FSK-ja ta thyejë tabunë: Të urdhërohet vendosja në veri / Dronët po vijnë!

Aktuale

FSK-ja ta thyejë tabunë: Të urdhërohet vendosja në veri / Dronët po vijnë!

Nga: Idriz Morina Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 18:37
FSK-ja e gatshme, por mungon vendimi!

Lufta e Ukrainës kundër pushtimit rus, po kthehet në jetë a vdekje për të ardhmen e qytetërimit perëndimor.

Që kur ka filluar kriza e Ukrainës, muaj para se të nisnin luftimet kemi alarmuar se ajo mund të ndikojë në përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, përkatësisht se mund të rrezikohemi nga një inkursion serb atje apo edhe në ndonjë mënyrë tjetër të dhunimit të shtetit shqiptar.

Rreziku nga Serbia dhe Rusia

Këtë alarm, tashmë e dha dje, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sipas të cilit BE-ja është e shqetësuar se nën ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës mund të përhapet rreziku edhe në vendet fqinje, si në Moldavi, Gjeorgji dhe në Ballkanin Perëndimor.

"Ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në rajon. Ne kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë dhe ndikimi rus mund të fillojë të funksionojë në vendet fqinje”, ka thënë Borrell në një konferencë për media në Bruksel pas takimit virtual të ministrave të jashtëm të BE-së.

Thuajse çdo tabu është thyer, madje edhe çdo lloj marrëveshje, në emër të të cilave, perandoria e ndërtuar nga Putini, e fshihte shpresën, se do të ecte e papenguar edhe në pushtimin e Ukrainës.

Rritja e enorme e buxhetit të Gjermanisë për armatim, investimin e 100 miliardë dollarëve;

Heqja dorë e Zvicrës nga neutraliteti për t’ia vënë të gjitha sanksionet Rusisë, që i ka miratuar BE-ja; dhe

Ofrimi i armatimit nga vendet neutrale, si Suedia, Finlanda dhe të tjera, së bashku me vënien e masave sanksionuese ndaj Rusisë;

Flasin për një ndërveprim, që se ka njohur as vetë Perëndimi, madje në asnjë kohë.

Duket se kjo aleancë më e madhja në botë, e realizuar ndonjëherë në histori, me ngadalë, por, po i jep rezultatet dhe shpresat e veta, tek ukrainasit, të cilët fillimisht dukeshin të braktisur e të tradhtuar. Por, tashmë gjithçka po ndryshon!

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar për herë të parë, pas 40 vitesh, mbajtjen e një seance urgjente të Asamblesë së Përgjithshme për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës, për t’ia bërë të qartë Rusisë, se bota, nuk mund ta përballojë një dramë të tillë, dhe aq më pak, edhe një kërcënim nuklear.

Rusia nuk ia ka dal ta prandalonte mbajtjen e saj, sepse Rezoluta, e quajtur "Bashkimi për Paqe", ua lejon anëtarëve të Këshillit të Sigurimit thirrjen e mbledhje speciale me Asamblenë e Përgjithshme, kur pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit (Rusia, SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Kina) nuk mund të merren vesh se si të veprojnë së bashku për ruajtjen e paqes, në këtë rast e kërcënuar nga Rusia.

Kriza putiniane

Kriza e të menduarit putinian, e ka shtyrë të gjithë Perëndimin, ta mbrojë ekzistencën e qytetërimit, të vlerave të krijuara në mijëvjeçar, dhe të vetë sistemit të demokracisë.

Si duket Putini nuk llogariste në këto zhvillime të papritura për të, por në fuqinë e pakët ushtarake të Ukrainës, në brishtësinë e saj, dhe në frikën zulmëmadhe që shkaktonte ushtria ruse, e ngritur në mit, në saje të potencialit të jashtëzakonshëm bërthamor.

Putini, qeveria e tij dhe shtabi ushtarak, si dhe inteligjenca duket se nuk e kanë llogaritur se jo domosdoshmërisht ndihmat ushtarake për Ukrainën mund të vinin vetëm nga NATO-ja.

Tashmë është krijuar një realitet i ri, dhe zotimet për ndihmë në armatim, nga më të sofistikuarin, po vazhdojnë thuaja nga të gjitha vendet e Europës. Madje ndihmë në municion ushtarak mund të jap edhe Shqipëria.

Ndërsa, sanksionet ekonomike janë bërë të shumëfishta, aq sa vështirë do të jetë për Rusinë ta merr veten, nëse ato zgjasin vetëm disa muaj, dhe ulet intensiteti i luftës.

Kështu, Putini do të gjejë ngushëllim vetëm duke hequr dorë nga kërcënimi bërthamor, dhe vetë lufta, në emër të paqes njerëzore, humanitetit.

Madje edhe përdorimi i armëve bërthamor është kontestuar nga shumë ekspertë dhe diplomatë, pasin nuk shohin as motivim për përdorimin e tyre.

Gjërat ende nuk priten të shkojnë drejt të mirës, përkundrazi, duket se rreziqet do të thellohen, dhe se pas Ukrainës, Rusia do të vazhdojë me shënjestra të tjera.

Rreziqet

Serbia nuk e ka kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës, edhe pse e ka thënë se e njeh Pavarësinë e këtij shteti, por duke qëndruar jashtë vendeve që kanë vendosur sanksione, ajo automatikisht e ka sfiduar Perëndimin.

Të gjithë e dinë, se të thuash po e respekton Pavarësinë e Ukrainës, ju pohoni, pikërisht atë që thotë edhe Putini, se Rusia nuk është duke pushtuar, por vetëm sa e ka bërë një ndërhyrje speciale për të spastruar forcat e rrezikshme, që sipas tij po kryejnë gjenocid.

Një përkrahje më të hapur, vetëm Brazili dhe Korea Veriore e kanë bërë.

Madje, deklarimi i presidentit të Serbisë, Vuçiq, është krejtësisht i dyshimtë, pasi njeriu i Putinit, që duhej të takohej me të, ka deklaruar se, ‘Putini dhe Vuçiqi’ kanë marrëveshje të veçanta.

Pra, është e qartë se Putini kishte bërë marrëveshje me Vuçiqin, në lidhje me Kosovën, përkatësisht se në situata të tilla, si duhet të sillet Serbia. E besueshme është, por nisur edhe nga ky deklarim, se Serbia ka një skenar për të provuar pushtimin e veriut të Kosovës. Madje ky është thënë në formë kërcënimi nga shefi i Shtatmadhorisë serbe, para disa javësh.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që forcat e sigurisë që ekzistojnë në Kosovë të angazhohen në mënyrë të njëanshme dhe në mënyrë disproporcionale për të arritur disa qëllime politike në terren, por kërkesa jonë, insistimi dhe disa gjëra të tjera do të jenë në funksion të sigurimit jo vetëm të paqes por edhe të garantojnë siguri që populli ynë në Kosovë të mund të jetojë dhe të ushtrojë të drejtat e veta si të gjithë qytetarët e këtij vendi”, kishte thënë Mojsiloviq.

Në situatën aktuale të krijuar nga lufta Rusi-Ukrainë, kur janë thyer shumë tabu, disa nga të cilat i kemi përmendur këtu, edhe Kosova me FSK-në, duhet ta thyejë këtë tabu, të ndalimit që ajo të shkelë në veri, një kufizim i vendosur veç tjerash në përmbushje të reagimit rus.

Nëse FSK-ja, nuk mund të shkojë në veri, çfarë kuptimi ka që ajo të shkojë në një mision jashtë vendit, ta zëmë se i kërkohet të shkojë në një mision emergjent në Ukrainë?!

Ndoshta dronët ende pak fare janë sjellur, por, bazuar në një foto të Presidentes Osmani, pranë tyre, ndërsa po qëndron në Turqi, para takimit me Erdoganin, janë mesazh, se Kosova do ta merrë një sasi më të madhe, me të cilët mund të goditen caqet serbe, që e shkelin sovranitetin e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat