Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sot Policia e Kosovës ka dërguar kontenjerë dhe pajisje logjistike, të cilat do tu shërbejnë zyrtarëve policor në pikën kufitare në Bërnjak, për kryerjen sa më efikase të detyrave të tyre.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kjo për shkak se që nga marrja e mandatit është angazhuar bashkë me Policinë që të krijojë hapësira dhe kushte të përshtatshme për punë dhe ngritje të kapaciteteve për policët, përcjell Bota sot.
Postimi i tij i plotë:
Që nga marrja e mandatit dhe në vazhdimësi, si Ministër i Brendshëm bashkë me Policinë e Kosovës jemi angazhuar që brenda kapaciteteve tona të krijojmë hapësira dhe kushte të përshtatshme për punë dhe ngritje të kapaciteteve për gjithë zyrtarët policor kudo që angazhohen ata.
Në kuadër të kësaj, për shkak të kushteve jo të mira, Policia e Kosovës sot ka dërguar kontenjerë dhe pajisje logjistike të cilat do tu shërbejnë zyrtarëve policor në pikën kufitare në Bërnjak, për kryerjen sa më efikase të detyrave të tyre.
Angazhimi ynë i përbashkët dhe i përditshëm ka për qëllim rritjen e efikasitetit dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.
