​Kurti lut opozitën që të mos flas për njohjen reciproke në epilog të procesit

Aktuale

​Kurti lut opozitën që të mos flas për njohjen reciproke në epilog të procesit

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 13:59
Albin Kurti

Në debatin parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar ndihmën e opozitës, duke ju rekomanduar që të mos flasin për njohjen e ndërsjellë me të cilën përfundon procesi. Me këto deklarime, ai tha se i dëmtohet pozicioni negociator.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se gati një vit Kosova është pa asnjë kompromis me Serbinë. Sipas tij, viti i kaluar kishin rritje ekonomike, luftim të krimit dhe korrupsionit, menaxhim të pandemisë përkundër problemit me Serbinë.

Kurti: Një mënyrë që të më ndihmoni është që të mos flisni për njohjen e ndërsjellët me të cilën përfundon procesi

Një mënyrë shumë e qartë që të më ndihmoni është që të mos flisni për njohjen e ndërsjellët me të cilën përfundon procesi, siç e tha njëri prej kryetarëve të partive opozitare apo siç e ka thënë tjetri ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme e cila ka epilog njohjen reciproke. Kjo është shumë gabim. Ju ma dëmtoni mua pozicionin negociator me këso konstatimesh. Që prej viti të kaluar, ka ndodhur një zhvendosje tektonike, në kuptimin diplomatik, në raportin tonë me Serbinë në bisedimet me Brukselin”, tha ai.

Më tej, ai shtoi se prej kur kanë filluar vet procesin e dialogut, është bërë ndryshimi dhe në qendër është dialogu.

Kurti: Njohja reciproke është në qendër, jo në fund

Njohja reciproke është në qendër, jo në fund. Jo të përmbyllet procesi ose epilogu-njohja reciproke. Njohja reciproke është në qendër. Sepse ka ndodhur zhvendosja prej kohës në hapësirë. Kjo është e para, tejet e rëndësishme është”, ka shtuar Kurti.

Për këtë, madje ai kërkoi që të mos flasin fare.

Kurti: Nganjëherë mund të ndihmoni edhe duke mos folur

Jo në fund, jo në epilog siç keni shkruar deputeti Haradinaj, pas takimit me Lajçakun dhe Escobarin. Shumë gabim keni bërë, jo në fund po në qendër. Ju lutem, kurrë mos thoni më në epilog, se nganjëherë mund të ndihmoni edhe duke mos folur”, deklaroi ai.

Në debatin parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se dialogu është për raportin me Serbinë, jo për Kosovën.

Kurti: Gabimi i dialogut dhjetë vjeçar ka qenë se është diskutuar për qenien dhe statusin tonë

Gabimi i dialogut dhjetë vjeçar ka qenë se është diskutuar për qenien dhe statusin tonë. Unë nuk dialogoj për këtë gjë, dialogu që na kërkohet neve është dialog për statusin e raportit me Serbinë, jo për statusin e Kosovës. Edhe ajo rezolutë thotë se ka katër qëllime dialogu: paqen dhe sigurinë, bashkëpunimin, perspektivën në rrugën evropiane dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar më tej ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat