Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës është një nga ngjarjet më tragjike të viteve të fundit.
Ai gjatë intervistës ka deklaruar se populli i Kosovës e ndjenë shumë më ndryshe atë nëpër të cilën po kalon populli ukrainas, duke pasur parasysh se e ka historinë e freskët nga tmerret e luftës që përjetoi nga Serbia.
“Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, i cili nuk ishte i provokuar, është një nga ngjarjet më tragjike të këtij viti, por edhe të shumë viteve të fundit sepse po flasim për pushtimin ajror dhe tokësor të një shteti të pavarur dhe sovran, i cili nuk e ka provokuar me veprimet e tij një gjë të tillë. Ne si Kosovë që e kemi përjetuar vetë luftën, një luftë të pabarabartë, e ndjejmë edhe më ndryshe se sa shtetet që më të vërtetë janë duke e mbështetur popullin dhe Qeverinë e Ukrainës, sepse në lëkurën tonë e kemi përjetuar tmerrin e luftës”, tha Krasniqi.
Sa i përket faktit që Serbia është vendi i vetëm në Evropë që ka mbetur në anën e Rusisë, Krasniqi ka thënë se Beogradi zyrtar vazhdimisht ka qenë në anën ruse.
“Serbia që nga themelimi i saj si shtet ka qenë një marionetë në duart e Rusisë. Raporti mes tyre ka shkuar duke u forcuar sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Sponsori kryesor i Serbisë vazhdon të jetë Federata Ruse. Interesi i Rusisë është të ketë një përfshirje sa më të madhe në Evropë veçanërisht në Evropën Juglindore dhe duke qenë se dyert i ka të mbyllura te të gjitha shtetet tjera ajo ka gjetur mbështetjen tradicionale te Serbia”, ka nënvizuar Krasniqi.