Më shumë se njëherë gjatë ditëve të fundit, presidenti ukrainas që ka fituar simpatinë e botës, Zelinski po u bën thirrje çdo ditë e thuaja çdo orë ukrainasve që të luftojnë kundër Rusisë.
Po ashtu në të gjitha paraqitjet e deritashme ai ka theksuar se vazhdon të qëndrojë në Kiev, pavarësisht se është caku i parë që mund të goditet, i përcaktuar nga rusët, ndërsa caku i dytë është familja e tij, sipas burimeve të inteligjencës.
Në çdo paraqitje bëri thirrje për paqe, madje edhe në ditën e parë të luftës. Edhe një ditë para saj bëri një përpjekje të jashtëzakonshme njerëzore, duke thënë se donte të fliste me Putinin.
Donte të fliste me Putinin sepse e donte paqen më shumë se gjithçka, pavarësisht se kundërshtari i tij ka urdhëruar hyrjen e trupave të Rusisë në krahinën e Donbasit, përkatësisht të dy republikave separatiste Luhan dhe Donetsk.
Lutjet për paqe, si duket janë një veprim i zgjuar politik në arenën ndërkombëtare, për të vazhduar përfitimin e simpatisë, përveç se atë po e përfiton edhe nga ballafaqimi me një fuqi ushtarake gjigande si e Rusisë, dhe që është nga më shkatërrimtaret në botë, për shkak të fuqisë bërthamore.
Edhe lutjet e presidentit Rugova për paqe, nuk ndaluan asnjëherë. Edhe në këtë pikë pra, është një stratagemë politike e qëlluar, edhe e Zelinskit.
Por, ajo që ka rënë më së shumti në sy tani, është thirrja karakteristike, që ‘të mbrohet pragu i shtëpisë’, një formulë e shqiptuar shumë shpesh gjatë luftës nga presidenti Ibrahim Rugova.
Këtë po e thonë tashmë gjithnjë e më shpesh edhe zyrtarë të tjerë apo institucione të Ukrainës, që qytetarët të armatosen si të munden, dhe që ta mbrojnë shtëpinë e tyre, siç tha edhe ukrainasja Romanova, po e mbrojnë ‘pragun e shtëpisë’!
Zelenski për të disatën herë deklaroi: “Unë po qëndroj në lagjen e qeverisë bashkë me të tjerët”.
Trysni dhe kërcënime ruse
Perëndimi haptazi është duke e provuar trysninë ruse, disa dekada pasi ka marrë fund Lufta e Ftohtë.
Por, nëse atëherë kërcënimi bëhej me lëvizje raketash dhe zhvendosje të një numri batalionesh dhe armatimi, tashmë me Putinin kanë ndryshuar premisat dhe ajo më e rëndësishmja, gjendja faktike.
Putini e bëri realitet kërcënimin ndaj Ukrainës duke e filluar pushtimin e saj të përgjithshëm. Ukraina mezi po e mban frymën, ndërsa politika e Rusisë pushtuese po vazhdon me kërcënime.
Të premten Rusia i kërcënoi hapur me ndërhyrje ushtarake, Suedinë dhe Finlandën, dy vendet nordike, fqinje të saja.
“Natyrisht, pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO, e cila është kryesisht një aleancë ushtarake siç e kuptoni mirë, do të kishte pasoja të rënda ushtarake dhe politike, të cilat do të kërkonin që vendi ynë të ndërmarrë hapa reagimi”, ka thënë zëdhënësja e Putinit, Zakharova në një takim me media në Moskë.
Rusia kishte reaguar pasi më parë, NATO-ja i kishte ftuar këto dy shtete, që të merrnin pjesë në samitin virtual të saj, i mbajtur sot.
NATO e ka bërë një deklaratë të fuqishme, duke e dënuar “pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, të mundësuar nga Bjellorusia”.
“Ne dënojmë humbjen tragjike të jetëve, vuajtjet e mëdha njerëzore dhe shkatërrimin e shkaktuar nga veprimet e Rusisë. Paqja në kontinentin evropian është shkatërruar rrënjësisht. Bota do të mbajë Rusinë, si dhe Bjellorusinë, përgjegjëse për veprimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që ta dënojnë pa rezerva këtë sulm të pandërgjegjshëm. Askush nuk duhet të mashtrohet nga breshëria e gënjeshtrave të qeverisë ruse”, thuhet në deklaratë.
Çmenduria dhe mizoria e Putinit duhet të ndalen
Të shqetësuar me pushtimin e Ukrainës kanë reaguar edhe ish zyrtarë të lartë amerikan dhe europian.
Ish-presidenti Jimmy Carter ka thënë të enjten se pushtimi i Ukrainës është "kërcënim për sigurinë e Evropës, dhe për mbarë botën. “Sulmi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainë s duke përdorur armë ushtarake dhe kibernetike shkel ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat themelore të njeriut të popullit ukrainas”, ka shkruar Carter në një shënim në Twitter, duke iu bashkuar reagimeve kundërshtuese të ish presidentëve amerikan, si Gjorgj Bush etj., që kërkojnë të ndalet Rusia.
“Unë e dënoj këtë sulm të padrejtë ndaj sovranitetit të Ukrainës që kërcënon sigurinë në Evropë dhe në të gjithë botën dhe i bëj thirrje Presidentit Putin të ndalojë të gjitha veprimet ushtarake dhe të rivendosë paqen“. “SHBA dhe aleatët, duhet të qëndrojnë me popullin e Ukrainës në mbështetje të së drejtës së tyre për paqe, siguri dhe vetëvendosje”.
Ndërsa, ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ishte nga më të ashprit, veçanërisht me vendet e BE-së, që kanë penguar vendosjen e sanksioneve dramatike ndaj Rusisë. Ai shkroi në llogarinë e tij në Twitter, se çmenduria dhe mizoria e Putinit duhet të ndalen.
“Në këtë luftë gjithçka është reale: çmenduria dhe mizoria e Putinit, viktimat ukrainase, bombat që bien mbi Kiev. Vetëm sanksionet tuaja pretendohen. Ato qeveri të BE-së, të cilat bllokuan vendosjen e sanksioneve të ashpra (d.m.th. Gjermania, Hungaria dhe Italia) e kanë turpëruar veten”, shkroi ai në Twitter.
Sanksionet, të pamjaftueshme
Sipas Departamenti amerikan të Thesarit, sanksionet e vendosura të enjten shënjestrojnë bankat e mëdha ruse që mbajnë gati 80% të të gjitha aseteve bankare të vendit.
Sanksionet kanë bllokuar dy bankat gjigande të Rusisë: SberBank shtetërore dhe VTB, që së bashku kanë pothuajse 750 miliardë dollarë në asete, që është më shumë se gjysma e totalit të aseteve në Rusi.
Po ashtu sipas presidentit amerikan Biden, kufizimet e reja të eksportit të SHBA-së do ta privojnë Rusinë nga më shumë se gjysma e furnizimit aktual të teknologjisë së lartë.
Kjo pritet t’u jap goditje të fuqishme programeve ushtarake të Rusisë për të modernizuar ushtrinë, industrinë ushtarake, programin e saj hapësinor, transportin detar dhe industri të tjera.
Por, as këto sanksione nuk e kanë qetësuar aspak presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskin, i cili sulmoi hapur udhëheqësit evropianë, të cilët sipas tij kanë bërë një reagim të dobët ndaj pushtimit rus.
- E di që mund ta shihni të gjithë këtë. Por ne nuk mund të shohim se çfarë po bëni ju. Si mund të mbroheni nëse jeni kaq të ngadalshëm për të na mbështetur në Ukrainë?
Ai ka thënë se lufta në Ukrainë, me sulmet ajrore dhe tanke, ia kujton Evropës Luftën e Dytë Botërore. “Evropa tha kurrë më. Por ja ku jemi”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai është detyruar që të kërkojë ndihmë nga vullnetarët europian. Ai sërish ka bërë thirrje për paqe, për të arritur marrëveshje.
Presidenti Zelinski si duket është qetësuar paksa të premten në mbrëmje, kur ka biseduar me presidentin amerikan, Jo Biden. “Forcimi i sanksioneve, ndihma konkrete për mbrojtje dhe një koalicion kundër luftës sapo janë diskutuar me @POTUS. Faleminderit SHBA-së për mbështetjen e fortë ndaj Ukrainës!”, ka shkruar Zelenski.
Por, NATO-ja tashmë ka nisur 40 mijë trupa në kufirin me Ukrainën, gati 7.500 prej tyre amerikan dhe kanadez, ndërsa Polonia i ka dërguar armatime dhe municion.
“Konvoji me armatime që e kemi nisur për Ukrainën tashmë ka arritur në destinacion. Ne i mbështesim ukrainasit, jemi në solidaritet me ta dhe e kundërshtojmë ashpër agresionin rus”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes i Polonisë Mariusz Błaszczak.