Bombat termobarike - tragjedia e re e Ukrainës / Ne duam t’i shohim dronët dhe Irone Domët në mbrojte nga Serbia

Aktuale

Bombat termobarike - tragjedia e re e Ukrainës / Ne duam t’i shohim dronët dhe Irone Domët në mbrojte nga Serbia

Nga: Idriz Morina Më: 1 mars 2022 Në ora: 12:03
Pamje nga lufta tragjike në Ukrainë, e shkaktuar nga Rusia

Sigurisht se atyre që e vlerësojnë sigurinë më shumë se çdo faktor tjetër, nuk ju mjafton aspak të shohin dronë, por që ata të blihen dhe të vendosen në zonat ku duhet të qëndrojnë, për t’u përdorur në kohën e duhur për vendin.

Mungesa e armatimit cilësor, në Kosovë dhe Shqipëri, ka shkaktuar trazim tek të gjithë shqiptarët.

Institucionet politike nuk janë duke u ngutur se çfarë duhet të bëjnë, megjithëse pas fillimit të luftës Ukrainë-Rusi, që kjo e provokoi duke bërë përpjekje për okupim, kanë filluar disa lëvizje.

Shqipëria, i nisi 30 trupa komando për në mision në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.

Kosova po kërkon anëtarësim dhe një bazë të përhershme që NATO-ja ta vendosë këtu.

Por, ende nuk ka lëvizur dukshëm në drejtim të sigurimit të një pjese të armatimit, që do të na mundësonte më shumë shpresa, se nëse jo krejt mbrojtjen totale, një pjesë të saj, mund ta bëjmë vet.

Si për të grishur më shumë dëshirën tonë për një vetëmbrojtje më të mirë, presidentja e vendit Vjosa Osmani dje doli në foto para një droni turk. Natyrisht se atë imazh e interpretuam si shenjë të besueshëm se udhëtimi i saj në Turqi, s’ka të bëjë vetëm me dëshirën shqiptare për armët, kryesish një emocion burrash tek ne.

Nevojë urgjente antiraketore

Duke mos pasur aeroplanë dhe as armë antiajrore, kjo të shëmbëllente me një dëshirë të vetvetishme, për të bërë të pamundurën për sigurimin e atyre fluturakeve, që ushtri më të vogla, si ajo serbe, mund t’i dërmojnë nga ajri, ani pse edhe në Ukrainë, po ndihmojnë, por nuk janë të mjaftueshme për t’i përballuar luftës së furisë ruse.

Kështu që nëse sigurohen dronët bombardues, në mungesë të mjeteve të rënda të luftës si tanket, është më se e nevojshme pajisja me antiraketor, sistemet Javelin, dhe veçmas me Iron Dome, të cilët janë treguar tepër efikase në shkatërrimin e raketave sulmuese në ajër, dhe ndonjëherë edhe në bazë, për shkak të receptimit të shpejtë të sinjalit dhe të gjurmimit shumë të sigurt në ajër, dhe në fund goditjes së cakut.

Pra, një delegacion tjetër nga institucionet, nëse tashmë janë siguruar disa dron “Bajraktari”, të shkojnë në Izrael dhe të kërkojnë disa ‘bateri’, antiraketore Iron Dome. Qoftë me çmime speciale, qoftë me çmimet e tregut, për shpenzimet e të cilave duhet të sigurohen mjetet

Një valë e re goditëse

Situata sipas të gjitha vlerësimeve të ekspertëve ushtarak, nga SHBA-ja e deri në Shqipëri, është se tashmë Ukraina do të përfshihet nga një valë e re goditëse, dhe shumë më e rrezikshme, dhe shumë më e pamëshirshme e përdorimit të armatimit të saj nga më shkatërrimtarët, ndërkohë që Putini do të vazhdojë ta përsëris kërcënimin me shtypje të butonit të kuq, nga tri autoritete supreme ruse, për të goditur ato shtete që ndihmojnë fuqishëm Ukrainën, për t’ia thyer krenarinë ushtarake të tij, me ‘armatën ruse’ (të kuqe).

Po ashtu po pritet që Rusia t’i përdor forcat speciale elitare dhe forcat paramilitare si “Wagner”, të cilat vlerësohet se mund të shkaktojnë gjakderdhje të madhe, sepse njihen si të pamëshirshme.

Edhe senatorëve amerikan, të cilëve u është ofruar qasja në dokumente të klasifikuara për operacionet e Rusisë, janë alarmuar nga kërcënimi rus për ukrainasit dhe vetë Ukrainën.

“Më e keqja ende nuk është parë, ushtarakisht”, ka thënë senatori republikan, Lindsey Graham.

Ndërsa, një ligjvënës tjetër ka thënë në kushte anonimiteti për rrjetin amerikan, CNN se afatet kohore (ruse) që janë prezantuar janë “alarmuese”.

Të hënën është evidentuar për herë të parë se është përdorur nga Rusia një bombë vakumi (bombë termobarike), ka deklaruar ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova.

Këto lloj bombash kanë rezultate katastrofale, aq sa vlerësohet se është arma më e frikshme e Rusisë (pa llogaritur ato bërthamore), e që mund të shkatërrojë “disa blloqe qytetesh, t’i kthejë në rrënoja që digjen, me një goditje të vetme”.

Kjo lloj bombe e quajtur nga rusët edhe ‘Buratino’ mund ta fshijë nga faqja e dheut një zonë afërsisht 200 m me 400 m, nga një goditje e vetme.

Natyrisht se armë të tilla kanë edhe amerikanët, dhe ne vështirë se mund t’i kemi në dispozicion, qoftë për shkak të çmimit të lartë, qoftë për shkak të mungesës së kuadrit dhe të mirëmbajtjes.

Image
Lansuesi i bombave termobarike, i pikasur nga CNN në Ukrainë

Rreziku për Kosovën

Për aq kohë, sa lufta nuk merr fund në Ukrainë, ne vazhdojmë të jemi një vatër potenciale për luftë, së bashku me Bosnjën. Në fakt, një prej zonave më të lakmuara të Putinit dhe të strategjive pansllaviste është dalja në Adriatik e Rusisë, nëpërmjet satelitëve të saj, Serbisë, dhe tashmë Republikës Serbe në Bosnje, duke e ndarë atë me konflikt.

Në këtë kontekst, ekziston rreziku permanent që në javë në vazhdim dhe ende pa hyrë ndoshta në muajin prill, që Serbia të provokojë dhunë në Kosovë, me qëllim të paraqitjes së viktimizimit të saj nga shqiptarët, dhe që kështu të provojë që në emër të mbrojtjes së ‘botës serbe’, dhe meqë sipas kushtetushmërisë së saj, Kosova është pjesë e Serbisë, atëherë, ne mbetemi “Thembra e Akilit”, e pasigurisë në Ballkanin Perëndimor, që pa veçuar pjesë të tij, shefi i diplomacisë së BE-së, Josip Borell iu referua, të dielën kësaj pjese, ku mund të përhapet ndikimi i luftës Rusi-Ukrainë.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi, para më shumë se një jave, më 21 shkurt, ka thënë se kriza e Ukrainës “mund të përhapet në pjesë të tjera të Evropës dhe në botë, e sidomos në Ballkanin Perëndimor”, transmetuar nga AFP.

Siç kam evidentuar në një analizë të mëhershme, pas vizitës së fundit të Vuçiqit në Rusi, se tashmë raportet Rusi-Serbi, janë në autoritet varësie, pra, që vendimet e tilla të shtetit fqinjë merren me shumë gjasë në Kremlin dhe jo më në Beograd (këtë vështrim e pata bërë në përpjekje për të argumentuar se Perëndimi e ka drejtuar gabimisht trysninë ndaj Kosovës për kompromise në dialog, në vend se ta bëjë ndaj Serbisë, e cila ka hyrë në gjendje të delegimit të sovranitetit tek Rusia).

Sidoqoftë jemi para zhvillimeve, në të cilat do të kuptohet shpejt, se nga do të vijojë të vendoset Serbia, në bllokun perëndimor apo në atë lindor, në krye me Moskën.

Paktet apo traktatet që mund të ketë lidhur Serbia me Rusinë, dhe që Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, oficeri i parë i inteligjencës së Kremlinit, Patrushev, i referohej si marrëveshje Putin-Vuçiq, ajo do të jetë e detyruar t’i zbatojë, për aq kohë sa Putini do ta ketë situatën ende nën kontroll, si të luftës në Ukrainë, si të situatës së brendshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat