Gjenerali shqiptar Ramadan Qehaja konsideron se agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, që tashmë ka marr përmasa të shkallës së gjerë, nuk ka implikime direkte të sigurisë në Kosovë, por implikime të tërthorta.
Qehaja në një postim në Facebook ka shkruar se, me përshkallëzimin e situatës në Ukrainë, Serbia do të detyrohet që të përcaktohet se ku e mban anën, vendim ky jo i lehtë i tyre.
Sipas tij, shteti serb do të do të synoj që të shfrytëzoj ''mësymjen'' ruse në Ukrainë për të bërë lëvizje të forcave në veri të Kosovës.
“Si mund të bëhet kjo? Serbia do të mund të tentoj përdorimin e forcave për një ''blic-krig'' ushtarak deri në lumin Ibër duke krijuar një situatë faktike të re në terren, duke shfrytëzuar fokusin ekzistues perëndimor në Ukrainë dhe duke krijuar një rrethanë favorizuese në bisedimet e ardhshme, kuptohet në funksion të ndarjes së Kosovës”, shkruan Qehaja në Facebook.
Postimi i plotë:
Koment lidhur me agresionin e Federatës Ruse në Ukrainë
Agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, që tashmë ka marr përmasa të shkallës së gjerë, nuk ka implikime direkte të sigurisë në Kosovë. Por, gjithsesi se implikimet janë të tërthorta për shumë arsye.
Ne në vazhdimësi jemi duke u ballafaquar me ndikimin rus përmes partnerit të saj strategjik – Serbisë. Me përshkallëzimin e situatës në Ukrainë, Serbia do të detyrohet që të përcaktohet se ku e mban anën, vendim ky jo i lehtë i tyre. Megjithatë, Serbia do të synoj që të shfrytëzoj ''mësymjen'' ruse në Ukrainë për të bërë lëvizje të forcave në veri të Kosovës sipas metodologjisë dhe qasjes tani më të aplikuar nga Federata Ruse në rajonet ukrainase Luhansk dhe Donjetsk.
Si mund të bëhet kjo? Serbia do të mund të tentoj përdorimin e forcave për një ''blic-krig'' ushtarak deri në lumin Ibër duke krijuar një situatë faktike të re në terren, duke shfrytëzuar fokusin ekzistues perëndimor në Ukrainë dhe duke krijuar një rrethanë favorizuese në bisedimet e ardhshme, kuptohet në funksion të ndarjes së Kosovës.
Sigurisht se ne duhet të dalim nga zona e komfortit dhe të mendojmë se të tjerët do të na mbrojnë dhe përkrahin me çdo kusht. Kujtoj se përveç përforcimit të mbrojtjes së kufirit në pjesën veriore dhe pjesët tjera përgjatë vijës së shtrirjes së kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ndërmarr dhe masa tjera. Paralelisht duhet të punohet me praninën ushtarake të KFOR duke shtuar komunikimin dhe ndër-veprimin në funksion të ruajtes së integritetit dhe sovranitetit të vendit. Krahas saj lypset vënia në gatishmëri më të lartë veprimi të njësiteve të policisë duke nënkuptuar edhe pjesën rezervë të saj. Njësitet e FSK-së të përcjellin situatë, të studiojnë terrenin dhe të jenë në gatishmëri veprimi për mbrojtje. Njëkohësisht të shtohen masat dhe veprimet e shërbimit tonë inteligjent dhe të ndërmerren masat e gatishmërisë emergjente në tërë territorin e vendit tonë e në veçanti në veri etj.
Kuptohet që në aspektin diplomatik Kosova duhet të mobilizohet dhe të krijojë avantazh strategjik tashmë kur pas një kohë të gjatë perëndimi (BE dhe NATO) duket se është duke folur me një zë të vetëm në funksion të mbrojtjes së vlerave demokratike e liberale, bazë e së cilës ishin edhe krijimi i shtetit të Kosovës.