deputetëve, kjo pjesë përcakton saktë me Kushtetutën, duhet të jetë përputhje të plotë pasi nuk mund të shkohet me masa disiplinore që e cenojnë punën e lirë të deputetit”, tha ai.
Përkrahje draft-rregullores i dha edhe LDK-ja përmes deputetit, Driton Selmanaj.
Selmanaj: Kemi një dokument bukur mirë të konsoliduar
“Kemi një dokument bukur mirë të konsoliduar. Thash se shumë probleme që kanë dal proces të funksionalitetit të kuvendit pretendojmë se janë adresuar. Po ashtu edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për shumë çështje që lidhen me Kuvendit pretendojmë se kemi arrit të adresojmë. Por do të kemi mundësinë që edhe në lexim të dytë të adresojmë disa çështje që kërkojnë sqarime më shumë”, tha ai.
Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Kuvendi është i vonshëm në miratimin e rregullores së re, pikërisht për shkak të mazhorancës së sotme, e cila më herët ka qenë në opozitë.
Tahiri: Arsyeja pse s’kemi pasur rregullore të re është se LVV-ja sa ka qenë në opozitë s’ka marrë pjesë në grupe punuese
“Arsyeja pse s’kemi pasur rregullore të re është se LVV-ja sa ka qenë në opozitë nuk ka marrë pjesë në grupe punuese. Ajo çka kemi bërë ne si grupe parlamentare është se kemi marrë pjesë aktivisht në përpilimin e saj”, deklaroi ai, pasi mbështeti draft-rregulloren.
***
Kryeministri Albin Kurti ka pranuar se në Kosovë ka varfëri ekstreme, por siç tha ai Kosova nuk kund të bëhet shpejt si Zvicra e Gjermania.
Kryeministri Kurti në seancën plenare këtë të martë, para deputetëve ka pranuar se të hyrat e doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) janë rritur edhe për shkak të konsumit të lartë. Megjithatë, ai këtë rritje të konsumit e ka arsyetuar duke thënë se njerëzit kanë shpresës për të shpenzuar për një të ardhme të ndritur.
Kurti: Ka varfëri ekstreme, s’mund të bëhemi si Gjermania dhe Zvicra
“Rritja e konsumit, rritja e shpenzimeve nuk do të ishte e mundur nëse do të rriteshin përgjithësisht varfëria, skamja. Pra, njerëzit shpenzojnë vetëm sepse kanë që të shpenzojnë. Nuk është e mundshme të shpenzosh nëse nuk ke për të shpenzuar. Është kundërthënie logjike, e para. Por, ka edhe një arsye tjetër pse njerëzit shpenzojnë. Njerëzit nuk shpenzojnë vetëm pse kanë, por ata shpenzojnë kur besojnë se do të vazhdojnë të kenë. Përndryshe nuk shpenzojnë. Ky do të ishte edhe një definicion i shpresës në kuptimin e saj në ekonominë e tregut. Pra, njerëzit shpenzojnë sepse kanë të shpenzojnë, por para së gjithash do të thosha edhe mbi të gjitha, njerëzit shpenzojnë sepse besojnë që do të vazhdojnë të kenë, në mënyrë që do të shpenzojnë edhe në të ardhmen. Kështu, njerëzit më parë shpenzojnë se sa kursejnë kur kanë shpresë. Prandaj, edhe të hyrat doganore dhe të ATK-së janë rritur. A ka në Kosovë varfëri, ka. A ka në Kosovë varfëri ekstreme, ka. Ata që e përmendin Zvicrën, Gjermaninë, sigurisht që ky është modeli që ne e duma, mirëpo modeli I tyre nuk na sjell automatikisht në nivelin e tyre. Përkundër modelit të tyre, niveli I tyre nuk do të ngjaj së shpejt”, tha Kurti.
Miratohet Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile.
Pozitë dhe opozitë përkrahën një marrëveshje të tillë, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllimi i marrëveshjes është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën juridike mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Haxhiu: Qëllimi i marrëveshjes është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën juridike mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike, në fushën civile dhe tregtare mes dy vendeve dhe lehtësimi i procedurave ligjore në këtë fushë. Kjo marrëveshje zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat me gjendjen civile, familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile dhe tregtare të personave fizikë por edhe juridikë”, tha ajo.
Përplasje për taksat mes Kurtit e Abdixhikut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka theksuar se këso rritje të çmimeve nuk kanë ndodhur as në 20 vjetet e fundit.
Deputeti Abdixhiku në seancën plenare ka kërkuar nga Qeveria të marrë masa.
Sa i përket rritjes së të hyrave buxhetore, Abdixhiku ka thënë se kjo është si rrjedhojë e të hyrave nga Dogana e Kosovës dhe importit të naftës me çmim të shtrenjtë.
Për këtë deklaratë pati një reagim nga kryeministri Kurti dhe deputeti nga VV, Armend Muja.
Abdixhiku: Inflacioni 7.1 për qind, kërkohet pako për të zbutur përballimin e qytetarëve
“Tani po provohet t’i jepet një pasqyrë e një zhvillimi ekonomik që është i pashembullt, ndonëse pika bazike krahasuese është e vitit 2020. E një vitit të mbylljes ekonomike ku e kemi pasur rënien më të madhe historike që nga pas lufta e vitit 1999. Normalisht kur krahason një vit të ri me vitin 2020, çdo numër është më i mirë e më impresiv dhe rritja ekonomike është 9.9 për qind, ndonëse FMN jep 7 për qind. Por, ç ‘është e vërteta pas mbylljes së vitit 2020, në vitin 2021 një bum post pandemik ka gjithandej. Me këtë bum pas pandemik, ka edhe rritje të çmimeve. Vetëm për një vit inflacioni 7.1 për qind. Është rritja më e madhe historike në 22 vjetët e fundit, kryeministër. Çështja është çfarë bëni ju si qeveri? A ka një politikë fiskale në këtë drejtim, a ka një pako të qeverisë që zbutë përballimin e qytetarëve tanë me çmime astronomike. S’po flas vetëm rritjen e çmimit të energjisë. Nafta sot është 1.42 centë, dhe ju si qeveri vazhdoni t’i merrni 36 centë akcizë dhe për këtë edhe 18 për qind të tjera TVSH, normalisht që të ardhurat e doganës dhe ATK-së janë më të mira”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se besueshmëria e qytetarëve për këtë qeveri është më e lartë dhe rrjedhimisht kontributi për shtetin është më i madh.
Kurti më tej tha se rritja e të hyrave është edhe ri rezultat nuk ka skandale korruptive.
Kurti: Të hyrat janë rritur, sepse nuk ka skandale korruptive në qeveri
"Është e vërtet që qytetarët po paguajnë më shumë tatime, kjo nënkupton performancë më të mirë të ATK-së, mirëpo në anën tjetër gatishmëria e qytetarëve për të paguar më shumë tatime, unë besoj që vjen edhe nga fakti se nuk shohin skandale të korrupsionit në qeveri”, u shpreh Kurti.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja gjatë reagimit që bëri ndaj deputetit Abdixhiku, tha se nuk është e qëndrueshme të thuhet që të hyrat buxhetore më 2021 kanë qenë për shkak të doganës.
Muja: Nuk është e qëndrueshme të thuhet që të hyrat kanë qenë për shkak të doganës
“Nuk është e qëndrueshme të thuhet që kanë qenë për shkak të doganës. Dua të them që kjo ka ndodhur për shkak të gatishmërisë së bizneseve dhe qytetarëve për të paguar tatimet. Në vitin 2021 janë paguar 114 milionë euro tatim në fitim nga bizneset krahasuar me 94 milionë euro në vitin 2019. Janë paguar 190 milionë euro tatim në të ardhurat personale, krahasuar me 160 në vitin 2019. Për tatimin në pronë janë paguar 36 milionë, ndërsa 19 milionë euro më 2019. Kjo flet për një besim se sa për një post bum pandemik”, u shpreh ai.
Gërvalla: Njohjet e reja nuk kanë ngecur vetëm vitin e fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se njohjet e reja për Kosovën nuk kanë ngecur vetëm vitin e fundit, por ka disa vite.
Sipas saj, po punojnë në mënyrë të vazhdueshme për të arritur njohje të reja, mirëpo progresin që është arritur ajo nuk e bëri të ditur.
Gërvalla: Çështja e njohjeve të reja ka ngecur jo vetëm vitin e fundit
“Është e vërtet që çështja e njohjeve të reja ka ngecur, por nuk ka ngecur vetëm këtë vitin e fundit, por ka pasur një ngecje të vazhdueshme edhe në vitet e kaluara. MPJD dhe Qeveria në përgjithësi duke përfshirë edhe institucionin e presidentes punojmë në mënyrë të vazhdueshme për njohje të reja. Progresin që e kemi nuk mund të them në këto situata për shkak se janë tema sensitive të cilat rrezikojnë t’i çojnë në drejtim të gabuar në momentin që flasim publikisht rreth tyre. Kur të jenë të dukshme rezultatet me kënaqësi të madhe mund të komunikojmë”, tha ajo në seancën e sotme plenare.
Krahas kësaj, kryediplomatja tha se është hartuar një strategji për aplikimin në organizata ndërkombëtare dhe kur do të jenë votat e nevojshme do të dorëzojnë dokumentacionin për aplikim.
Gërvalla: Qeveria ka një strategji të qartë për aplikimin në organizata ndërkombëtare
“Zotimi që është dhënë në Uashington nga pala serbe nuk është respektuar asnjëherë gjatë vitit që është zotuar. Kjo nuk habit po të shohësh përvojën që kemi me Serbinë e cila shpesh premton, por marrëveshjeve nuk iu përmbahet. Qeveria ka një strategji të qartë se cilat organizata planifikojmë të adresojmë në afatshkurtër dhe afatgjatë. Kërkojmë mirëkuptim që mos të nxjerrim në publik të kësaj strategjie sepse është e ndjeshme dhe duhet të jemi ne një hap përpara në këtë rrugëtim”, shtoi ajo.
Ministrja foli edhe për raportet me shtetin e Izraelit, ku tha se shumë shpejt do të jetë në një vizitë zyrtare atje për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
Gërvalla: Shumë shpejt do të vizitoj Izraelin
“Në kuadër e shënimit të 1-vjetorit të marrëdhënieve me Izraelin kam pasur një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit. Të dy dyja palët jemi angazhuar që përmes vizitës sime, që do të jetë së shpejti, do të ketë një thellim të marrëdhënieve tona me Izraelin”, tha ajo.
Këto komente ministrja i dha pas pyetjeve të deputetëve opozitarë, Time Kadrijaj nga AAK dhe Driton Selmanaj nga LDK.
Ministrja Rizvanolli: Ka paqartësi për faturimin e energjisë për muajin shkurt
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka bërë thirrje KESCO-së që të dal me një sqarim për mënyrën si janë llogaritur faturat pe energjisë për muajin shkurt.
Në seancën plenare, ajo tha se ka paqartësi për faturimin e energjisë.
Rizvanolli: Ka paqartësi për faturimin e energjisë për muajin shkurt
“Ka pasur paqartësi në fatura për këtë pajtohem dhe i bëjë thirrje KESCO-së që të dal me një sqarim për mënyrën si janë llogaritur faturat. Sipas diskutimeve që i kemi pas me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe sipas shpjegimeve që janë dhënë, tarifat dhe faturat janë llogaritur ashtu siç duhet, por ka paqartësi në fatura dhe shpesh janë paraqitur numra më të lartë që ato që duhet t’i paguajnë qytetarët. Nuk është e qartë se cila shifër është fatura finale. Ftoj gjithë qytetarët dhe bizneset që janë bërë gabime të ankohen”, tha ai.
Ministres i reagoi deputeti, i PDK-së, Ferat Shala i cili kërkoi të dijë cilat janë hapat për sanimit të gabimeve të faturimit të energjisë.
Shala: Çka janë hapat që kjo qeveri do të merr në sanimin e këtij gabimi
“Nëse ka gabime në fatura atëherë çka janë hapat që kjo qeveri do të merr në sanimin e këtij gabimi”, tha ai.
Por ministrja tha se ajo nuk tha se ka gabime, por vetëm paqartësi.
Kurti: Pagat do të rriten, por jo aq sa rritja ekonomike
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pagat në Kosovë do të rriten, por nuk do të ndjekin rritjen ekonomike, e cila sipas tij vitin 2021 ka qenë 9.9 për qind.
Para deputetëve, Kurti tha pagat do të ndjekin rritjet e produktivitetit brenda rritjes ekonomike.
Kurti: Pagat do të rriten, por ato nuk ndjekin automatikisht rritjen ekonomike
“Gjatë këtyre 11 muajve kemi shënuar rezultate të mira në ekonomi, BQK ka konstatuar rritje ekonomike prej 9.9 përqind. Pra BQK-ja e cila edhe më tej e ka menaxhmentin e mëhershëm ka thënë se në Kosovë rritja është 9.9 përqind që është e pashembullt, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor... Pagat në Kosovë duhet të rriten dhe do të rriten. Por ato nuk mund të ndjekin automatikisht rritjen ekonomike. Pagat e ndjekin rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike. Në anën tjetër pagat mund të ndjekin afër rritjen ekonomike në rritjen e tyre vetëm atëherë kur kemi papunësi të ulët”, tha ai.
Kreu qeveritar foli edhe për migrimin e të rinjve, ku tha se numri më i madh i atyre që po e lëshojnë Kosovën është se nuk po gjejnë punë në profesionin e tyre.
Kurti: Ata që po e lëshojnë Kosovën është se nuk gjejnë punë në profesionin e tyre
“Përveç papunësisë që është problem i madh në Kosovë është shumë problem i madh edhe pamundësia e punësimit në profesion. Një numër i konsiderueshëm i të rinjve tanë që po migrojnë nuk është që po migrojnë se s’kanë vend pune, por s’kanë vend pune në profesionin e tyre. Pasi kur të mbarosh fakultetin juridik ose ekonomik nuk mund të punosh kamerierë gjithë jetën. Ajo çka është themelore që ne të bëjmë si reformë të përbashkët është kjo lidhja e tregut të punës dhe arsimimin profesional. Numri më i madh i atyre që po e lëshojnë Kosovën është se nuk gjejnë punë në profesionin e tyre”, tha ai.
Në foltoren e Kuvendit, Kurti shprehu mbështetjen edhe për pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Ukrainës.
Kurti: Kosova mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës
“Republika e Kosovës, Qeveria e Kosovës padyshim që mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe sigurisë deri më tani dhe në vijim ne do të jemi përherë të bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, tha ai.
Duke i reaguar kryeministrit Kurti, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha paga minimale duhet të nis nga 400 euro.
Kërkohet të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës për situatën në Ukrainë
Kriza në Ukrainë është bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërkuar mbledhjen e institucioneve të sigurisë për të monitoruar situatën që mund të ballafaqohet Kosova, pas ndërhyrjes së mundshme ruse në Ukrainë. Ndërsa, ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Në seancën plenare, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi tha se efektet e para të krizës në Ukrainë janë vërejtur në Kosovë dhe rajon.
Abazi: Institucionet tona të sigurisë të mblidhen dhe të monitorojnë situatën në Ukrainë
“Efektet e para janë vërejtur edhe në Kosovë dhe rajon, çmimet janë ngritur pasi jemi të varur nga importi dhe kapacitet tona prodhuese janë në minimum. Rrjedhimisht në këtë situatë kërkohet solidaritet i plotë dhe bashkëveprim i të gjithë neve këtu në parlament por edhe shoqërinë tonë. Po ashtu edhe koordinim i plotë me NATO-n dhe aleatët tanë perëndimorë. Në anën tjetër, duke pasur një fqinj si Serbia që përdor taktikat e njëjta të kërcënimit të integritetit territorial dhe kopjon metodën e Rusisë është urgjente që institucionet tona të sigurisë të mblidhen dhe të monitorojnë me kujdes situatën me të cilën po ballafaqohemi. Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate ku ne bëjmë historinë ndonjëherë edhe pa e ditur se po e bëjmë që të jemi të bashkuar përballë një krizë që mund të prek gjithë neve dhe rajonin. Jemi me fat që jemi bashkë me aleatët perëndimor në ballafaqimit me këtë sfidë”, tha ai.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, theksoi se në rast të nevojës, Kuvendi duhet të miratojë rezolutë për tensionet në kufirin e Ukrainës që mund të përfundojnë me luftë, derisa kërkoi edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.
Hoxha: Qeveria e Kosovës t’i vendosë sanksione Federatës Ruse
“Ne si deputetë, për shkak të historisë dhe kauzës tonë të drejt, duhet të jemi solidarë me popullin e Ukrainës që po e mbron lirinë dhe pavarësinë e saj. Kuvendi në një të ardhme të afërt ta miratojmë edhe një rezolutë, I ftoj të gjitha partitë politike të bëjnë një gjë të tillë. Hapi i dytë, është që Ukraina është fronti i parë, e Ballkani i dyti dhe ne jemi vija e parë e këtij fronti në Ballkan. Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën, dhe së treti, sot nëse SHBA-ja dhe BE-ja vendos sanksione, sot Qeveria e Kosovës duhet të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse sikurse kemi bërë në vitin 2014 kur është aneksuar Krimea. Ky Kuvend nuk duhet të jetë i shkëputur me atë se çka po ndodhë në Ukrainë”, u shpreh Hoxha.
Hoti: Asnjë investitorë të huaj serioz nuk e sjelli Qeveria Kurti
Ish-kryeministri, njëherit deputeti nga Lidhje Demokratike e Kosovës(LDK), Avudllah Hoti duke folur për rritjen e çmimeve, dhe rritjen e kostos së bizneseve, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti se nuk ka sjellë asnjë kompani të huaj serioze në vend për të investuar.
Ish-kryeministri Hoti në seancën e sotme duke iu referuar pagës mesatare, ai tha se është bërë pa përballueshme jeta e qytetarëve me çmimet e larta të rrymës dhe atyre bazike.
Hoti: Rryma është rritë 104 për qind
“E para, janë rritur çmimet e ushqimeve bazike dhe ne kemi nxjerrë evidencë për këtë. Brenda një viti çmimi i miellit është rritur me 29 për qind, buka 17 për qind, vaj 46 për qind, nafta 26 për qind e kështu me radhë. Një familje që ka një rrogë mesatare, shumicën e të ardhurave I shpenzon në këto produkte bazike, dhe kjo nënkupton që të ardhurat reale dhe fuqia blerëse kanë rënë gjatë këtij viti. E dyta, është rritë çmimi i energjisë elektrike, tarifa e ulët është rritë me 104 për qind dhe tarifa e lartë është rritë me 85 për qind. E treta, në bazë të ASK-së çmimet e plehrave dhe farërave janë rritur në minimum 25 për qind. Kjo nënkupton se sivjet veshtorë të mbahet niveli i prodhimit bujqësor sa ka qenë më herët”, tha ai.
Deputeti Hoti në seancën e sotme i ka replikuar deputetit të VV-së, Armend Muja për të arriturat gjatë një viti.
Ai tha se bizneset asnjëherë në 20 vjet, nuk kanë qenë më të pasigurta
Hoti: Nuk ka asnjë brend investitori të jashtëm që ka ardhur gjatë vitit 2021
“Tek fusha e investimeve, deputeti nga Vetëvendosje i përmendi disa shifra, por unë po iu them realitetin. Në sektorin publik nuk ka asnjë investim të madh që krijon efekte multipikuese në ekonomi. Për punësim, për të ardhurat, për fitimet e bizneseve. Kemi parë bllokimin e OSHP-së, që realisht ka lënë të bllokuara miliona euro në projekte të mesme gjithandej nëpër Kosovë. Sa i përket investimeve të jashtme, mund japim shifra çfarë të dojmë, por nuk ka asnjë brend investitori të jashtëm që ka ardhur gjatë vitit 2021[...] Bizneset kurrë asnjë herë në 20 vjet, nuk kanë qenë më të pasigurta”, tha ai.
Abdixhiku: Rritja e inflacionit është 7.1 përqind, kjo është alarmante
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk ka plane për t’i ndihmuar qytetarët për të përballuar rritjen e çmimeve.
Ai tha se po provohet të jepet një pasqyrë e një zhvillimi ekonomik, por se kjo po bëhet duke krahasuar shifrat me vitin 2020 të pandemisë.
“Viti 2021 është një vit boom postpandemik dhe në këtë vit ka edhe rritje të çmimeve. Vetëm për një vit, inflacioni në Kosovë është 7.1 përqind dhe kjo është rritja më e madhe historike në 22 vitet e fundit. Çështja është se çfarë bëni ju si qeveri? A ka politikë fiskale? A ka pako që zbut përballimin e qytetarëve tonë me çmime astronomike”.
Abdixhiku tha se më shumë tatime po mblidhen prej një inflacioni të paprecedentë.
“Është e padrejtë që qytetarët edhe të paguajnë më shtrenjtë edhe të japin më shumë tatim. Normalisht që ATK mbledh më shumë të ardhura kur ka inflacion. Edhe njëherë po e them 7.1 përqind, sipas raportit të fundit të ASK-së, është inflacioni i janarit 2022 krahasuar me janarin e 2021-ës. Kjo është alarmante”.
Në replikë, kryeministri Kurti ka thënë se është e vërtetë që qytetarët po paguajnë më shumë tatime, por se kjo nënkupton performancë më të mirë të ATK-së dhe se gatishmëria e qytetarëve vjen edhe nga fakti se nuk shohin skandale të korrupsionit në qeveri.
“Besueshmëria është më e lartë në qeverisje dhe kontributi është më i madh”.
***
Hoxhaj kërkon të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare pas pushtimit rus të dy rajoneve të Ukrainës
Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka kërkuar që Kosova ta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Ukrainë, ku Rusia i ka futur forcat e saj në dy rajone.
Hoxhaj tha se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret për të reaguar në këtë situatë.
“Në Ukrainë po vendoset sot dhunshëm e ardhmja e Evropës, dhe jo vetëm e Evropës, por edhe e Ballkanit. Ne natyrisht jemi një vend i vogël dhe kemi probleme të mëdha serioze edhe me energjetikën, edhe me çmimet të cilat janë rritë, por ne jetojmë në planetin e njëjtë dhe ne si deputetë nuk jemi jashtëtokësor. Jemi pjesë e kësaj bote. Prandaj kërkoj nga Kuvendi i Kosovës dhe nga Qeveria që ta mbështet sovranitetin, integritetin territorial në kufijtë ndërkombëtar të Ukrainës”, tha ai.
Hoxhaj fillimisht tha se Kuvendi duhet ta shqyrtojë edhe miratimin e një rezolute për këtë çështje, si hap i parë.
“Hapi i dytë është që Ukraina është fronti i parë, Ballkani është fronti i dytë dhe ne jemi vija e parë e këtij fronti të dytë në Ballkan dhe mendoj që Qeveria e Kosovës duhet ta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Nuk e di nëse është mbledh”, tha deputeti i PDK-së.
Së treti, Hoxhaj kërkoi që nëse SHBA-ja dhe fuqitë tjera perëndimore vendosin sot sanksione kundër Ukrainës, atyre t’u bashkohet edhe Kosova.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës padyshim që mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e Ukrainës.
“Sikurse deri më tani dhe në vijim do të jemi të bashkërenduar me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n”, ka thënë Kurti.
Këto komente Kurti i bëri gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku falënderoj deputetin e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe deputetin e LVV-së, Haki Abazi për qëndrimet e tyre rreth situatës në Ukrainë.
***
Hoxhaj në seancën e sotme deklaroi se Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të situatës së krijuar në Ukrainë. Ai tha se në rast të nevojës, Kuvendi duhet të miratojë rezolutë për tensionet në kufirin e Ukrainës që mund të përfundojnë me luftë, derisa shtoi edhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
“Për shkak të historisë, duhet të jemi solidarë me popullin e Ukrainës që po e mbron pavarësinë e vendit të vet. Duhet ndoshta edhe ta miratojmë një rezolutë, e dyta, Ukraina është fronti i parë, e Ballkani i dyti. Ne jemi vija e parë në Ballkan. Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën, dhe së treti, nëse SHBA-ja dhe BE-ja vendos sanksione, Qeviera duhet të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse. Ky Kuvend nuk duhet të jetë i shkëputur me atë se çka po ndodhë në Ukrainë”, deklaroi Hoxhaj.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi tha se ky është një moment i krijuar në strategjinë e proklamuar nga Rusia si një rregull i ri i sigurisë në kontinentin e Evropës.
“Pas një seri të fjalimeve dhe thirrjeve të liderëve botëror të vazhdueshme lidhur me rrezikun, presidenti rus ka urdhëruar trupat ruse që të hyjnë në Ukrainën Lindore. Kemi edhe vrasjet e para të ushtarëve ukrainas. Këtij veprimi i ka paraprirë njohja e pavarësisë së dy provincave. Ky është një moment i ri i krijuar në strategjinë e proklamuar nga Rusia për një rregull të ri të sigurisë në kontinentin e Evropës”, ka thënë ai.
Lidhur me situatën në Ukrainë sot ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. MPJD përmes një postimi në Twitter ka shkruar se Kosova qëndron përkrah Ukrainës kundër agresionit të Rusisë.
“Putini po bën edhe një herë luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive në të gjithë Evropën për shumë vite. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet me vendosmëri Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
PDK kërkon komisioni hetimor parlamentar për sektorin energjetik
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor parlamentar për sektorin energjetik të vendit.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala në seancën e sotme plenare tha se qeveria ka krijuar mjegull dhe paqartësi për të mbuluar dështimin në sektorin e energjisë. Ai renditi edhe disa arsye, që sipas tij, dëshmojnë një gjë të tillë.
Shala: Qeveria nuk dëshiron ta lirojë qytetarin tonë nga pagesat
“Me tarifat e reja sipas ZRrE-së duhet të zbatohet prej 9 shkurtit, leximi është bërë në fund të janarit. Pse kështu, tash po rritet konsumi mesatar ditor dhe po merret mesatarja nëntë ditore për konsumatorët që kanë njësor të mençur dhe pastaj po shumëzohet për ditët me 18 shkurt. Kur ka filluar faturimi çfarë po ndodh me konsumatorët që nuk kanë njësor të mençur. Si po iu faturohet atyre energjia, paushall apo si? KECO ka dorëzuar një kërkesë ZRrE-së që aplikimi për tarifat e reja të fillojë më 1 mars, por përsëri kjo kërkesë refuzohet sepse qeveria dhe ZRRE-ja nuk do ta lirojnë qytetarin tonë nga pagesat. Të gjitha arsyetimet e qeverisë për ngritjen e tarifave kanë qenë në shkallë të lartë për shkak të importit dhe konsumit, sot që kemi rënie edhe të konsumit dhe përmirësim të kushte pse qytetarët duhet të paguajnë të njëjtën tarifë”, tha ai.
Sipas tij, përmes komisionit hetimor parlamentar do të mund të dilte në pah e vërteta për keqmenaxhimin e Qeverisë Kurti në sektorin energjetik në vend.
Shala: Kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për sektorin energjetik
“Në emër të PDK-së u kërkojmë të formojmë një komision hetimor parlamentar për sektorin energjetik të vendit ku bashkërisht do të shpalosim të vërtetën dhe keqmenaxhimin e kësaj qeverie në sektorin energjetik të vendit”, deklaroi ai.
Ai tha se si pasojë e keq menaxhimit të Qeverisë ndërmarrja publike KOSTT është në prag të falimentimit.
Tensionet Rusi-Ukrainë, Abazi: Urgjentisht duhet të mblidhen institucionet e sigurisë së Kosovës
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka folur për tensionet në mes Rusisë dhe Ukrainës dhe për pasojat e mundshme që mund t’i ketë Kosova dhe rajoni.
Për këtë, ai ka kërkuar që të mblidhen urgjentisht institucionet e sigurisë së Kosovës dhe të monitorojnë situatën.
“Duke pasë një fqinj si Serbia që shpeshherë kopjon metodat e njëjta si të Rusisë të kërcënimit të integritetit territorial, është urgjente që institucionet tona të mblidhen dhe të shqyrtojnë dhe monitorojnë me kujdes situatën në të cilën jemi duke u ballafaquar”.
Abazi tha se në këtë kohë duhet qëndruar të bashkuar si në Parlament, ashtu edhe në shoqëri, si dhe të ketë koordinim të plotë me NATO-n dhe aleatët perëndimorë.
“Efektet e para janë vërejtur edhe te ne dhe rajon. Çmimet janë ngritur meqë jemi kaq të varur nga importi dhe kapacitetet tona prodhuese janë në minimum”.
Hoti numëron se ku e tek u ngritën çmimet: Nëse nuk intervenohet, viti 2022 do të jetë shumë i vështirë
Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti sot në Kuvend ka numëruar rritjen e çmimeve në vend.
‘’Sivjet vështirë se do të mbahet prodhimi i nivelit bujqësor sa ka qenë më herët’’, tha ai.
‘’Në sektorin publik, s’ka asnjë investim të madh që krijon efekte në ekonomi. Kemi pa bllokimin e OSHP’së.
‘’Të ardhurat reale dhe fuqia blerëse kanë rënd gjatë këtij viti.’’, tha ai.
Viti 2022 do të jetë shumë i vështirë për shumë familje, e bujq, nëse nuk merren masa.
Muja u kundërpërgjigjet kritikuesve të qeverisë: S’kemi qenë aq të fortë sa ta shesim një ari tokë për 52 euro
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u është kundërpërgjigjur kritikuesve të qeverisë Kurti dhe atyre që këtë qeveri e kanë quajtur të praktikantëve.
Muja ka thënë se Kosova ka nevojë për këso praktikash.
Më tutje ai tha se nuk kanë qenë aq të fortë sa një ari toka ta shesin për 52 euro.
“Qytetarë të Kosovës. Shumë shpesh gjatë këtij viti ka ndodhur që qeveria dhe ne jemi etiketuar me emra të ndryshëm që është qeveria më e dobët, jemi praktikat. Unë mënoj që Kosova ka nevojë për këso praktikash. Nuk kemi qenë aq të fortë sa të shesim një ari tokë për 52 euro. Qytetarët e Kosovës nga raporti i fundit që kemi marrë nga AKP, janë shitur 30 mijë ari tokë me kosto 52 euro një ari”, ka thënë ai.
Ka nis senaca e Kuvenit të Kosovës
***
Kuvendi i Kosovës sotdo të mbajë seancën e radhës plenare.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se seanca do të fillojë nga ora 10:00 e mëngjesit, në të do të jenë 27 pika të rendit të ditës.
Më poshtë e keni rendin e plotë të ditës:
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-106 për ratifikimin e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-118 për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave në mes të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Kuvajtit,
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-119 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian,
7. Shqyrtimi i parë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-113 për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-111 për Arkivat Shtetërore,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-122 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256,
12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-114 për Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave,
13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-103 për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-104 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale,
15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-021 për akcizën në produktet e duhanit,
16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-074 për Turizmin,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-075 për markat tregtare,
18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-076 për Mbrojtjen e sekreteve tregtare,
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-108 për Deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave,
20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme,
21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-112 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L-026 për tokën bujqësore,
22. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-197 për kimikate,
23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-120 për Ushqim,
24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura,
25. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 05/L-025 për
Shëndetin Mendor,
26. Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT,
27. Propozimet e GP të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin parlamentar dhe plotësimin e anëtarit në Komisionin Ad-hoc.