Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se Kosova dënon ashpër agresionin rus mbi Ukrainën.
Në një postim në Facebook, Konjufca ka thënë se, Republika e Kosovës, solidarizohet me Ukrainën dhe me popullin e saj.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Rusia ka nisur sulmin masiv ushtarak me synim të pushtimit të Ukrainës.
E dënojmë ashpër agresionin e Rusisë mbi shtetin sovran të Ukrainës.
Në këto momente sfiduese për paqen globale dhe të drejtën ndërkombëtare, sikur e gjithë bota demokratike, edhe Republika e Kosovës solidarizohet me Ukrainën, me popullin dhe udhëheqjen ukrainase”, ka thënë ai.
Kujtojmë se, Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të enjten fillimin e "një operacioni special ushtarak" në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës, duke pretenduar se “synon të mbrojë civilët”.
Në një fjalim televiziv herët në mëngjes me orën e Moskës, zoti Putin tha se ky “veprimi vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve që vijnë nga Ukraina”.