​Filipova: Perëndimi nuk do të jetë në gjendje të shikojë zhvillimet e tmerrshme në Ukrainë pa përdorur pak forcë

Aktuale

​Filipova: Perëndimi nuk do të jetë në gjendje të shikojë zhvillimet e tmerrshme në Ukrainë pa përdorur pak forcë

Më: 27 shkurt 2022 Në ora: 15:44
​Filipova

Kryeshefja e institutit “Global Analytics”, Rumena Filipova konsideron se është e mundur të imagjinohen skenarë të ndryshëm të agresionit rus jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë Evropën. Në një intervistë për KosovaPress, Filipova thotë se agresioni rus mund të përfshijë sulme ndaj vendeve të NATO-s, si vendet baltike, por edhe Ballkanin.

E në rast se lufta në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet, kryeshefja e “Global Analytics”, thotë se perëndimi nuk do të jetë në gjendje të mbetet vetëm spektator karshi zhvillimeve të tmerrshme në Ukrainë, porse do të përdorë forcë.

Sipas saj, Evropa, Amerika dhe perëndimi duhet të gjejnë një mënyrë për të përforcuar parimet mbi të cilat u ndërtua rendi ndërkombëtar që nga viti 1945, dhe të sigurohen që nacionalizmi agresiv rus dhe militarizmi të jetë i përmbajtur.

Sot kur edhe është dita e katërt e invazionit rus në Ukrainë, Filipova thotë se ky është edhe kërcënimi më i madh për rendin e sigurisë evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Filipova: Agresioni rus në Ukrainë, një zhvillim tepër dramatik dhe trishtues

“Është një zhvillim tepër dramatik dhe trishtues, dhe për fat të keq, ajo që ne po shohim është një sulm ndaj një vendi sovran evropian, dhe siç kanë thënë shumë politikanë dhe analistë, ky është ndoshta kërcënimi më i madh për rendin e sigurisë evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore...Aktualisht është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohen gjërat, por sigurisht, ky është një kërcënim i rëndë për rendin evropian të sigurisë, por edhe për rendin normativ evropian, sepse ai bazohet në një sërë idesh shumë të rëndësishme për të mos sulmuar, fqinjësi të mirë, për rëndësinë e të drejtave të njeriut, dhe respektimin e barazisë së të gjitha shteteve në Evropë dhe në nivel ndërkombëtar. Pra, sigurisht që kjo është një sfidë e madhe ideore dhe sfidë e sigurisë gjithashtu. Por se si do të zhvillohen gjërat në të ardhmen, aktualisht është e vështirë të parashikohet tash, por me siguri Evropa, Amerika dhe Perëndimi duhet të gjejnë një mënyrë për të përforcuar parimet mbi të cilat u ndërtua rendi ndërkombëtar që nga viti 1945, dhe të sigurohet që nacionalizmi agresiv, dhe militarizmi të jetë i përmbajtur”, thotë ajo.

Siç kanë paralajmëruar diplomatë, ekspertë të sigurisë e njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, egoja e presidentit rus, Vladimir Putin mund të jetë më e madhe sesa pushtimi i Ukrainës.

Këtë qëndrim ndan për KosovaPress edhe kryeshefja e “Global Analytics”, pasi sipas saj, nuk mund të përjashtohet një përfshirje më e madhe e agresionit rus.

Filipova: Tani është e mundur të imagjinohen skenarë të ndryshëm që zhvillojnë një agresion rus

“Në fakt, tani mendoj se është e mundur të imagjinohen skenarë të ndryshëm që zhvillojnë një agresion rus, ndoshta jo vetëm në Ukrainë, por edhe të shtrirë në të gjithë Evropën, duke përfshirë ndoshta sulme ndaj vendeve të NATO-s, si vendet baltike, por edhe Ballkanin. Pra, janë dy tregues për këtë, i pari është se ministri i jashtëm rus Lavrov, tha kohë më parë se infrastruktura e NATO-s duhet të tërhiqet nga Bullgaria dhe Rumania, që është një deklaratë shumë shqetësuese, ndoshta tregues i synimeve të ardhshme ruse, dhe kjo në të njëjtën kohë mund të kombinohet me problemet në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë procesin e papërfunduar të integrimit evropian, dhe gjithashtu një sërë sfidash në nivel kombëtar. Dhe këtu kam parasysh Bosnjën për shembull, dhe veprimet e Republika Srpska, të cilat zakonisht bëhen në koordinim me Serbinë dhe Rusinë, dhe zakonisht nga ana e Rusisë, destabiliteti në Bosnje shihet si një hapje për rritjen e ndikimit të saj në Ballkan”, thekson Filipova.

Ajo komenton edhe qëndrimin e Serbisë se që nuk dënon agresionin dhe nuk vendosë sanksione Rusisë”, për çka thotë se shpallja e luftës nga Rusia t'i tendosë përkrahësit e Putinit në mbarë botën, jo vetëm në Serbi.

Filipova: Agresioni rus do të tendosë përkrahësit e Putinit

“Mendoj se do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për të gjithë mbështetësit e presidentit rus dhe regjimit rus, të vazhdojnë ta mbështesin atë, sepse kjo është një dilemë shumë e madhe, duke përfshirë një dilemë morale për momentin. Ka qenë e mundur, deri më tani, që disa politikanë si Vuçiq të balancojnë, të përpiqet të balancojë midis Rusisë dhe Perëndimit, dhe të deklaronte besnikërinë dhe simpatinë e tij për vlerat konservatore ruse, dhe veprimet ndërkombëtare, por tani shkalla e pushtimit rus në Ukrainë, shpallja e luftës, mendoj se do ta bënte shumë më të vështirë për mbështetësit e Putinit, ndërkombëtarisht, jo vetëm në Serbi, të vazhdojnë të shprehin mbështetjen për veprimet e tij, sepse ky është një zhvillim shumë ekstrem që po shohim në Ukrainë, kjo do t'i tendosë përkrahësit e tij në shoqëritë në mbarë botën në përgjithësi”, thotë kryeshefja e “Global Analytics”.

Ndërkohë që vlerëson deklaratën e kryeministrit të Britanisë së Madhe se do të ndihmojnë Ukrainën. Ajo i quan “hap pozitiv”, sanksionet e vendosura për Rusinë.

Filipova: Perëndimi nuk do të jetë në gjendje të shikojë zhvillimet e tmerrshme në Ukrainë pa përdorur pak forcë

“Pra, para së gjithash, dua të them se ishte një shenjë shumë pozitive nga ana e kryeministrit britanik, gjithashtu për t'u shkëputur nga e kaluara dhe për të thënë se deklarata famëkeqe për vendet e Evropës Lindore, për të cilat ne dimë shumë pak ose aspak, nuk duhet të gjejë mbështetje në shekullin e 21-të. Pra, ky ishte një zhvillim shumë pozitiv që tregon se ka potencialisht një shkallë të konsiderueshme të përkushtimit britanik për sigurinë e Evropës Lindore. Kur bëhet fjalë për përdorimin e forcës, mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata. Por unë mendoj që nëse ka shumë viktima civile në Ukrainë, dhe nëse lufta vazhdon të përshkallëzohet, kjo do të paraqesë një dilemë të madhe morale për Komunitetin Ndërkombëtar, do të thotë se Perëndimi nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë pranë dhe të shikojë zhvillimet e tmerrshme në Ukrainë, pa përdorur pak forcë... Siç thashë, nëse vazhdojmë të shohim skena të tmerrshme se si popullsia ukrainase po mbron vendin e saj me guxim dhe vetë kundër Rusisë, kjo mund të ndikojë në opinionin publik ndërkombëtar, dhe mund të çojë në angazhimin e përdorimit të forcës nga ana e NATO-s, apo nga ana e vendeve që janë të gatshme”, thotë ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat