Të gjithë ziheshin, askush nuk kujtohej për veriun! /Kuvendi i Kosovës dhe pushtimi rus i Ukrainës!

Aktuale

Të gjithë ziheshin, askush nuk kujtohej për veriun! /Kuvendi i Kosovës dhe pushtimi rus i Ukrainës!

Nga: Idriz Morina Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 12:13
Foto ilustrim nga lufta në Ukrainë

Bota u trazua. Në fund ndodhi ajo që kishte paralajmëruar prej kohësh SHBA-ja, se Rusia, kishte përgatitur fillimin e pushtimit të Ukrainës, minimalisht donte të pushtonte dy krahinat, ku tashmë tetë vjet po bëhet luftë.

Luhani dhe Donetsku, dje u goditën nga farfuria ruse.

Edhe presidenti kurajoz i Ukrainës, Zhelinski, që në vazhdimësi deklaronte se nuk po shihte luftë, ndërkohë që edhe qytetarët e thjeshtë të tij stërviteshin për luftë, alarmoi, për rezistencë dhe paqe! Nëse është e mundur ende këto të shkojnë bashkë!

Një ditë më pas, i ftoi edhe forcat rezervë të bashkohen për luftë kundër Rusisë, ndërsa Australia e largët, e ka dhënë edhe ajo paralajmërimin e fundit, se Rusia po bëhet gati për një sulm të pushtimit total të Ukrainës.

Putini, si e kam quajtur në dhjetëra shkrime diktator, e vulosi fatin e luftës, me nënshkrimin e dokumentit të propozuar nga Duma ruse, sigurisht të shtyra nga vetë ambiciet e regjimit të Putinit, për njohjen e pavarësisë së dy krahinave, dhe dërgimit të trupave atje, ‘për ta mbrojtur’ ‘paqen ruse’!

Europa e trembur, në ankth

Deputetët e Kuvendit të Kosovës ziheshin, disa për fatura, disa për numra, me referenca të 2020 apo të 2019-ës!

Thuajse bota sapo ka hyrë në një festë të re.

Europa e trembur, gjer në ankth, SHBA-ja, duke inkurajuar të tjerët mos të tremben nga Rusia, dhe drejtues të BE-së, që duan të besojnë se janë të bashkuar, edhe para çdo kërcënimi rus.

Duma sapo ka vendosur ta lejojë Putinin, sipas vullnetit të tij, ta përdorë ushtrinë në sulme jashtë vendit. Duke e pudrosur, pak me ndjenjë fati, ‘mision paqeruajtës në Ukrainë’, duke e zëvendësuar pushtimin, me mbrojtje, vrasjen me ‘vetëvrasjen’!

Deputetët tanë edhe pse kishin gjithë kohën e duhur, për t’u kujdesur për rendin e ditës, për ligjet, dhe paligjësitë, nuk donin ta mendonin se çfarë do të mund të ndodhë me Kosovën, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Duke e ditur qartë se relacionet e Serbisë me Rusinë, janë tashmë disa vite raporte varësie, pra që politikat që ka zhvilluar Serbia, kanë qenë të udhëhequra nga Kremlini dhe Putini, dhe si të tilla, ato edhe pa krizën, pushtimin rus të Ukrainës paraqitnin rrezik, dhe më tepër, kërcënim.

Baza ruse në afërsi të Nishit; takimet kokë më kokë të Vuçiqit me Putinin, për të marrë kundërpërgjigjet për politikën Perëndimore; përpjekjet ruso-serbe për ta bërë gati ndarjen e Republikës Serbe nga Bosnja; takimet kokë më kokë të Dodikut me Putinin, duke marrë udhëzime speciale nga ai, përfshirë edhe kohën se kur duhet vepruar, qoftë ushtarakisht; përpjekjet e përbashkëta ruso-serbe për rrëzimin e qeverisë properëndimore dy vite më parë në Mal të Zi; përpjekjet që nëpërmjet zgjedhjeve ta mbanin një qeveri të atillë në këmbë; përpjekjet ruse që në Maqedoni, ta kenë kontrollin e institucioneve; e përfshirë me veprimtarinë hibride në shumë shtete të tjera, përfshirë Greqinë, veprimet e fshehta në Shqipëri, dhe jo pa to edhe në Kosovë, paraqesin një pasqyrë reale të rrezikut të bashkëveprimit të partnerëve të Rusisë, kundër aleancës perëndimore, të bashkuar në NATO dhe përtej saj.

Pra, teksa ndodhemi para një pasqyre të qartë, të bashkëpunimit të shteteve antidemokratike, pse duhet të bisedojmë ne me ato vende!

Pse ato shtete antidemokratike, në model dhe në gjithë strukturimin e tyre, duhet t’i respektojmë.

Kërkesat serbe, janë me motive ruse, dhe Rusia tashmë është modeli i antidemokracisë.

Këtë antidemokraci duhet ndëshkuar, ndërsa vazhdimi i negociatave në Bruksel, do të ishte shpërblim me motive ruse!

Parajsa e humbur!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e ka përshkruar krizën në Ukrainë si “momentin më të rrezikshëm për sigurinë evropiane”.

Ndërsa, Josip Borell, të paktën, në mënyrë ngushëlluese ka bërë të ditur se [farë do t’ju mungojë rusëve të pushtetshëm dhe të pasur.

“Sot, ne biem dakord me unanimitet, t’i përgjigjemi me forcë veprimeve të paligjshme të #Rusisë kundër #Ukrainës. Paketa e sanksioneve të BE-së do të godasë: 351 anëtarë të Dumës shtetërore Ruse, të cilët votuan për njohjen e të ashtuquajturave LPR dhe DPR. Individë dhe entitete që po minojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e # Ukrainës. Kjo do të përfshijë sektorët politikë, ushtarakë, biznes dhe media. *Nuk do të ketë më: Shopping në #Milano Festa në #SaintTropez Diamonds in #Antwerp Ky është hapi i parë #WeStandUnited”

Edhe shqiptarët tanë, që nga pas lufta në Kosovë, që besonin se paqja tashmë ishte e përhershme, dhe se kërkimi i jetës parajsore në tokë, duhet ta kuptojnë se derisa të ketë tokësor, nuk do të ketë vetëm paqe.

Derisa niveli kulturor në botë është kaq i ulët, dhe që vetëdija nuk trashëgohet apo nuk ngjitet, dhe njerëzit para se të duan të njohin, do të duan të shijojnë ushqime, para se të lexojnë e studiojnë duan të mirat e kësaj bote (të kënaqësisë), jemi shumë larg, tepër larg paqes botërore.

Po ashtu duke llogaritur agresivitetin njerëzor, në natyrën e tij, të pakënaqësisë, të cilin edhe religjionet e mëdha, nuk ia kanë dal ta zbusin, i mbetet zhvillimit shkencor, atyre njerëzve që kurrë nuk kanë përtuar ta sakrifikojnë jetën e tyre, ‘botën tokësore’, që të shkojmë kah përparimi.

Parajsa e humbur, ndoshta mund të ishte sinonim i, kësaj beteje njerëzore, më shumë si idil poetike, se sa si krijim njerëzor!

Prandaj, meqë kemi dashur të bëjmë shtet, si thonë ushtarakët e shquar, ushtria duhet të përgatitet sikur nesër do të bëhet luftë. Dhe as kjo nuk mjafton, duhet të përgatitesh për ta fituar luftën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat