Shqiptarët, dhe veçanërisht është në barrën e opozitarëve që t’i shtyjnë Qeverinë dhe institucionet tjera, që t’u japin fund bisedimeve me Serbinë.
Siç kam sqaruar në dhjetëra shkrime, që nga kriza në Ukrainë, gjeostrategjia dhe gjeopolitika po ndryshojnë në mënyrë radikale.
Është fati, që po vjen në duart e shqiptarëve pas më shumë se 100 vitesh. Krijimi i Kosovës shtet ishte rezultat i përpjekjeve po ashtu mëse një shekullore, por jo fat. Ishte vetëm një pjesë e një zhvillimi të kënaqshëm nga një seri e panumërt e fundeve tragjike të shqiptarëve.
Opozita e kurdisur nga prapavija e saj kriminale dhe e komprometuar, e detyroi Kuvendin, të futej në një debat injorance dhe të pakuptimtë. Madje kërkonte transparencë nga Qeveria, rezultate dhe jo vetëm raportime. Pra, rezultate, që nëkuptojnë lëshime të reja.
Trysni e gabuar, antikombëtare
Ajo në vend që ta mbështeste për muri Qeverinë, se çfarë është duke bërë në këtë kohë krize, për armatim; se çfarë është duke bërë me FSK-në, që nuk po e dërgon në veri; se për cilën luftë të mundshme po e ruan; se çfarë rezervash po krijon dhe a janë të mjaftueshme në vlerë prej 10 milionë euro, se për sa ditë krize apo lufte mjaftojnë ato?
Se pse nuk kërkon nga Shqipëria edhe publikisht të bëhet pjesë e KFOR-it apo me marrëveshje bilaterale të vendosë trupa të saj dhe të armatosura në veri, dhe jo vetëm të ketë një pjesëmarrje qesharake 30 veta, një klasë me ‘nxënës’, të kërkojë nga vendet mike, jo vetëm rritjen e numrit të ushtarëve në KFOR, por edhe ta rrit cilësinë e armatimit në Kosovë, sisteme antiajrore (aeroplanëve) e antiraketore.
Debati i të premtes në Kuvend nuk mund të kishte tjetër kuptim, pos se u nxit dhe u aranzhua nga elemente agjenturore serbe apo edhe ruse, që gjenden të shtrirë gjithandej në Kosovë.
Agjenturat serbo-ruse tashmë kanë një karakter tjetër, pas ndryshimeve radikale gjeostrategjike, të cilat po i lëkundin edhe politikat tashmë tradicionale gjeostrategjike.
Sot, t’i bëhet presion Kosovës për lëshime ndaj Serbisë nënkupton lëshime për Rusinë. Pra, trysnitë që mund të vijnë jashtë boshtit amerikan dhe anglo-gjerman, mund të nënkuptohen si objektiva ruse.
Kosova siç e kemi thënë disa herë i ka bërë të gjitha kompromiset e nevojshme në Vjen me pakon Ahtisari, të dhimbshmet e të padhimbshmet.
Dhe të gjitha ato janë bërë me qëllim që të përmbyllen ankesat e Serbisë, të cilat i merrte përsipër t’i realizonte Rusia. Ankesat e Serbisë ishin kërkesa të Rusisë, që Perëndimi i ndërmerrte përsipër me shpresë që më në fund të përfundonte procesi i njohjes së Kosovës.
Të arrestohen propaganduesit e serbizmit
Ata që bëjnë thirrje për shkëmbime territoresh, se Serbisë duhet t’i jepet diçka, duhet të përfundojnë në burg sa më parë. Deklarimet e atilla si të mëparshme alla Baton Haxhiu, Thaçi e të tjerë.
Ato nuk kanë të bëjnë me mendimin e lirë dhe me diplomacinë, por me tradhtinë ndaj shtetit.
Edhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë Filip Kosnet, i ka bërë thirrje Perëndimit, që ta rishikojë diplomacinë e tij ndaj Serbisë, e cila haptazi dëshmoi, se është më afër Rusisë sesa SHBA-së, BE-së e aq më pak ndaj NATO-s.
Prandaj, thirrjet për bisedime, që nënkuptojnë lëshime janë tradhti kombëtare, ndërsa Serbia ka plane sekrete për ta pushtuar veriun e Kosovës dhe të ndonjë pjese tjetër.
Pra, Kosova duhet të jetë e përkushtuar në krijimin e kësaj strategjie të papritur që e solli politika agresive pansllaviste.