Presidenti i Turqisë, Recep Tayipp Erdogan pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka deklaruar se vendi i tij e ka ndihmuar procesin e përshpejtimit të njohjeve të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.
“Kontaktet tona për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces dhe për të sjellë njohje të reja nga vendet që ende se kanë njohur vazhdojnë. Presidentja Osmani në takimin që kishim më dha emrat e disa vendeve në përpjekje për të siguruar njohjet e reja dhe urojmë që kjo të ndodhë“, ka thënë Erdogan në konferencë për media në pyetjen e medias nëse Turqia do ta ndihmojë procesin e njohjeve, duke pasur parasysh se kohët e fundit ka një ngecje në këtë drejtim.
Ndërkaq në pyetjen nëse Turqia do të mund ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në NATO, ai është shprehur: “Sa i përket çështjes së anëtarësimit të Kosovës në NATO, ju e dini se Turqia si vend i rëndësishëm nuk shohim se nuk shkon diçka në këtë drejtim. Për ta mbështetur procesin e Kosovës ne nuk kemi nevojë të marrim leje nga askush. Ne i kemi ndërmarrë hapat tonë ashtu siç e kemi ndihmua procesin e njohjeve, do të veprojmë edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në NATO”, ka thënë Erdogan.