Për shkak të parashkrimit, refuzohet aktakuza për korrupsion ndaj Naser Osmanit dhe te tjerëve lidhur me privatizimin e ndërmarrjes “FAN”

Aktuale

Për shkak të parashkrimit, refuzohet aktakuza për korrupsion ndaj Naser Osmanit dhe te tjerëve lidhur me privatizimin e ndërmarrjes “FAN”

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 15:44
Naser Osmani

Për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr aktgjykim refuzues ndaj Ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani dhe zyrtarëve të tjerë në rastin e njohur si “FAN”.

Osmani bashkë me zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka dhe Naim Avniu, po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndërsa biznismeni Agim Deshishku akuzohet për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Në aktgjykimin e Themelores thuhet se për shkak të parashkrimit absolut është marr aktgjykim refuzues.

Gjykata pas vlerësimit dhe analizimit të shkresave të lëndës në këtë çështje penale ndaj të akuzuarve të lartcekur konstaton se ka arritur parashkrim apsolut i ndjekjes penale, ngase sipas dispozitave të nenit 106 par.1 pika 1.4 të KPRK-së, vepra penale e cila është e dënueshme me më shumë se 3 (tre) vjet burgim parashkruhet kur të kanë kaluar 5 (pesë) vite nga data e kryerjes së veprës penale (parashkrimi relativ), kurse sipas dispozitave të nenit 107 par.8 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, (parashkrimi absolut), ndërsa në rastin konkret kanë kaluar më shumë se 10 (dhjetë) vite nga koha e kryerjes së veprës penale, e cila ju vihet në barrë të akuzuarve, ashtu që: Parashkrimi absolut për këto vepra është arrit me datë, 19.1.2022” thuhet në vendimin e gjykatës.

Në këtë vendim thuhet se gjykata me qëllim të mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore ka caktuar seancat vazhdimisht, madje me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarit Agim Deshishku në shqyrtim gjyqësor, me 16 nëntor 2021 dhe 16 dhjetor 2021, ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e të njëjtit me shoqërim, mirëpo të njëjtat urdhëresa nuk janë realizuar.

Ndryshe, rasti kundër Naser Osmanit kishte filluar sipas kallëzimit penal të parashtruar nga Policia e Kosovës, më 28 prill 2014.

PSRK, më 30 prill 2014, kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve.

Kjo prokurori më 23 dhjetor 2015 kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër deputetit Naser Osmani si nënkryetari i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabanit si drejtor i Bordit të AKP–së, pastaj kundër të pandehurve Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi, të gjithë zyrtarë në AKP si dhe kundër biznesmenit Agim Deshishku.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK, të akuzuarit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si Drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi, Agron Kamberaj si kryesues të Njësisë së Monitorimit në AKP, në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë si anëtarë ndërkombëtar të AKP-së: Lisa Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Warsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000.00 euro.

Ata akuzohen se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” e përfaqësuar nga AKP-ja si dhe buxhetit të shtetit, lidhur me çështjen e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”.

Kjo e fundit, ishte privatizuar në valën e 7-të të shitjes nga AKM-ja, ku ishte blerë me çmim prej 2,310,000.00 euro nga blerësi, i akuzuari Agim Deshishku, sipas kontratës së nënshkruar me zotimet e fituara të bëjë investime në vlerë prej 2,800,000.00 euro dhe të punësojë 236 punëtorë përgjatë periudhës dy vjeçare.

Shqyrtimi fillestar lidhur me këtë rast është caktuar më 17 mars 2016, mirëpo e njëjta ishte shtyrë për 4 prill 2016.

Shqyrtimi gjyqësor i këtij rasti ishte caktuar më 10 prill 2017, pra pas më shumë se një viti, por e njëjta ishte shtyrë dy herë më radhë, ndërsa u arrit të mbahet vetëm më 12 korrik 2017.

Më 29 janar 2019, ishte paraparë të bëhej shpallja e aktgjykimit për këtë rast, mirëpo gjykatësi Shashivar Hoti kishte bërë të ditur se në kohën që trupi gjykues ka pasur në dispozicion nuk ka arritur të bëjë shqyrtimin e të gjitha shkresave të lëndës dhe shpallja është shtyrë për 8 shkurt 2019.

Pas 27 seancave gjyqësore, shtatë nga të cilat kishin dështuar të mbaheshin dhe rreth 3 vjet pas ngritjes së aktakuzës, më 8 shkurt 2019, deputeti Naser Osmani dhe të akuzuarit tjerë Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkelzen Lluka dhe Naim Avdiu ishin shpallur të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

I pafajshëm për legalizim të përmbajtës së rreme në vazhdimësi, ishte shpallur edhe i akuzuari Agim Deshishku. Mirëpo, Deshishku ishte gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të mashtrimit në vazhdimësi, për çka ishte dënuar me 1 vit burgim.

E pakënaqur me lirimin nga akuzat të Osmanit dhe pesë të akuzuarve tjerë, prokurorja Fikrije Fejzullahu ishte ankuar në Apel, me pretendimet se shkalla e parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave procedurës penale me arsyetimin se aktgjykimi për të gjithë të akuzuarit e liruar nga akuza është në kundërthënie të plotë me dispozitivët e aktgjykimit.

E përgjigje në ankesën e prokurorisë kishin parashtruar edhe avokatët, Besnik Berisha, Florent Latifaj dhe Iliriana Osmani-Serreqi, që në këtë proces gjyqësor mbrojnë të akuzuarit, Naser Osmani, Shkëlzen Lluka dhe Melita Ymeraga.

Duke vendosur lidhur me këto ankesa, kolegji i Apelit në përbërje nga gjykatësit, Ferit Osmani, Vaton Durguti dhe Milan Bigoviq ka ardhur në përfundim se ankesa e PSRK-së është e bazuar kurse ajo e mbrojtësve së të akuzuarit Deshishku, avokatëve Arianit Koci dhe Granit Vokshi është e pabazuar.

Mbi një vit më vonë, më 4 mars të vitit 2020, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Naser Osmani dhe pesë të akuzuarve tjerë për korrupsion, në rastin e njohur si “FAN”.

Rigjykimi ka filluar më 8 korrik 2021, por kjo seancë ka dështuar, njësoj sikurse edhe seancat  caktuara për datën 28 shtator, 28 tetor, 25 nëntor, 16 dhjetor, 23 dhjetor dhe 11 janar 2022./BetimipërDrejtësi

Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat