Paralajmërimi për Serbinë, ndëshkimi nga i cili nuk e shpëton Moska!

Aktuale

Paralajmërimi për Serbinë, ndëshkimi nga i cili nuk e shpëton Moska!

Nga: Idriz Morina Më: 1 mars 2022 Në ora: 19:14

Serbia tashmë hapur është në anën e Rusisë, jo vetëm me reagime simbolike, sikurse ishte mbledhja e OSBE-së në Vjenë, kur diplomati i saj, mbeti aty vetëm me disa diplomat nga disa shtete satelite të Rusisë.

Por, tashmë është e qartë, pasi Serbia, si një shtet që është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian, refuzoi t’i bashkohet atij, për ta dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe më keq akoma refuzoi, t’i vendoste sanksione, e aq më tepër që t’i dërgojë ndihma ushtarake dhe të tjera Ukrainës.

Paralajmërimi për Serbinë

Ky qëndrim i Serbisë, e ka shtyrë Bashkimin Europian, që ta përfshijë edhe atë në tekstin e rezolutës për Rusinë.

“Parlamenti Europian shpreh keqardhjen për mospërputhjen e Serbisë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, gjë që është e dëmshme për procesin e saj të anëtarësimit. Theksojmë pritshmërinë që vendet kandidate për anëtarësim në BE të harmonizohen jo vetëm me kriteret e BE-së, por edhe me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së".

Pra, Serbia ka refuzuar të jetë në harmoni me kriteret e kërkuara nga BE-ja për vendet që duan të jenë anëtare të saj, ka refuzuar harmoninë në diplomaci të BE-së dhe në politika të sigurisë, që në rastin e Ukrainës është thelbësore.

Besoj se ju kujtohet lexues të nderuar kur dy përfaqësues të lartë të BE-së, Borell dhe Lajçak, kërkonin që Kosova ta shkelte Kushtetutën dhe ta pranonte asociacionin për komunat me shumicë serbe, ashtu siç ishte nënshkruar në marrëveshjet e 2013-ës dhe 2015-ës.

Në dy shkrime të ndryshme pata argumentuar se kërkesat e tilla përbënin veç tjerash shkelje të parimeve të vlerave europiane, se ishin kundër vetë sistemit të demokracisë burimore të kulturës perëndimore, kur respektimi i rendit dhe ligjit, në këtë rast atij kushtetues është mbi të gjitha.

Dhe pikërisht pse tashmë Rusia i shkeli këto parime, i gjithë Perëndimi është ngritur kundër Rusisë. Pra, ky reagim nuk vjen vetëm si kundërpeshë ndaj të keqes dhe luftës, por edhe për shkak se Vladimir Putini, dhe politika ruse, ka vendosur ta shtypë Ukrainën duke shkelur mbi këto vlera Perëndimore.

Mbi të gjitha këto vlera, shprehen në marrëveshjen e 1994-së të nënshkruar në Budapest, kur Ukrainës iu garantua nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, Pavarësia dhe sovraniteti me pajtim me Rusinë, e cila në shkëmbim do të merrte 1900 koka bërthamore ukrainase.

Ukraina ishte fuqia e tretë bërthamore aso kohe, dhe në emër të lirisë dhe demokracisë, ajo hoqi dorë nga ai potencial i jashtëzakonshëm ushtarak, dhe i sigurisë.

Paranoja e Putinit

Rusia e Putinit nuk u ndal, duke e shkelur këtë marrëveshje fillimisht me pushtimin e Krimesë në vitin 2014, dhe duke vazhduar me nxitjen e separatizmit në dy krahinat ukrainase, Luhan dhe Donetsk.

Padyshim që Putini si diktator, njëri nga më jetëgjatit në Rusi, është shndërruar edhe në një paranojak të rrezikshëm, të cilën e përshkruan (mbase edhe si thashetheme), profesori në Universitetin Johns Hopkins dhe London Schol of Economics, Peter Pomerantsev, në një shkrim të tij për revistën “Time”: Putin, zyrtarëve që e vizitojnë u bën teste fecesi (ose kështu së paku janë thashethemet) për t’u siguruar se nuk janë të sëmurë. Që nga shfaqja e Covid 19, zyrtarët duhet të izolohen disa javë para se ta takojnë atë”.

Dhe më tej shpjegon, se kur ata nuk kanë mundësi të bëjnë teste, i mban larg si Presidentin e Francës Makron, edhe gjeneralët rus.

Ashtu si profesori Pomerantsev, që shpreh dyshimin se Putini po bën luftë me kohën, për ta shtyrë vdekjen, në informacione më të bazuara duket se ka qenë në nëntor të vitit 2020, profesori Valery Solovei, i cili ka qenë ish-historian në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë deri në vitin 2019, kur ishte cituar të thoshte se Putini mund të kishte sëmundjen e Parkinsonit dhe kancerin. Të dyja këto sëmundje të rënda, mund ta kthejnë në paranojak, dhe ta bëjnë të rrezikshëm, të paparashikueshëm një diktator.

Frikën dhe paranojën e tij të shkallës më të lartë e konfirmoi, kur iu kërcënua botës, se është i gatshëm t’i shtyp butonat e bombave bërthamore.

Përveç frikës dhe ankthit europian dhe thuaja botëror që është duke e shkaktuar Putini me kërcënimin bërthamor, për ne shqiptarët është e frikshme se Putini aktualisht e kontrollon Serbinë.

Një sulm i papritur i shoqëruar me armatim të rëndë të dhuruar nga Rusia, Serbia në goditjen e parë mund të kryejë një sulm agresiv të rrezikshëm, në ‘emër të mbrojtjes së pakicës së rrezikuar serbe’. Madje Putini edhe mund ta detyrojë Serbinë ta bëjë këtë, duke pasur parasysh, se mund t’i ketë nën kontroll shefin e Inteligjencës serbe, shefin e ushtrisë, ministrin e Mbrojtjes, e me shumë gjasë edhe Vuçiqin, i cili ka kohë që e ka mashtruar Perëndimin.

Mbështetja që po vie

Serbia mund të bëhet për neve e parrezikshme, vetëm nëse e denazifikon Perëndimi, por kjo pak gjasa të ndodhë, përveç në rast të ndonjë sulmi ndaj Kosovës, ose nëse hapet një konflikt i pakontrolluar në Bosnje, nga Republika Serbe e mbështetur nga Serbia.

Ky rrezik sot është konfirmuar edhe në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Evropian, ku në rezolutë shprehet shqetësimi se Rusia po tenton fuqishëm që ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

“Shohim me shqetësim të thellë përpjekjet këmbëngulëse të Federatës Ruse për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndërhyrjen në proceset e tyre demokratike”, thuhet në tekstin e rezolutës.

Në ndërkohë, të martën LDK-ja pas një kohe të gjatë ka bërë një propozim të duhur dhe të rëndësishëm, që Kosova të aplikojë për anëtarësim të shpejtë në NATO dhe në BE.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të Republikës së Kosovë në NATO dhe në BE”, thuhet në tekstin e Projektrezolutës së LDK-së, që i është dërguar për miratim Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat