Avokatja Nora Huseinovic – Veliu ka njoftuar se ka anuluar paraqitjen e saj sonte në lajmet e orës 23:00 në Radio Televizionin Publik të Kosovës (RTK).
Në këtë edicion të lajmeve do të diskutohej për martesat e gjinisë së njëjtë.
Avokatja në Facebook ka shkruar se stafi i RTK-së ia ka mundësuar asaj të kyqet në emision vetë nga oborri i shtëpisë.
Shkak për këtë sipas saj RTK-ja kishte përdorur problemet “teknike”.
“Sonte isha e ftuar në RTK, lajmet e orës 23:00, për të diskutuar për Projekt-Kodin Civil dhe dispozitën kontestuese e cila i lejon martesat ndërmjet gjinive të njejta! Në momentin e fundit, u njoftova nga stafi i RTK-së se unë mund të kyçem në emision nga oborri i shtëpisë sime ose nga Sheshi, ngase prezenca ime fizike në emision është e pamundur për shkaqe ‘teknike'”, shkruan ajo.
Avokatja ka theksuar se pikërisht për këtë ka refuzuar të marrë pjesë në këtë edicion, teksa shton se RTK-ja po bënë diskriminim ndërmjet debutuesve.
“Unë e refuzova një propozim të tillë! Nuk mund të debatoj me dikë që nuk e kam përballë!
Po ashtu, ky është një diskriminim ndërmjet debatuesve, kur të parit i mundësohet komoditeti e palës tjetër as respekti minimal”, shtoi ajo.
Nora Huseinovic – Veliu ka akuzuar RTK-në se është “shërbim të atyre që po lobojnë PRO Projekt-Kodit.”
“RTK paguhet nga taksat tona! Sonte, RTK ishte në shërbim të atyre që po lobojnë PRO Projekt-Kodit, kundër shumicës absolute të qytetarëve që janë KUNDËR! Një zë i tillë isha unë sonte! Mirëpo zëri im u mbyt!”, përfundoi ajo.