​Haxhiu: Institucionet e Kosovës janë në një linjë sa i përket zgjedhjeve në Serbi

Aktuale

​Haxhiu: Institucionet e Kosovës janë në një linjë sa i përket zgjedhjeve në Serbi

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 12:10
Albulena Haxhiu

Qeveria e Kosovës ka përsëritur qëndrimin e saj lidhur me zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, se qytetarët e Kosovës me dy shtetësi do të mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse në Kosovë. Për këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se janë në një linjë me Kuvendin dhe presidenten e vendit. Haxhiu ka thënë se synimi i Serbisë që të organizojë zgjedhjet edhe në Kosovë ka të bëjë me pretendimet e saj territoriale ndaj Republikës së Kosovës.

Haxhiu në një konferencë për media ka thënë se Serbisë nuk i bëhet vonë për të drejtat e qytetarëve.

Haxhiu: Serbia ka pretendime territorial ndaj Republikës së Kosovës

“Të gjithë jemi në dijeni që Serbia ka pretendimet e saj për të mbajtur zgjedhjet e saj në Kosovë jo sepse kërkon që një e drejtë e qytetarëve të tyre të adresohet mirëpo sepse ajo ka pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Pra Serbisë nuk i bëhet vonë për të drejtat e qytetarëve mirëpo përmes atij veprimi ajo do të jetë në linjë me kushtetutën e saj”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë ka kujtuar rezolutën e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës përmes së cilës ishte ndaluar mbajtja e referendumit serb në territorin e Kosovës, për çka ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe legjislacioni në fuqi.

Haxhiu: Qytetarët me dy shtetësi do të mund të votojnë në zgjedhjet e Serbisë me postë apo përmes zyrës ndërlidhëse

“Konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës por edhe legjislacioni në fuqi. Edhe rezoluta e Kuvendit por edhe qëndrimet e qeverisë janë në linjë të njëjtë, por po ashtu këtë qëndrim e ka edhe presidentja e vendit, qytetarët të cilët kanë dy shtetësi natyrisht që ne duhet t’u ofrojmë zgjidhje mirëpo atë zgjidhje e kemi dhënë që në zyrën ndërlidhëse pra këtu në Kosovë apo me postë. Këto janë dy propozime që ne i kemi thënë edhe publikisht, nuk ka diçka tjetër në këtë drejtim”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat