Drejtori i Institutit EPIK Demush Shasha, e ka komentuar vendimin e Gjermanisë për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.
Ai ka thënë se paralelisht me ndihmën ushtarake, sanksionet ekonomike janë një lloj bombe ekonomike nukleare që është duke u hedhur mbi sistemin financiar të Rusisë.
“Deri para pak ditëve, Gjermania është përbuzur se nuk po përgjigjet agresionit Rus ndaj Ukrainës. Sot, Gjermania vendosi diçka që deri me tani ishte e paimagjinueshme:
- të dërgoj trupat shtesë drejt kufirit me Ukrainën,
- të rrit buxhetin ushtarak për 100 miliardë EURO (trefishim i buxhetit),
- të vendos në Kushtetuan e saj obligimin për minimumin prej 2% shpenzimeve të GDP-së për ushtrinë,
- të lejoj dërgimin e armatimit Ukrainës,
- të mbyll hapësirën e saj ajrore për Rusinë.
Paralelisht me këtë, sanksionet ekonomike janë një lloj bombë ekonomike nukleare që është duke u hedhur mbi sistemin financiar të Rusisë. Bankrotimi total i shteti Rus është tani mundësi reale për Putinin”, shkruar Shasha në Facebook.
Sipas tij, pa SHBA e gjithë kjo do ishte e paimagjinueshme, por sot BE-ja, në krye me Gjermaninë, është duke marr rolin udhëheqës në përballje me pushtimin Rus të Ukrainës.
“Ky është vetëm shembulli i radhës se si BE-ja çdo herë ka rilindur edhe më e fuqishme në përballje me krizat e kohës. Çdo krizë, nga kriza financiare e vitit 2008 dhe kriza e migrimit 2015, e deri te BREXIT-i dhe pushtimi i sotëm i Ukrainës, ka shërbyer si moment evoluimi të BE-së në një organizëm edhe më të avancuar. Evoluimi i ngadaltë, patjetër, por evoluim i sigurtë, gjithsesi”, ka potencuar ai.
Ndonëse thotë se Ukraina është larg nga fitorja e luftës, ai vlerëson se BE-ja tani më është shndërruar nga blloku më i rëndësishëm tregtar në botë, në bllokun më të rëndësishëm politik në botë.
“Pushtimi në Ukrainë është në ditët e para të tij. Duhet të jemi realist. Ukraina (dhe Perëndimi) është larg prej fitores, aq sa edhe Rusia është larg prej dorëzimit. Sidoqoftë, në disa ditë të fundit BE-ja tani më është shndërruar nga blloku më i rëndësishëm tregtar në botë, në bllokun më të rëndësishëm politik në botë. Një moment historik për BE-në i cili do të vendos projektin dhe bashkëpunimin evropian në një trajektore të re të zhvillimit”, është shprehur Shasha.