AAK kërkon strategji të re për sigurinë kombëtare dhe rritje të buxhetit për FSK-në

Aktuale

AAK kërkon strategji të re për sigurinë kombëtare dhe rritje të buxhetit për FSK-në

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 12:00
Besnik Tahiri

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri nga AAK ka folur në konferencë për media në lidhje me propozimet e AAK-së për grupet parlamentare të Kuvendit.

Ai ka thënë se në emër të AAK-së, ka adresuar dy çështje me rëndësi.

“E para ka të bëj me një strategji të re të sigurisë kombëtare që ndërlidhet me veprimet më të shpejta për anëtarësim të Kosovës në NATO. Ndërsa e dyta, ka të bëj me fondin, pra financimin e ushtrisë tonë, e cila është kërkesë e kahmotshme e jona. Kjo ka të bëj edhe me rishikimin e buxhetit për ushtrinë”, ka thënë Tahiri.

Tutje, ai ka thënë se nëse bota demokratike është bashkuar rreth një kauze të ndihmës për Ukrainën, edhe subjektet politike në Kosovë duhet të bashkohen për një kauzë në të mirë të sigurisë së vendit.

“Nëse një botë demokratike u bashkua në ndihmesë të një kauze të drejtë të shtetit dhe qytetarëve të Ukrainës, pse të mos bashkohemi edhe ne si subjekte politike rreth një kauze të drejtë të sigurisë në raport me sigurinë në vend mirëpo edhe me pozicionin e Kosovës në këtë temë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se propozimet e AAK-së nuk janë futur në rend të ditës për seancën e ardhshme të Kuvendit, por ka thënë se janë duke diskutuar me grupet e tjera parlamentare. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat