(E plotësuar 12:14) - Kuvendi i Kosovës me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka votuar rezolutën e cila e dënon agresionin ushtarak dhe invazionin e federatës ruse mbi Ukrainën dhe popullin e saj.
Të gjitha grupet parlamentare përveç Listës Serbe që nuk mori pjesë në këtë seancë, e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë.
Lista serbe fillimisht mori pjesë në seancë, por pankartat në mbështetje të Ukrainës, të vendosura para ulëseve të tyre, i kthyen përmbys. Kurse, kur erdhi koha për ta miratuar rezolutën, ata lëshuan sallën.
Abdixhiku: Serbia është replikë e Rusisë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në seancën e Kuvendit të Kosovës ka dënuar qëndrimin e shtetit serb për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse e cila është duke kryer agresion ndaj një shteti sovran siç është Ukraina.
Ai ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të ketë të qartë se Serbia nuk është e interesuar të merret me vlerat demokratike mirëpo dëshiron të imitojë Federatën Ruse.
Ka tërhequr vërejtjen se Serbia nuk pendohet për të kaluarën e saj dhe se rreshtimi me Federatën Ruse është një dëshmi për komunitetin ndërkombëtar.
“Serbia do të mbetet në anën e errët të historisë si mbështeti i vetëm i agresionit rusë. Ky shtet refuzon distancimin nga tirania poashtu refuzon vendosjen e sanksioneve dhe sot ushqen propagandën ruse në rajon. Ata(Bashkimi Evropian) duhet të kuptojnë që kandidati i tyre për anëtarësim në Evropë është replikim indetik i Rusisë”, ka thënë Abdixhiku.
Ka deklaruar se kërcënimi i Serbisë përfundon në momentin që Kosova anëtarësohet në aleancën ushtarake të NATO-së.
Kurti: Serbia me pozicion ‘edhe-edhe’ ndaj luftës në Ukrainë, ne dënojmë agresionin rus por edhe mosdënimin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për situatën e krijuar në Ukrainë, askush nuk duhet të rrijë indiferent.
Sipas tij sulmi mbi Ukrainën është, sulm mbi botën e civilizuar.
”Askush nuk duhet të rrijë indiferent. Sulmi mbi Ukrainën, është sulm mbi botën e civilizuar. Ukrainasit nuk e kërkuan këtë luftë, ata nuk e filluan këtë luftë”.
”Në radhët e gjata të qytetarëve të dëbuar, na rikthehet ankthi i dëbimit masiv të qytetarëve tanë. Ne jemi popull paqedashës i liridashës, prandaj edhe e gjejmë veten edhe në heroizmin e tyre për të luftuar në vendin e tyre”.
”Ne kemi dënuar dhe dënojmë fuqishëm agresionin rus. Protagonisti i kësaj lufte të tmerrshme, beson në ringjalljen e një perandorie të vdekur. Ai nuk përfaqëson ideologji, kauzë, apo lëvizje progresiste. Ai është thjeshtë produkt i një sistemi thellësisht të korruptuar, që ka prodhuar një autokrat të zemëruar për të tashmen, e nostalgjik për të kaluarën. Tepër shumë pushtet, për tepër gjatë kohë, që bie në kurrizin edhe të popullit të vet, por edhe të fqinjëve të shtetit të tij”.
”Ne dënojmë dhe mosdënimin e agresionit rus nga fqinji ynë verior Serbia, dhe mosvënien e sanksioneve”.
Ai madje u shpreh se Serbia po tenton të luaj me dy pozicione.
”Pozicioni ‘edhe – edhe’, duke tentuar të luaj qendrën e dyfishtë, edhe me Moskën edhe me Brukselin, edhe me Washingtonin edhe me Pekingun, është pozicion edhe me autokracinë edhe me demokracinë. Por, ndaj agresionit të Rusisë e pushtimit të Ukrainës, nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në Bashkim Europian, kur të gjithë BE e dënon dhe sanksionon fuqishëm”.
”Qartazi dhe të vendosur, secili duhet ta dënojë invazionin rus dhe agresionin ushtarak. Si kurrë më parë, njerëzimi sot posedon mjete, për ta shkatërruar veteveten. Në rrezik është e gjithë arkitektura e sigurisë që është krijuar pas dy luftërave botërore. Në rrezik është rendi i një bote të qytetëruar”.
”Nëse bota nuk vepron e bashkuar, në rrezik është e ardhmja jonë e e ardhmja e përbashkët e të gjithë nesh. Ledhatimi i autokratëve, nuk i bënë ata demokratë, por i shndërron ata në diktaorë”.
Kusari-Lila: Të përgatitemi për pranimin e refugjatëve nga Ukraina
Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar për situatën në Ukrainë.
Në këtë seancë është dënuar agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka shkelur rregullat ndërkombëtare duke shkelur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës.
Ajo ka thënë se trupat ushtarake ruse janë duke dhunuar të drejtat e qytetarëve ukrainas duke i detyruar që të largohen edhe nga shtëpitë e tyre.
Kusari ka deklaruar se rezoluta e cila është propozuar në Kuvendin e Kosovës i jep përkrahje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet për ndarjen e një fondi të veçantë për Ukrainën si dhe përgatitjen për pranimin e refugjatëve.
“Sot kemi mbi 2 mijë civilë të vrarë në Ukrainë dhe mbi 1 milionë refugjatë. Skenari i agresionit rus ndaj Ukrainës ka të njëjtën frymë sikur skenari i gjenocidit të Sllobodan Millosheviqit në Ballkan”
“Vladimir Putini gënjen se kinse po i mbron rusët në Ukrainë ndaj të cilëve po zhvillohet gjenocid dhe se në Ukrainë po rrezikohet kisha ruse. Me anë të rezolutës ne do t’i japim mbështetje Qeverisë për një fond të veçantë dhe përgatitjen për të pranuar refugjatët nga ky shtet”, ka thënë ajo.
Krasniqi: Qeveria ta mundësojë strehimin e 5 mijë ukrainasve
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria ta mundësojë strehimin e 5 mijë qytetarëve të Ukrainës.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Krasniqi tutje tha se partia e tij ka kërkuar nga Qeveria edhe një fond të veçantë për Ukrainën për t’iu dalë në ndihmë në këtë periudhë.
“Ne e kuptojmë shumë mirë dimensionin tragjik të asaj me çka po përballen qytetarët ukrainas përball agresionit rus. E kemi dënuar këtë agresion që po ndodh sot në zemër të Evropës, hapi i duhur që këtë agresion të padrejtë ta dënojmë edhe ne si përfaqësues të këtij vendi këtu në Kuvend përmes kësaj rezolute. E kemi shprehur mbështetjen tonë të plotë. Ne si PDK vlerësojmë se Kosova duhet të shkojë edhe një hap më tej për të ofruar mbështetjen konkrete për Ukrainën. Kemi kërkuar që Qeveria të ndajë një fond të veçantë për Ukrainën që t’iu dalë në ndihmë në këtë periudhë”, tha Krasniqi.
“Kriza humaniste po merr karakter të shpërnguljes të dhunshme të Ukrainës, kërkuam nga Qeveria që në rast nevoje të mundësojë strehimin e 5 mijë ukrainasve. Duhet t’i hapim dyert e vendit tonë që sot njerëzit janë detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre”, tha ai.
Kusari-Lila: Putini po gënjen sot si dikur Millosheviqi për ta arsyetuar agresionin e vetë
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Vladimir Putin po gënjen sot si dikur Sllobodan Millosheviq, duke përdorur çdo mjet propagande dhe gënjeshtre për ta arsyetuar agresionin e vetë.
Ajo tha se Putini po gënjen sikur po i mbron rusët në Ukrainë ndaj të cilëve kinse po ndodh gjenocid.
Deputetët mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave në Ukrainë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë pajtuar që të tërheqin nga rendi i ditës tri pikat e para dhe të kalojnë drejtpërdrejt në pikën ku do të trajtohet rezoluta në mbështetje të Ukrainës.
Deputetët gjithashtu kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat civile të cilat janë vrarë nga invazioni i Rusisë në Ukrainë.
“Zemrat dhe mendjet tona janë me ta dhe me familjet e tyre, ne qëndrojmë së bashku me popullin e Ukrainës”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Deputetët kanë mbajtur në duar pankarta në të cilat shkruhej se qëndrojnë me Ukrainën.
Ndërsa shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në hapje të seancës së Kuvendit ka deklaruar se janë pajtuar me grupet e tjera parlamentare që të tejkalohen tri pikat e para të rendit të ditës dhe të kalohet në trajtimin e rezolutës në mbështetje të Ukrainës.
“Ne shefat e grupeve parlamentare jemi dakorduar dhe propozojmë mocionin procedural sot që në seancën e rrregullt të Kuvendit të Kosovës të kalojmë pikën 1,2 dhe 3 dhe të kalojmë në pikën e trajtimit të rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të Ukrainës në këto ditë kur po ballafaqohen me agresionin rus”, ka thënë Kusari-Lila.
87 deputetë kanë votuar për shmangie nga rendi i ditës.
***
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në shenjë solidarizimi me popullin e Ukrainës, kanë vendosur pankarta në para çdo ulëse të tyre me mbishkrimin “ne qëndrojmë me Ukrainën”.
Ndërkohë, pas dakordimit midis grupeve parlamentare, në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila posa ka nisur, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe “Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus”.
AAK-ja u shpërndan deputetëve pankartat me flamurin e Ukrainës
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka ndarë pankarta me flamuj të Ukrainës të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Ka nisur seanca e Kuvendit.
Sot mbahet seanca e Kuvendit, në rend dite rezoluta në mbështetje të Ukrainës
Pas dakordimit midis grupeve parlamentare, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe “Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus”.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në seancë plenare. Seanca pritet të fillojë në ora 10:00 e që në rend të ditës fillimisht do të jenë deklarimet e jashtë rendit të ditës, për të vazhduar më pas me pyetjet parlamentare.
Në rend dite do të jetë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar. Po ashtu do të shqyrtohet vendimi i Qeverisë për vazhdimin e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Rendi i ditës:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-034 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar,
5. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.14/62 datë 23.02.2022, për vazhdimin e masave emergjente në furnizimin e energjisë,
6. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidateve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave,
7. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga komunitetet joshqiptare.
Vendi: Kuvendi i Kosovës
Koha: 10:00