Votimi i projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është shtyrë për një afat të pacaktuar, deri në përgjigjen nga Komisioni i Venedikut. Pas kërkesave të opozitës kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se do t’i drejtohet për opinion këtij komisioni.
Me 79 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë votuar për pezullimin e afateve të parapara me rregulloren e kuvendit lidhur me këtë projektligj, deri në një njoftim të radhës.
Bogujevci: Votimi për projektligjin për Byronë Shtetërore do të ndodh pas kthimit të përgjigjes nga Komisioni i Venedikut
“Në linjë të zotimit të kryetarit votimi në parim për këtë projektligj do të ndodh pas kthimit të përgjigjes ose opinionit nga komisioni i Venedikut”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Seanca e re e Kuvendit të Kosovës do të fillojë në orën 14:15 ku në rend dite, ndër të tjera, është edhe debati parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi si dhe shqyrtimi i parë i projekt-kodit Civil të Republikës së Kosovës.