​Mungesa e kuorumit, kryefjalë edhe në seancën e së mërkurës

Aktuale

​Mungesa e kuorumit, kryefjalë edhe në seancën e së mërkurës

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 20:16
Kuvendi i Kosovës

Ka vazhduar sot seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë dje pasdite por shumë prej projektligjeve nuk arritën të miratoheshin për shkak të mungesës së kuorumit.

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, ishte pikë e parë në këtë vazhdim seance, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Pas diskutimeve të deputetëve, projektligji mori mbështetjen e mjaftueshmeve të votave për miratim në Kuvend.

Në vazhdim, Kuvendi shqyrtoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale, për të cilin nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Mungesë të kuorumit pati edhe me rastin e hedhjes në votim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit, sikurse edhe për Projektligjin për mbrojtjen e sekreteve tregtare.

Por me shumicë votash Kuvendi i dha mbështetje në shqyrtim të parë Projektligjit për Turizmin dhe atij për markat tregtare, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tyre në komisionet parlamentare.

Një debat më i gjerë u zhvillua lidhur me Projektligjin për Deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Gjatë diskutimeve, u ngritën çështje të ndryshme që lidheshin me aspekte përmbajtësore të projektligjit, duke theksuar nevojën edhe për ndryshime në disa pjesë të tij.

Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, as ky projektligj nuk arriti të miratohej.

Sikurse këtë projektligj, edhe atë për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Këtë të fundit, ministrja Haxhiu e konsideroi projektligj mjaft të rëndësishëm, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e deputetëve për miratimin e tij.

Megjithatë, për shkak, siç u tha, rëndësisë së këtij projektligji, grupet parlamentare u dakorduan që diskutimet për këtë projektligj të zhvillohen nesër, me prezencën e kryeministrit Albin Kurti.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tokën bujqësore, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kimikate dhe Projektligjit për ushqim, të prezantuara nga ministri Faton Peci.

Për asnjërin prej këtyre projektligjeve, nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Kuvendi ndërpreu punimet, për të vijuar nesër në orën 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat