Qeveria e Kosovës themeloi të martën, Fondin e Sigurisë.
Mjetet monetare, që do të grumbullohen nga vullnetarët në të, u tha se do të shkojnë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Iniciativën, ekzekutivi, e ndërmori tash kur në Evropë është evident pushtimi ushtarak rus në Ukrainë.
Atë po e përshëndet gjenerali, Kadri Kastrati.
Thotë se njëjtë para tri dekadave u veprua në Kroaci.
“Atje më 1991 deri më 1995 u grumbulluan miliona euro. Nuk më kujtohet saktë se sa. Por e di që populli kroat hynte edhe në kredi për të mbledhur para për ushtrinë”, u shpreh Kastrati.
“Kuleta” kosovare e dedikuar për nevojat e ushtrisë ka nisur të mbushet. Shumë politikanë e artistë kanë njoftuar për dërgim të të hollave aty.
Paratë e mbledhura, sipas Kastratit, ushtria kosovare duhet t`i shpenzojë për këto qëllime.
“Armatime, artileri, armë kundërajrore, armë kundër mjeteve të blinduara, armë personale dhe për trajnime të ushtarëve, brenda e jashtë vendit. FSK-ja ka nevojë dhe këto nuk mund t`i realizojë me buxhetin aktual, i ndarë për të”, theksoi Kastrati.
Llogaria bankare për “Fondin e Sigurisë” u hap të mërkurën.
Ajo do të menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve.
Nga Komisioni për Mbikqyrjen e Financave Publike kërkojnë që gjithçka që lidhet me fondin për siguri të jetë transparente.
Anëtarja e tij, deputetja e AAK-së Albana Bytyqi siguroi se do të kërkojnë llogari nëse shohin ndonjë parregullsi.
“Nëse e shohim se po keqpërdoret do të intervenojmë dhe do të marrim masa. Do të kërkojmë llogari”, deklaroi ajo shkurt.