Edi Rama, ende nuk ka marrë asnjë vendim ndëshkues për ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Rusia ka thyer përveç se ligjet dhe parimet ndërkombëtare të demokracisë, ajo ka tradhtuar marrëveshjen e arritur me 1994 në Budapest, për dorëzimin e armëve bërthamore Rusisë, të rreth 2 mijë kokave, dhe garancioneve që dha Rusia për Pavarësinë e Ukrainës, me nënshkrimin e marrëveshjes, edhe nga SHBA-të dhe Britania e Madhe.
Edi Rama si duket po e pret apo në marrëveshje me mikun e tij, presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiqin, do të nxjerrë vendimet e Qeverisë së Shqipërisë.
Rama e di se e ka të pamundur të dal kundër qëndrimeve të NATO-s dhe SHBA-ve, edhe për shkak të opinionit të atjeshëm, por edhe për shkak të Kosovës.
Çfarë po ndodhë në botë?!
Rusia, përveç se e ka goditur Ukrainën ushtarakisht, ajo e ka sulmuar rëndë sistemin botëror, rendin e deritanishëm, paraprijës i të cilit ka qenë Perëndimi, njëherit vetë arkitekt i asaj kulture, civilizimi dhe sistemi.
Pushtimi i Ukrainës, në vetvete, përveç motiveve dhe qëllimeve të tjera, synon përmbysjen e këtij sistemi perëndimor, dhe dominues në botë, si rend i vlerave demokratike, dhe vetë civilizimit.
Nëse Perëndimi nuk ia del ta ndal Rusinë, ajo së bashku me Kinën, do të sjellin një interpretim të ri, për rendin botëror, për vetë shtetin, kulturën dhe vetë civilizimin.
Më shumë gjasë, nëse fitojnë, do ta kthejnë shoqërinë, kryesisht atë që kufizohet me lindjen, dhe thuaja gjithë lindjen, në një sistem, që i përshtatet modelit autoritar të qeverisjes, e kombinuar me komunizmin kinez dhe autokracinë ruse.
Një sistem hibrid, kryesisht ndërmjet trivialitetit dhe empirisë së lindjes, në njërën anë, dhe shkencës dhe kulturës së deritashme të arritur atje, dhe të cilin do t’ia kundërvënë civilizimit perëndimor dhe rendit të deritanishëm.
Mbi të gjitha do të shquhet, ajo që e karakterizon vetë kulturën ruse, sistemi i saj binar, ku sipas vlerësimit, ajo shkakton revolucionaritet, përgjakje, e ajo që po ndodhë në Ukrainë tani, është pushtim i pamëshirshëm dhe kundër vullnetit të shumicës absolute.
Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve, do t’i konfirmojë këto, por, mund të ndodhin zhvillime edhe më negative në kufijtë e Ukrainës, në shtetet baltike, Poloni dhe në gjithë zonën kufitare mund të ketë sulme dhe luftë.
Sanksionet aktualisht nuk pritet të japin efekte të menjëhershme ndaj Rusisë dhe vetë rusëve.
Por, ku ndodhet Edi Rama në këtë mes?
Shqipëria deri më sot nuk ka ndërmarrë asnjë hap. Jo se Shqipëria do ta bënte namin, por Qeveria e Shqipërisë duhej të reagonte, para së gjithash për shkak të Kosovës, pritjeve, që prej disa muajsh ne i kemi analizuar dhe vlerësuar, se në rast të konfliktit ushtarak në Ukrainë, Serbia do të mund ta provokojë destabilizimin e Kosovës apo edhe një inkursion të drejtpërdrejt në veri.
Për fat të mirë, si duket tashmë vetë aleanca NATO-s, e ka vlerësuar të domosdoshme, që Shqipëria, ta sjellë në Kosovë një numër trupash ushtarake.
Edhe pse një numër i vogël dhe simbolik, për shkak se nuk i është lejuar Shqipërisë që të dërgojë ushtarë të saj në Kosovë, kjo lëvizje përbën përparim.
Pas pranimit të Shqipërisë në NATO, ishte kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, i cili, kërkonte që trupat shqiptare të ishin pjesë e misionit paqeruajtës në Kosovë. Por, KFOR-i atëherë, me shumë gjasë me këshill nga NATO-ja e refuzoi kërkesën.
Atëherë ne vlerësuam se ishte një vendim i padrejtë, dhe që po bëhej për të plotësuar dëshirën e Serbisë. Ndoshta atëherë mund të jetë dukur si provokim për diplomacinë ruse.
Por, tashmë pas luftës në Ukrainë, këto relacione nuk pat kush i shqyrton.
Kërkesa jonë, prej disa javësh që të vendosen forcat e Shqipërisë në Kosovë, me qëllim vendosjen në veri, po përmbushet. Vlerësimi ynë doli i saktë.
Por, për të pasur sukses, Shqipëria duhet të dërgojë, javëve në vazhdim, disa qindra ushtarë, dhe natyrisht me armatimin më të mirë të nevojshëm.
Si duket, edhe ushtria e Shqipërisë është lënë tepër keq nga qeveritë jo serioze, veçanërisht nga të majtat. Shqipërisë sot i mungon dhe duhet urgjentisht ta ketë forcën ajrore, antiajrore, dhe një numër shumë më të madh të automjeteve të korracuara.
Për herë të parë mbrëmë në një debat televiziv gjatë diskutimit për luftën në Ukrainë, u shtrua me seriozitet çështja e mungesës së armatimit të Shqipërisë, flotës ajrore, automjeteve të blinduara dhe të armatimit modern përgjithësisht.
Esenca ishte mungesa e një armatimi, për shkak të të cilit çdo vend fqinjë do të hezitonte ta sulmonte Shqipërinë, dhe po ashtu Kosovën.
Ndërsa, Edi Rama është deklaruar se vetëm në mbrëmje të ditës së sotme (e premte) do të merr vendime si Qeveri.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka dy ditë, që e ka shtyrë vendimmarrjen dhe deklarimin për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe me shumë gjasë nuk pritet që ta dënojë, bazuar edhe në faktin se kryetari i Kuvendit Ivica Daçiq, partneri i tij kryesor, ka deklaruar se Rusia nuk mund të dënohet nga Serbia, duke e arsyetuar thuajse njësoj, por vetëm në një aspekt tjetër, se Serbia është bombarduar për Kosovën.
Normaliteti ka ndryshuar
Shqipëria më në fund, kundër vullnetit dhe projektimeve të Edi Ramës, ka vendosur që një kontingjent prej 30 vetash, por forca elitare të saja, të vendosen në Kosovë dhe do të jenë përkrah aleatëve kroatë dhe atyre italianë.
“Punën tuaj atje do doja ta shikonit çdo ditë si një kontribut për paqen edhe sigurinë globale, si një kontribut për lirinë e qytetarëve tanë, e qytetarëve të botës, e qytetarëve të rajonit, sepse në 48 orët e fundit normaliteti siç e tha sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ka ndryshuar; jemi në një normalitet të ri. Pra, në një mënyrë të njëanshme, një fuqi si Rusia hoqi dorë nga parimet që mbanin si shtylla rendin botëror dhe riktheu historinë pas, në kohën e sferave të influencës edhe pushtimit të një shteti më të dobët nga një shtet më i fuqishëm”, ju ka thënë 30 ushtarëve të forcave speciale të Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi, para se ata të niseshin për në Kosovë.
Llogaritë e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiqin, janë prishur përfundimisht pas pushtimit rus të Ukrainës!
Ëndrra për ndarjen e Kosovës do të kthehet në makth për ndarjen e Serbisë!