Rijad Hyseni është 14 vjeçari që u ther sot me thikë në shkollën “Hilmi Rakovica” në Kodrën e Trimave.
Lajmin për vdekjen e tij pos policisë, e kanë konfirmuar edhe familjarët e të ndjerit përmes një postimi në Facebook bashkë me një fotografi të tij.
“Njoftim
Të dashur miq e familjarë,
Me dhimbje të madhe e pikëllim, ju njoftojmë se me datën 01.03.2022 tragjikisht u ndërrua nga jeta më i dashuri ynë Rijad (Besim) Hyseni (11.03.2007-01.03.2022).
Për varrim ju njoftojmë me kohë.. E piklluara familja Hyseni”, shkruan familja Hyseni.
Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, 14-vjeçari u ther me thikë disa herë teksa po shkonte në shkollë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një rast vrasje, në rrugën ‘Fahri Fazliu’, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.
Bazuar në të dhënat fillestare, personi i cili dyshohet se ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë) dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF), ku dhe është konstatuar vdekja e tij”, tha ajo.