(E plotësuar 17:23) - Dështon miratimi i projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar
Mazhoranca votoi kundër miratimit të tij.
Ndërsa pro u shprehën deputetët opozitarë.
Pas përfundimit të kësaj pike, Kuvendi mbylli punimet dhe u vendos që pikat e tjera të rendit të ditës të vazhdojnë në seancën e radhës.
***
Miratohet ligji për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore
Është miratuar Ligji për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, me tetë amendamentet e miratuara.
Me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë miratuar këtë ligj.
Gjatë seancës së sotme, Kuvendi ka miratuar edhe ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.
Gjithashtu, deputetët kanë ratifikuar marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave.
Të dy projektligjet që janë sjellë në Kuvend nga Qeveria, kanë gjetur mbështetjen edhe të partive opozitare.
***
Kuvendi ratifikon marrëveshjet me Shqipërinë
Kuvendi i Kosovës me 82 vota për ka miratuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.
Gjithashtu, deputetët kanë ratifikuar marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave.
Të dy projektligjet që janë sjellur në Kuvend nga Qeveria, kanë gjetur mbështetjen edhe të partive opozitare.
***
Debati parlamentar për dialogun shtyhet për nesër
Debati parlamentar lidhur me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi do të zhvillohet nesër në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Ky diskutim i paraparë për sot, me pajtimin e të gjitha grupeve parlamentare është shtyrë për shkak të mungesës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që me mocion procedural kjo pikë të zhvendoset për seancën e nesërme.
Tahiri: Në debatin për dialogun Kosovë-Serbi duhet të jetë prezent edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi
“Kemi diskutuar bashkërisht edhe me nënkryetaren e kuvendit mirëpo edhe me grupet parlamentare ka qenë kërkesë që për të zhvilluar debatin është mirë me qenë prezent edhe zëvendëskryeministri i parë zotëri Bislimi, i cili është po ashtu përgjegjës për dialog dhe jemi dakorduar ta shtymë debatin për nesër, ditën e premte në ora 11:00. Dhe kërkoj një mocion procedural që ta fusim në agjendë për nesër”, ka thënë Tahiri.
Kërkesën e Tahirit e ka përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sipas së cilëve diskutimi duhet të bëhet kur i pranishëm është kryenegociatori.
***
Opozita kundërshton zgjatjen e afatit për masat emergjente me furnizim të energjisë
Në mungesë të kuorumit, deputetët nuk kanë përkrahur mocionin procedural për të hyrë në rend të ditës zgjatja e masave emergjente me furnizim të energjisë. Opozita nuk ka përkrahur këtë mocion të propozuar nga pozita, meqë sipas tyre duhet të ketë një raport financiar gjatë kësaj kohe. Vetëm 56 deputetë kanë votuar, Kuvendi nuk ka pasur kuorum për ta përfshirë këtë pikë në rend të ditës.
Kryetarja e Komisionit për Ekonomi, Jeta Statovci ka propozuar mocionin procedural për plotësim të rendit të ditës me shqyrtimin e vendimit të Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Statovci: Komisioni propozon amendament për plotësimin e rendit të ditës
“Nën këtë arsyetim, në bazë të nenit 42 të rregullores së Kuvendit, komisioni mund t’i propozojë me shkrim kryetarit të Kuvendit një amendament për rendin e ditës për mbledhjen plenare të Kuvendit, duke pasur parasysh faktin se propozimi për plotësimin e rendit të ditës për mbledhjen plenare të kuvendit konsiderohet çështje e ngutshme, për shkak të rëndësisë së miratimit të këtij vendimi, komisioni propozon amendament për plotësimin e rendit të ditës së mbledhjes plenare të Kuvendit të datës 24.02.2022”, ka propozuar ajo.
Me këtë është pajtuar deputeti Armend Muja në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala tha se është e çuditshme të sillet me procedurë jo të rregullt dhe të kërkohet një mocion procedural pa e pasur raportin financiar të buxhetit të Kosovës gjatë kësaj kohe.
Shala: Do të duhej të kishim një raport financiar
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk e mbështetë këtë mocion procedural për arsyet si në vijim: sot ne do të duhej ta kishim një raport para se të kishim një kërkesë për atë që kaluam bashkë këta dy muaj, ne i dhamë mundësi që Qeveria të shpallë gjendjen emergjente. Duhet të kishte një raport nga Ministria dhe Qeveria se çka bëri me fazën që kaloi emergjente në vend, çka bëri saktë, çka punoi saktë, sa shpenzoi saktë për dy muaj të fazës emergjente në sektorin e energjisë”, ka thënë Shala.
Me këtë nuk është pajtuar as deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Bunjaku-Rexhepi: Grupi Parlamentar nuk e përkrah këto masa emergjente
“Ne para dite u thirrem në mbledhje të jashtëzakonshme për të sjell në kuvend zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji. Grupi Parlamentar nuk e përkrah këto masa emergjente. Nuk pajtohet me tarifat e reja që janë të pa përballueshme për qytetarët dhe nuk pajtohet me mënyrën e diskriminimit të subvencionimit nga ana e qeverisë. Propozimet e tona si LDK në dy debate i kemi sjellë në Kuvend dhe kemi propozuar rezoluta. Mazhoranca nuk i ka votuar, ne jemi kundër dhe si duket kjo qeveri në të gjithë sektorët po vonohet dhe është vonuar në këtë kërkesë”, ka deklaruar ajo.
Deputeti i AAK-së, Palë Lekaj tha se kanë një raport të mangët.
Lekaj: Nuk jemi në gjendje që të përkrahim një mocion procedural
“Të bihet brenda tri orëve një vendim I tillë për shtyrjen të afatit dhe të kërkohet një mocion procedural është e papranueshëm. Neve na duhet kohë dhe ministrja të na bind që me të vërtetë është e nevojshme. Sepse edhe në Komisionin për Ekonomi e kam potencuar sepse është raport i mangët dhe pa hyrë në specifika, mendoj që ne sot nuk jemi në gjendje që të përkrahim një mocion procedural”, tha ai.
Qeveria e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim për zgjatjen e afatit prej 30 ditësh për masat emergjente në furnizim me energji.
***
Kusari-Lila: Kërkojmë nga bizneset që të mos ketë rritje të çmimeve
Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së ka bërë thirrje për solidaritet pas sulmit të Rusisë ndaj shtetit të Ukrainës. Sipas saj, mëngjesin e sotëm është sulmuar bota e lirë nga një lider rus, i cili nuk respekton të drejtat e njeriut dhe të popujve.
Gjatë seancës, në deklarimet jashtë rendit të ditës, shefja e GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje tha se sulmi ndaj Ukrainës nuk është vetëm ndaj një shteti që është larg nesh.
Kusari-Lila: Po bëjmë thirrje solidariteti në emër të të gjithë deputetëve
“Sot nga Kuvendi i Kosovës po bëjmë thirrje solidariteti në emër të të gjithë deputetëve pa dallim, për shtetin dhe popullin e Ukrainës të cilët po ballafaqohen me një agresion të pa precedent, të paktën në shekullin 21. Sot në këtë thirrje po lëm anash ndasitë përballë këtij sulmi ndaj një shteti dhe populli paqësor. Ngjarjet që po ndodhin në të gjitha qytetet e Ukrainës nuk janë vetëm sulme ndaj një shteti që është larg nesh. Në Ukrainë është sulmuar bota jonë e lirë nga një lider rus, që kurrë nuk respektoi as të drejtat e njeriut, as të drejtat e popujve”, ka thënë ajo.
Përveç vazhdimit të shpalljes së gjendjes emergjente të furnizimit me energji elektrike, Kusari-Lila ka kërkuar nga bizneset që të mos ketë rritje të çmimeve.
Kusari-Lila: Kërkojmë nga bizneset që të mos ketë rritje të çmimeve
“Kërkojmë nga bizneset që në frymën e solidaritetit dhe përgjegjësisë që e kanë edhe ato të gjitha, të jenë të vëmendshme në kuadër të një përgjegjësie në mbajtjen e kostos së prodhimit ashtu siç është, për arsyeje se qeveria ka marrë përsipër që të mbajë koston e menaxhuar. Ndërsa, gjithashtu duhet për së afërmi të gjithë mekanizmat institucional të përcjellim që të mos kemi rritje të çmimeve. Ajo çfarë po ndodhë është përgjegjësi e përbashkët që të kalojmë në një rrethanë, kuvendi dhe populli ynë do të mund të jenë bashkë për një zhvillim të qëndrueshëm”, ka shtuar ajo.
Në orët e hershme të mëngjesit, Rusia ka filluar sulmet ushtarake në shtetin e Ukrainës.
Berisha: Situata në Ukrainë duhet të na vetëdijesojë drejt forcimit të institucioneve të sigurisë
Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të dërgojë në Kuvend ligjin për fondin për mbrojtjen e Kosovës dhe të hartojë strategjinë nacionale të sigurisë. Duke folur për zhvillimet në Ukrainë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se situata atje duhet të vetëdijesojë Kuvendin drejt forcimit të institucioneve të sigurisë.
Në seancën e kuvendit të Kosovës, Berisha ka dënuar sulmin ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Berisha: Të përshpejtohet strategjia nacionale e sigurisë në Kosovë
“Kërkoj nga qeveria e Kosovës që menjëherë të bjerë në parlament ligjin fondin për ushtrinë, do të thotë ligjin për fondin për mbrojtjen e Kosovës si dhe të përshpejtohet dhe të bëhet strategjia nacionale e sigurisë”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se bota demokratike duhet të reagojë fuqishëm para se të ndodh katastrofa humanitare në Ukrainë.
Berisha: Situata në Ukrainë duhet të na vetdijësojë drejt forcimit të institucioneve të sigurisë
“Bota demokratike në krye me ShBA dhe të reagojë fuqishëm para se të ndodh katastrofa humanitare. Ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës për më shumë ky akt duhet të na vetdijësojë neve si Kuvend e deputetë për të forcuar dhe mbështetur institucionet tona të sigurisë. Nuk ka shtet pa ushtri sikurse nuk ka ekonomi dhe prosperitet pa siguri”, ka thënë deputeti i AAK-së.
Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës ku mëngjesin e sotëm kanë nisur sulmet ushtarake në disa qytete.
***
Votimi i projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është shtyrë për një afat të pacaktuar, deri në përgjigjen nga Komisioni i Venedikut. Pas kërkesave të opozitës kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se do t’i drejtohet për opinion këtij komisioni.
Me 79 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë votuar për pezullimin e afateve të parapara me rregulloren e kuvendit lidhur me këtë projektligj, deri në një njoftim të radhës.
Bogujevci: Votimi për projektligjin për Byronë Shtetërore do të ndodh pas kthimit të përgjigjes nga Komisioni i Venedikut
“Në linjë të zotimit të kryetarit votimi në parim për këtë projektligj do të ndodh pas kthimit të përgjigjes ose opinionit nga komisioni i Venedikut”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Seanca e re e Kuvendit të Kosovës do të fillojë në orën 14:15 ku në rend dite, ndër të tjera, është edhe debati parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi si dhe shqyrtimi i parë i projekt-kodit Civil të Republikës së Kosovës.
Haxhiu: Nuk do të ketë kërkesë për konfiskim të pasurisë nëse një zyrtar arrin të dëshmojë se e ka krijuar atë në mënyrë të ligjshme
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është përgjigjur në pyetjet e deputetëve rreth projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ajo ka thënë se pala ka të drejtën e justifikimi të pasurisë pranë institucionet dhe ka të drejtë të luftojë deri në Gjykatën Kushtetuese nëse konsideron që është marrë një vendim jo i drejtë.
Haxhiu, duke theksuar rëndësinë e këtij projektligji ka thënë se në Kosovë që nga paslufta ka zyrtarë të cilët janë bërë milionerë duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
Haxhiu: Pala ka të drejtën e justifikimit të pasurisë
“Sa i përket çështjes së të drejtës për ankimim, pala ka të drejtën e justifikimit të pasurisë pra pranë institucionit, mirëpo nëse gjykata vlerëson që pasuria është e pajustifikueshme dhe me vendim e konfiskon, ajo e ka të drejtën deri në shkallën e tretë, madje deri në Gjykatën Kushtetuese që të luftojë mbi të drejtat nëse konsideron që është marrë një vendim jo i drejtë”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa lidhur me periudhën kohore që është përcaktuar të jetë nga shkurti i vitit 2008, Haxhiu ka thënë se kjo është vendosur meqë para këtij viti nuk ka ekzistuar një sistem i konsoliduar financiar.
Haxhiu: Para vitit 2008 nuk ka ekzistuar një sistem i konsoliduar financiar dhe bankar
“Pse është vendosur fushë veprimi kohor nga 17 shkurti 2008, data 17 shkurt 2008 është përcaktuar për arsye konkrete praktike që kanë të bëjnë me dy aspekte kryesore, së pari përpara vitit 2008 nuk ka ekzistuar një sistem i konsoliduar financiar dhe bankar, besoj që këtu pajtohemi të gjithë, si rrjedhojë jo formaliteti në transaksione të pasurisë ka qenë shumë fish më i lartë, në rrethana të tilla subjekti në procedurë do të vihej në pozitë gati të pamundur që të prezantojë dokumentin që do të justifikonin prejardhjen e pasurisë dhe aspekti i dytë është edhe për shkak të remitencave që kanë ardhur nga mërgata jonë dhe të cialt jo gjithmonë mund të jenë të justifikueshme nga një zyrtar”, ka thënë ajo.
Ajo ka sqaruar pse është e vendosur kufiri nga 25 mijë euro.
Haxhiu: Nëse vlera e pasurisë është me e madhe se 25 mijë euro ekzistojnë të drejtat e institucionit për të kërkuar llogari
“Prandaj edhe kemi vendosur kufirin 25 mijë sepse nëse vlera është më e madhe se 25 mijë atëherë ekzistojnë të drejtat e institucioni për të kërkuar llogari mbi pasurinë. Dhe keni parasysh. Ky projektligj nuk ka për qëllim që domosdo si të është shpërputhja e 25 mijë menjëherë të nisë procedurat e konfiskimit të asaj pasurie pranë gjykatës, jo, në momentin kur një zyrtar arrin të dëshmojë pranë institucionit që të ardhurat e tij, pasuria që ka krijuar është në përputhje me punën e tij të ligjshme atëherë në asnjë rrethanë nuk do të bëhet kërkesë në gjykatë për konfiskim të pasurisë. Keni parasysh që në Republikën e Kosovës që nga paslufta kemi zyrtar të cilët duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare sot janë bërë milionerë,”, ka thënë Haxhiu.
Në seancë plenare, Kuvendi i Kosovës po shqyrton projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Pas kërkesave të partive opozitare, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se do të dërgojë këtë projektligj për opinion në Komisionin e Venedikut.
Kurti: Byroja nuk ka mandat të merret me pasurinë e diasporës
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Byroja Shtetërore nuk do të merret me pasurinë e diasporës. Megjithatë, ai nuk ka përjashtuar rastet kur verifikimi i pasurisë për zyrtarin në Kosovë mund ta dërgojë byronë në vende të tjera. Po ashtu, ai deklaroi se ky autoritet nuk do të përndjek kundërshtarët politik.
Në seancën ku po shqyrtohet projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti tha se byroja i merr të dhënat nëpërmjet bashkëpunimit të saj me agjenci shtetërore.
Kurti: Byroja nuk ka mandat të merret me pasurinë e diasporës
“Byroja nuk ka mandat të merret me pasurinë e diasporës, pasi që nuk janë zyrtarë publikë dhe nuk janë kategori ligjore. Me diasporën mund të ketë raste të rralla dhe vetëm atëherë kur pasuria e zyrtarit nga Kosova dihet se është trasnferuar nga ndonjë shtet tjetër tek një i afërm në diasporë. Verifikimi i pasurisë për zyrtarin mund ta dërgojë byronë në vende dhe shtetet tjera dhe mund të nevojitet bashkëpunimi me këto vende, për verifikim të pasurisë të individëve që potencialisht kanë marrë apo pranuar pasuri nga pala për të fshehur gjurmët e pasurimit të pajustifikueshëm”, ka deklaruar Kurti.
Më tej, ai ka shtuar se konfiskimi i pasurisë do të bëhet vetëm nga gjykatat, e jo nga Byroja Shtetërore.
Kurti: Byroja kurrë nuk do të jetë një agjenci që ndjek dhe përndjek kundërshtarët politik
“Byroja kurrë nuk do të jetë një agjenci që ndjek dhe përndjek kundërshtarët politikë. Projektligji në mënyrë shumë të qartë ka paraparë afatet për byronë se si dhe kur duhet të veprojë. Mos veprimi i saj nënkupton heqje dorë nga verifikimi i pasurisë pas kalimit të një afati. Pala në çdo kohë gjatë gjithë procedurës të verifikimit mund të dëshmojë se pasuria e fituar është e ligjshme përmes provave që i posedon. Edhe në rastet kur pala refuzon të bashkëpunojë me byronë dhe për pasurinë e palës është gjetur shpërputhje në mes të të hyrave dhe pasurisë, prapë pala ka të drejtë që para gjykatës të dëshmojë të kundërtën e asaj që pretendon byroja. Normalisht, sa herë që byroja e sheh se nuk ka shpërputhje në mes të hyrave të pasurisë nuk e vazhdon verifikimin, por e mbyll rastin”, ka shtuar Kurti.
Kurti shtoi se pasuria do të verifikohet për të gjithë zyrtarët shtetërorë në Kosovë, të ekspozuarve politik dhe familjarëve.
Pas komenteve të opozitës për periudhën prej kur do të fillojnë hetimet për zyrtarët publik, Kurti tha se kjo është përcaktuar për siguri më të madhe.
Kurti: Janë marrë parasysh afatet kohore të cilat lidhen me rendin juridik dhe konsolidimin e shtetit
“Për të pasur mundësi zbatimin efikas të projektligjit, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut janë marrë parasysh afatet kohore të cilat lidhen drejtpërdrejt me rendin juridik, konsolidimin e shtetit dhe kohën kur qarkullimi i aseteve me vlerë më të madhe është obliguar të bëhet me transaksione bankare. Pra, siguria është më e madhe, pikërisht këtu ne kemi një qasje konservatore për hir të sigurisë së procesit dhe të procedurave. Kjo nuk do të thotë që amnistojmë krime të bëra para vitit 2008. Asnjë amnistim të asnjë krimi. Por siguria është më e madhe prej se e kemi shpallur pavarësinë”, ka deklaruar ai.
Në seancë po vazhdon shqyrtimi për herë të parë projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
**
Opozita ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që Projektligji për Byronë Shtetërore të dërgohet në Komisionin e Venecias. Sipas tyre, pushteti po synon të themelojë një autoritet politik që qëllim ka për të “qëruar hesapet politike në Kosovë”. Veç tjerash, partitë opozitare kanë deklaruar se projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme cenon Kushtetutën e Kosovës.
Gjatë shqyrtimit të parë të këtij projektligji nga organi më i lartë legjislativ, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, i cili ka folur edhe në emër të Lëvizjes Vetëvendosje u ka rekomanduar deputetëve miratimin në parim të këtij projektligji.
Sipas tij, me miratimin e këtij ligji do të merr fund tendenca për ta shfrytëzuar postin zyrtar dhe për tu pasuruar kundërligjshëm.
Rrustemi: Projektligji ka për qëllim të verifikojë hendekun mes pasurisë dhe të hyrave të ligjshme
“(Porjektligji) Ka për qëllim të verifikojë hendekun në mes të pasurisë dhe të hyrave të ligjshme të zyrtarëve publik, personave të ekspozuar politikisht dhe familjarëve të tyre si dhe konfiskimin e pasurisë që nuk mund të justifikohet. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme kur ke parasysh politikat e buta ndëshkuese ndaj veprave penale dhe korrupsionit. Po e theksoj nga rastet e veprave penale të korrupsionit, 70 përqind të rasteve dënohen me gjobë ose me kusht, ndërkaq vetëm 15 përqind prej tyre me burg efektiv e një pjesë e madhe parashkruhen. Në aspektin shoqëror, ky projektligj synon t’i përgjigjet një fenomeni që ka gërryer pasurinë publike përmes keqpërdorimit të detyrës zyrtare për një kohë të gjatë”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka kërkuar konsensusin e pozitës dhe opozitës për miratimin e këtij projektligji. Rrustemi tha se themelimi i byrosë nënkupton kthimin e integritetit profesional, kthimin e vlerës së posteve shtetërore ku në fokus janë përkushtimi e përgjegjësia, e jo abuzimi.
Rrustemi: Procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë do të përfshijë pasurinë e zyrtarëve nga viti 2008
“Sipas projektligjit procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë, do të përfshijë pasurinë e zyrtarëve nga data 17 shkurt 2008, si dhe do të vlejë edhe 10 vjet pasi personi zyrtar të pushojë së ushtruari funksionin e tij”, ka shtuar ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u shpreh i gatshëm që për të dhe partinë që drejton, të fillojnë hetimet për verifikim të pasurisë.
Abdixhiku: Ofroj veten vullnetar për verifikim të pasurisë
“Më lejoni që sot këtu, unë fillimisht si kryetar i LDK-së të ofroj vetën vullnetar për verifikim të pasurisë e bashkë me mua edhe i gjithë GP i LDK-së. I gjithë grupi dhe unë e çdo zyrtar ofrohemi vullnetar që ky verifikim të nis nga ne. Dhe shpresoj që i njëjti shembull të ndiqet nga pushteti dhe grupet parlamentare të tjera”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka pasur vërejtje për projektligjin që u është dorëzuar deputetëve.
Abixhiku nuk është pajtuar që ky autoritet të udhëhiqet vetëm nga një drejtor, meqë kompetenca të tilla nuk parasheh as Kushtetuta e vendit. Për këtë ka kërkuar që të dërgohet për komente edhe në Komisionin e Venecias.
Abdixhiku: Kjo bëhet mjet potencial i qërimeve të hesapeve
“Një njeri që zgjidhet nga shumica politike, nuk ka si të mos jetë politik. E kur është politik, nuk ka si të mos jetë i cenueshëm dhe pavarësia e tij të jetë e cenueshme. Kjo varësi në një temë kaq të rëndësishme, sikurse drejtësia, bëhet mjet potencial i persekutimit politik, bëhet mjet potencial i qërimeve të hesapeve brenda spektrit politik në Kosovë. Ai bëhet edhe më i rrezikshëm kur një qeveri ka qëllime jo të mira. As ky kryeministër sot, as dikush nesër, nuk duhet të ketë një fuqi të tillë. Në një vend demokratik nuk duhet tu lejojë partive në pushtet përcaktimin e drejtësisë me kaq shumë masë e të koncentruar në vetëm një njeri. Kjo byro sipas mendimit tonë në formën që është paraqitur tani në ligj, as është e pavarur as nuk synon të jetë e pavarur. Në këtë pikë ne kërkojmë një gjë, që ky ligj të dërgohet në Komisionin e Venecias”, ka deklaruar Abdixhiku.
Më tej, ai tha se projektligji ka përplasje me Kushtetutën e Kosovës. Si i tillë, ai deklaroi se do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.
Të njëjtën gjë e ka potencuar edhe shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri. Sipas tij, ky projektligj cenon tetë nga nenet e Kushtetutës së Kosovës.
Tahiri: Cenohet kapitulli i dytë i Kushtetutës
“E para, cenohet kapitulli i dytë i Kushtetutës, mbrojtja e pronës dhe e drejta në pronë, si një prej të drejtave fundamentale. Kjo për shkak se Byro shtrinë kompetencat e veta deri në nivelin e cenimit arbitrar të pronës përmes propozimit të masave të përkohshme dhe pamundësimit të qasjes së qytetarëve në pronat e tyre. E dyta, cenohet neni 3 dhe 24 i Kushtetutës, apo pabarazia para ligjit. Kjo për shkak se fushëveprimi i Byrosë përfshin subjekte që nuk janë në procedura penale. Ndërsa, liron nga fushëveprimi persona që janë në procedurë penale. Pra, amniston kriminelë të cilët nuk janë subjekt i procedurës penale”, ka deklaruar ai.
Ai nuk është pajtuar as me përcaktimin e periudhës për hetimin e pasurisë prej vitit 2008, meqë tha se një gjë e tillë duhet të bëhet prej nga paslufta.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se kjo bie ndesh me kushtetutën.
Tahiri: Ka kundërshtime serioze me praktikat bashkëkohore të ligjbërjes
“Ka kundërshtime serioze me praktikat bashkëkohore të ligjbërjes dhe shkel parimet universale në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dhe në të njëjtën kohë bien ndesh me hetimin dhe detyrat që kanë institucionet tjera në shtet, duke përfshirë institucionin e prokurorisë dhe gjykatat. Si propozues, Qeveria e Kosovës përmes këtij projektligji ka tentuar që të njëjtën ta zbatoj në mënyrë retroaktive dhe atë duke u kthyer 14 vjet prapa, që nga viti 2008. Pyetja fundamentale është, a kemi pasur ne qeveri prej 2001, kur kanë qenë zgjedhjet? A kemi pasur menaxhim prej asaj kohe, a kemi pasur privatizim prej asaj kohe, a kemi pasur tenderë prej asaj kohe? A kemi pasur kryeministra, e kryetar parlamenti a presidentë prej asaj kohe? Do të thotë ata nuk paskan qenë zyrtar publik, po zyrtarët publik po niskan prej vitit 2008. Në aspektin retroaktiv bie ndesh me kushtetutën dhe fatkeqësisht do të rrëzohet, do të jetë problem që të bëhet kjo”, u shpreh Tahiri.
Tahiri tha se do e votojnë në parim projektligjin, por me kërkesë që të dërgohet në Komisionin e Venecias.
Kurti: Në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria
Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se për më shumë se dy dekada në Kosovë ka sunduar paligjshmëria. Sipas tij, zbrastësirat ligjore dhe jo efikasiteti i organeve të drejtësisë e kanë lënë mundësinë për rritje të kriminalitetit dhe kanë krijuar kulturë të pandëshkueshme risë.
Kurti, derisa ka folur për projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se kjo byro do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.
Kurti: Në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria
“Ka vite që kemi theksuar jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë ka qenë i lartë dhe i koncentruar të zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo vetëm, se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave, shpërdorimit dhe ikjes nga drejtësia. Në Kosovë për më shumë se dy dekada, në masë të madhe, ka sunduar paligjshmëria. Herë zbrastësirat ligjore e herë jo efikasiteti i organeve të drejtësisë kanë lënë mundësi për rritje të kriminalitetit dhe kanë krijuar kulturë të pandëshkueshmërisë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se ky projektligj do t’i largojë pengesat për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.
Kurti: Ata të cilët kanë pasur qasje në buxheti ne shtetit janë pasuruar duke keqpërdorur taksën e qytetarëve
“Rrjedhimit ata të cilët kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit janë pasuruar duke keqpërdorur taksën e qytetarëve. Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimi ne pasurisë së pajustifikueshme do t’i heq pengesat për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Kjo byro do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme”, ka thënë kryeministri.
Kurti ka thënë se përmes këtij projektligji në Kosovë më nuk do të dominojë parulla ‘rroga e vogël, fitimi i madh’.
Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për këtë projektligj, kryeministri Kurti ka thënë se i njëjti është hartuar në bashkëpunim me ekspertë duke përfshirë edhe gjykatës e prokurorë.
Ai ka shtuar se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata.
Kurti flet për luftën në Ukrainë: Sot është ditë tragjike për Evropën dhe jo vetëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për paqe, siguri dhe mbrojtje të demokracisë.
Duke dënuar sulmet e Rusisë në shtetin e Ukrainës, Kurti ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, të mbajtur mbrëmjen e së mërkurës, kanë diskutuar për verimet që duhet t’i ndërmarrin me qëllim që orientimi evropian i Kosovës dhe të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.
Kurti: Të brengosur me ndikimin që mund të ketë kjo luftë e re, kemi mbajtur një mbledhje të Këshillit të Sigurimit
“Duke qenë të brengosur me ndikimin që mund të ketë kjo luftë e re, shumë e madhe, me pasojat tashëm tragjike, edhe në rajonin tonë e posaçërisht në Republikën e Kosovës, mbrëmë kemi mbajtur edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë ku me disa prej ministrave dhe me drejtues të institucioneve tona të sigurisë kemi vlerësuar analizuar, dhe diskutuar për situatën aktuale dhe për masat që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që orientimi ynë evropian dhe euroatlantik të jetë në nivelin, në cilësinë, në intensitetin më të lartë të mundshëm”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Kurti ka thënë se dita e sotme është tragjike për Evropën.
Kurti: Sot është ditë tragjike për Evropën
“Sot është një ditë tronditëse dhe tragjike për Evropën dhe jo vetëm, meqenëse sot i gjithë kontinenti ynë por edhe më gjerë janë zgjuar me lajmin e trishtë të invazionit rus në Ukrainë që paraqet agresionin më të madh ushtarak që pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore. Qeveria e Republikës së Kosovës është e bashkërenduar dhe duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë që të jemi bashkë për paqe, siguri, për mbrojtje të demokracisë dhe të lirisë”, ka thënë Kurti.
Në orët e hershme të mëngjesit, Rusia ka filluar sulmet ushtarake në shtetin e Ukrainës.
***
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti e mbështet Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ai madje se tha janë vullnetar që ky Projektligj të nisë nga deputetët.
Abdixhiku tha se deri më tani krimi ka qenë i lirë, teksa tani siç tha ai duhet të jetë i kushtueshëm.
“Këtë fjalë po e nisu duke i dhënë mbështetje konceptit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ky koncept ka qenë pjesë e programit të LDK-së. Ne shprehim vullnet që ky Projektligj të nisë së pari te deputetët. Krimi ka qenë i lirë e tash duhet të jetë i kushtueshëm “, ka deklaroi ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Kryetrari i LDK-së pati kritika lidhur me krijimin e strukturës organizative të Byrosë Shtetërore.
Për këtë ai paralajmëroi se do të japin edhe vërejtje teksa i ika kërkuar Qeverisë që të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias.
“Byroja sipas Projektligjit udhëhiqet nga një drejtor, e ky drejtor ka kompetenca më shumë sesa i gjithë sistemi i drejtësisë. Kjo Byro si është paraqitur në projektligj nuk është e pavarur. Askush nuk duhet ta gëzojë një fuqi të tillë. Ne do t’i japim vërejtjet tona, por do ta mbështesim. Ejani ta bëjmë një ligj të vërtetë, por në fillim kërkoni opinionin e Komisionit të Venecias”, tha Abdixhiku
***
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se deputetët e dënojnë ashpër agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.
Në hapje të seancës, Konjufca ka thënë se Kuvendi dhe populli i Kosovës qëndrojnë përkrah popullit ukrainas në këto kohë të vështira.
Konjufca: Kuvendi i Kosovës e dënon ashpër agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës
“Në emër të deputetëve, Kuvendi i Republikës së Kosovës zyrtarisht e dënon ashpër ndërhyrjen, agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Kuvendi i Kosovës dhe populli i Republikës sonë qëndron përkrah popullit ukrainas dhe solidarizohemi me ta në këto kohë të vështira”, ka thënë Konjufca.
Në orët e hershme të mëngjesit Rusia ka nisur sulmet ushtarake në Ukrainë.
Byroja, dialogu dhe Kodi i ri Civil, pikat që pritet të “ndezin” debate në Kuvend
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për ditën e tretë radhazi në seancë plenare. Byroja Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, debat parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe shqyrtimi i parë i Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës pritët të jenë pikat e përplasjes së madhe mes mazhorancës dhe opozitës.
Prej orës 10:00, të zgjedhurit e popullit do të shqyrtojnë Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Gjatë ditës së djeshme, këtë projektligj, para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo e konsideroi projektligj mjaft të rëndësishëm, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e deputetëve për miratimin e tij.
Megjithatë, për shkak, siç u tha, rëndësisë së këtij projektligji, grupet parlamentare u dakorduan që diskutimet për këtë projektligj të zhvillohen sot, me prezencën e kryeministrit Albin Kurti.
Menjëherë pas shqyrtimit të kësaj pike, deputetët do të nisin seancë të re me pikat e zakonshme siç janë deklarimet jashtë rendit të ditë dhe pyetjet parlamentare.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë dy marrëveshjet me Shqipërinë, atë për sigurime shoqërore si dhe atë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.
Më pas, do t’i lihet radha debatit parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi.
Edhe shqyrtimi i parë i Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës pritet të ngjallë debat, duke qenë i kundërshtuar nga komunitetet fetare në vend si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka dal hapur se do ta votojë kundër, siç kanë paralajmëruar votë kundër edhe deputetë brenda pozitës dhe partive të tjera parlamentare.
Pika të tjera që pritet te shqyrtojnë deputetët janë edhe: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. nr.08/L-011 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-005 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës; Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë; si dhe; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.