Avokati i Veselit: E tmerrshme, Prokuroria orkestroi takim me ambasadorët e BE-së për të akuzuarit

Aktuale

Avokati i Veselit: E tmerrshme, Prokuroria orkestroi takim me ambasadorët e BE-së për të akuzuarit

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 15:27
Të akuzuarit nga Specialja

(E plotësuar 15:16) -  Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka hedhur akuza të ashpra ndaj Prokurorisë së Speciales në lidhje me protokollin e propozuar nga ajo për kontaktet me dëshmitarët.

Emmerson ka thënë se pretendimet e Prokurorisë për ndërhyrje të mundshme të mbrojtjes te dëshmitarët janë qesharake dhe fyese.

”Janë komente fyese, nuk përputhen fare me rregullat dhe dua ta trajtoj sepse është koment serioz. Ju duhet ta shikoni mënyrën se si paraqitet çështja tek prezumimi i pafajësisë. Çështja kryesore është proporcionaliteti i kësaj që propozohet. Prokurori tha që nuk e dinte nëse e kishte të drejtën të përfaqësonte viktimat. Ai nuk e ka këtë të drejtë.  Siç thotë prokuroria se për çfarë është ky protokoll dhe cila është metodologjia. Prokuroria thotë se do të shmang ritraumatizimin e dëshmitarëve dhe të ruaj integritetin e tyre fizik”, tha ai.

”Përse përfshihen dëshmitarët në këtë protokoll. Nuk ka asnjë arsye të besoj se mbrojtja t’i korruptojë ata. Është për të qeshur, fyese dhe nuk duhet marrë seriozisht. E kundërta është e vërtetë. Për ndërkombëtarët që do thirren si dëshmitarë ky sistem nuk duhet zbatohet. Pra minimum duhet të përjashtohet çdo person që nuk është viktimë. Gjithçka që mund të bëhet për ta bërë numrin e menaxhueshëm, ndryshe do të kemi vonesë për dy vite”, tha Emmerson.

”Është një proces ku secila palë duhet të ketë besim që të paraqes çështjen e vet. Nëse Prokuroria thotë se nuk mund t’ia kesh besën mbrojtjes, kjo është për të qeshur. Kam frikën se gjithçka mund të rrëzohet sepse gjithçka bazohet në besimin mes palëve. Këto janë kërcënim për bashkëpunimin e dëshmitarëve”, tha ai.

Avokati i Veselit ka shtuar se Prokuroria ka orkestruar takim me ambasadorët evropianë për çështjen e të akuzuarve dhe, sipas tij, kjo është diçka shokuese.

Tutje, ai tha se këto janë zhvillime të tmerrshme.

”Sipas tyre, ne nuk duhet ta kemi besën dhe jemi njerëz jo të duhur. Çështjet e ngritura nga mbrojtja kundër Prokurorisë lidhen me deklarata jo të sakta lidhur me kohëzgjatjen e procedurave për periudhën paraprake dhe shanset e lirimit paraprak. Prokuroria e ka keqorientuar gjykatën në shumë mënyra. Prokuroria ka orkestruar takimin e ambasadorëve evropianë në lidhje me të akuzuarit. Kemi pasur zhvillime të tmerrshme sa i përket sjelljes së Prokurorisë. Është një shok dhe tronditje se si Prokuroria është lejuar të sillet. Të thuash se unë jam një person se do të kryeja krim në përgatitjen e mbrojtjes është e turpshme dhe shembull se si Prokuroria ka humbur çdo arsye dhe logjikë dhe është e dëshpëruar”, tha Emmerson.

---

Në Gjykatën Speciale po mbahet seancë në rastin e krerëve të UÇK-së.

Aty po mbahet seancë dëgjimore në lidhje me intervistimin e dëshmitarëve, shkruan lajmi.net.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se mbrojtjes duhet t’i lejohet qasje pa kufizime tek intervistimi i dëshmitarve, pasi që në situatën aktuale dhe me masat mbrojtëse të propozuara nga Prokuroria, nuk ka baraza të palëve.

Nuk ka barazi të palëve. Flasim për një gjykatë që është e Kosovës dhe dispozitat që duhet të ndiqen. Kjo është shumë e qartë në kuadrin e kësaj gjykate. Procesi gjyqësor kërkon që mbrojtja të përfshihet në të gjithë gamën e shërbimeve. Pra mbrojtja duhet të sigurojë pa kufizime mbrojtjen e një personi, mbrojtjen e provave, përgatitjen për marrjen në pyetje. Gjykata Evropiane për të Drejtat e njeriut thotë se marrja në pyetje duhet bërë pa kufizime, ndërkaq që ndryshe vepron Prokuroria e Specializuar”, tha Keohe.Ai tha se 157 dëshmitarë të ZPS-së kanë masa mbrojtëse.

Dëshmitarët në listën e dëshmitarëve nuk janë dëshmitarë në listën e ZPS-së. Pikë. Janë dëshmitarë, që duhen marrë në pyetje nga të gjitha palët. Kjo është një shtesë paligjshmërie. Kemi 326 dëshmitarë, pothuajse 50% kanë masa mbrojtëse. Pra 157 dëshmitarë nga 326 kanë masa të tilla”, tha ai.

Tutje, ai tha se absurditeti qëndron se ZPS ka kërkuar masa mbrojtëse edhe për zyrtarë qeveritarë, ndërkombëtarë, si dhe oficerë ushtarakë.

“Kemi këto masa mbrojtëse tani që flasim dhe ZPS duhet ta zgjerojë fushën e veprimit të tyre dhe të vendos kufizime për protokollin për zyrtarë qeveritarë, ndërkombëtarë, oficerë ushtarakë, oficerë e gjeneralë që kanë dalë në pension. Janë nën masat mbrojtëse të ZPS-së. Kam lexuar dëshminë e një dëshmitari që përfaqësohej nga një avokat i zoti në Britani. Pra, nga të gjithë këto persona ZPS po do të përjashtojë mbrojtjen që të bëj intervistimin e tyre. ZPS thotë se kërkon që të shmang ritraumatizimin e viktimave. A po e thotë me seriozitet ZPS se gjeneralëve duhet t’ua mbrojë anën psikologjike? Sigurisht që jo”, tha Keohe.

Ka nisur konferenca për ecurinë e çështjes në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

Më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat