Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, ka komentuar situatën e krijuar pas fillimit të luftës mes Rusisë e Ukrainës.
Cana tha se siguria në Evropë, me pushtimin e Ukrainës ka ndërruar përgjithmonë, pavarësisht se cfarë do të ndodhë më këtë shtet.
Tutje, ai thotë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos shihet si oportuniste, por të ketë synim të qartë, sepse, sipas tij, anëtarësimi në NATO është përtej deklarimeve ditore.
“Kosova në aspektin afatmesëm e afatgjatë, prioritet numër një duhet ta ketë NATO-n e jo BE-në. Tani, duhet ta shfrytëzojmë momentumin për forcimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes hapave konkret”, ka thënë Cana.
Cana, i cili ka qenë edhe konsull në Strasburg, më tej tha se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në NATO duhet të vazhdojë.
“Kërkesa e Kosovës për NATO duhet të vazhdoj, por ne në këtë situatë duhet të punojmë në pikat ku mund të kryejmë punë dhe ta shfrytëzojmë shtetësinë e Kosovës dhe kjo mund të ndikoj që ne të jemi në pozitë më të fuqishme në raport me Serbinë”.
“Mendoj që ministri i Mbrojtjes duhet të shkojë të bisedojë me shtetet anëtare të NATO-s e jo të bëjë cicërima në Twitter, s’jam kundër kësaj por puna e qeverisë është punë që s’shihet”, është shprehur Cana.
Për Canën, anëtarësimi i Kosovës në NATO është i paarritshëm tani për tani, përkundër sensibilizimit publik dhe përgatitjes së terrenit që mund të ketë.
“Mund të jenë të mundshme sensibilizimi publik, përgatitja e terrenit, por janë dy pika ku duhet të fokusohemi; fuqizimi i shtetësisë së Kosovës dhe pozita e Serbisë në raport me Kosovën është dobësuar dhe ne në dialog mund të fitojmë më shumë”, ka thënë ai.