Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, ka folur sot rreth marrëveshjes për transferimin e 300 të burgosurve danezë në burgjet e Kosovës.
Ai në konferencën e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT), me temën “Marrëveshja në mes Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e të burgosurve në Kosovë: Implikimet në standardet e të drejtave të njeriut, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar është në interesin e të dyja vendeve.
Haekkerup: Po e forcojmë bashkëpunimin Kosovë-Danimarkë
“Siç e dini, në dhjetor të vitit të kaluar, ministrja e Drejtësisë së Kosovës dhe unë nënshkruam një memorandum mirëkuptimi, në të cilën shprehëm vendosmërinë tonë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin mes Danimarkës dhe Kosovës në fushën e shërbimeve të burgjeve. Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, e bën të qartë angazhimin tonë të përbashkët për të përfunduar një traktat në të cilin Kosova dhe Danimarka përcaktojnë kushtet që Danimarka të marrë me qira kapacitetin e burgjeve në Kosovë për 300 të burgosur. Siç e kam deklaruar edhe në atë kohë, më vjen shumë mirë që jemi të një mendjeje sa i përket përfitimeve të marrëveshjes për këtë çështje”, tha ai.
Haekkerup tha se gjatë përcaktimit të kapaciteteve të burgjeve, Ministria e Drejtësisë në Danimarkë ka marrë informacione se Kosova ka tepricë të kapaciteteve të burgjeve.
Haekkerup: Shërbimet e korrektimit në Danimarkë janë të mbingarkuara
“Disa prej jush do ta dinë se infrastruktura korrektuese në Danimarkë është aktualisht shumë e mbingarkuar. Dhe në këtë moment, përdorimi mesatar i kapacitetit të burgjeve në Danimarkë e kalon 100%. Prandaj, prioriteti kryesor i qeverisë daneze ka qenë zgjidhja e çështjes së prezencës mbizotëruese në Danimarkë. Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe zgjidhjeve të ndryshme të mundshme, ne filluam të eksplorojmë mundësinë e një partneriteti me një vend tjetër, me synimin për të marrë me qira kapacitetin e burgut, pa dyshim kjo nuk është një marrëveshje krejtësisht e re. Gjatë përcaktimit të kapacitetit të burgjeve në një vend tjetër, ne u informuam se Kosova aktualisht ka një tepricë të kapacitetit të burgjeve. Fakti që Kosova mund të kishte kapacitet burgu që tejkalon kërkesat e saj nuk ishte arsyeja e vetme pse vendosëm të hynim në dialog me Kosovën, përveç qëndrimit shumë pozitiv dhe konstruktiv që patëm gjatë bisedimeve tona fillestare joformale me ministren e Drejtësisë në Kosovë, ne kemi ndjerë se një marrëveshje me Kosovën për këtë çështje, mund të vendosë bazat për aktivitete të tjera bashkëpunimi në të ardhmen, nga të cilat do të përfitonin të dyja vendet tona. Prandaj jam jashtëzakonisht i kënaqur që kemi arritur kaq larg në dialog dhe në negociatat tona”, tha ai.
Për më tepër, ministri danez tha se marrëveshja për transferimin e të burgosurve do të jetë në interes të dyja vendeve.
Haekkerup: Kjo marrëveshje është në interes të dy vendeve tona
“Siç e përmenda fillimisht, një marrëveshje mes vendeve tona do të ishte, në këndvështrimin e qeverisë daneze, një hap në drejtimin e duhur sa i përket zgjidhjes së çështjes së kapacitetit të burgjeve në Danimarkë, por më lejoni të them se nga marrëveshja e ardhshme përfundimisht nuk do të përfitojë vetëm Danimarka. Unë vërtet besoj se kjo marrëveshje është në interes të të dy vendeve tona dhe është i qartë përfitimi për Kosovën, sepse marrëveshja do t'i mundësonte Kosovës të shfrytëzojë me efikasitet kapacitetin e saj të burgjeve. Marrëveshja do t'i mundësojë Kosovës të investojë më tej në sistemin e burgjeve të Kosovës, dhe të vazhdojë zhvillimin aktual pozitiv kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit në terma të gjerë. Marrëveshja do të shërbente gjithashtu si bazë për bashkëpunim të ndërsjellë të dobishëm në fushën e Shërbimeve Korrektuese. Do të mbulonte, për shembull, arsimin dhe trajnimin, do të mbulonte shkëmbimin e praktikave dhe përvojës më të mirë si dhe një mbështetje dhe bashkëpunim më të gjerë në lidhje me sistemin korrektues,” tha Haekkerup.
Qendra korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në Pasjak, në afërsi të Gjilanit dhe aty do të vendosen 300 të burgosur, që nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.
Kosova në 10 vjetët e ardhshme duke i lëshuar 300 qeli burgu me qira shtetit të Danimarkës, pritet të përfitojë një shumë prej 210 milionë eurosh. Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.
Po ashtu vlen të theksohet se me këtë marrëveshje parashihet se të dyja palët e njoftojnë njëra-tjetrën një vit më herët në rast të shkëputjes së marrëveshjes.