Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka folur për tensionet në mes Rusisë dhe Ukrainës dhe për pasojat e mundshme që mund t’i ketë Kosova dhe rajoni.
Për këtë, ai ka kërkuar që të mblidhen urgjentisht institucionet e sigurisë së Kosovës dhe të monitorojnë situatën.
“Duke pasë një fqinj si Serbia që shpeshherë kopjon metodat e njëjta si të Rusisë të kërcënimit të integritetit territorial, është urgjente që institucionet tona të mblidhen dhe të shqyrtojnë dhe monitorojnë me kujdes situatën në të cilën jemi duke u ballafaquar”.
Abazi tha se në këtë kohë duhet qëndruar të bashkuar si në Parlament, ashtu edhe në shoqëri, si dhe të ketë koordinim të plotë me NATO-n dhe aleatët perëndimorë.
“Efektet e para janë vërejtur edhe te ne dhe rajon. Çmimet janë ngritur meqë jemi kaq të varur nga importi dhe kapacitetet tona prodhuese janë në minimum”.