Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me pushtimin e Ukrainës nga ana e Rusisë.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se rreshtimi ynë shtetëror, tashmë tradicional me aleatët perëndimorë, në dënim të agresionit rus e në mbështetje të popullit ukrainas, është i natyrshëm, i drejtë dhe i paalternativë.
“Kosova njeh mirë rëndesën e terrorit e pushtimit. Njeh mirë dhe mohimin e lirisë e luftën e agresorit.
Prandaj rreshtimi ynë shtetëror, tashmë tradicional me aleatët perëndimorë, në dënim të agresionit rus e në mbështetje të popullit ukrainas, është i natyrshëm, i drejtë dhe i paalternativë. Mbi të gjitha është shenjë e qartë e vlerave demokratike e euroatlantike, që Republika e Kosovës i kultivon me bindje”, ka thënë ai.
Ai ka potencuar se, ky moment duhet të jetë dritare reflektimi për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Ngjarjet e tilla nuk i ndikojmë, por ato na ndikojnë. Ky moment i ri, i rikujtimit të orëve të rënda të luftës në Evropë, duhet të jetë dritare reflektimi për komunitetin ndërkombëtar - për forcim aleancash mes popujve që ndajnë vlera të përbashkëta e synime të qarta përpara. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në NATO - sa më parë - është domosdoshmëri e kohës sonë”, ka përfunduar Abdixhiku.