Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria ta mundësojë strehimin e 5 mijë qytetarëve të Ukrainës.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Krasniqi tutje tha se partia e tij ka kërkuar nga Qeveria edhe një fond të veçantë për Ukrainën për t’iu dalë në ndihmë në këtë periudhë.
“Ne e kuptojmë shumë mirë dimensionin tragjik të asaj me çka po përballen qytetarët ukrainas përball agresionit rus. E kemi dënuar këtë agresion që po ndodh sot në zemër të Evropës, hapi i duhur që këtë agresion të padrejtë ta dënojmë edhe ne si përfaqësues të këtij vendi këtu në Kuvend përmes kësaj rezolute. E kemi shprehur mbështetjen tonë të plotë. Ne si PDK vlerësojmë se Kosova duhet të shkojë edhe një hap më tej për të ofruar mbështetjen konkrete për Ukrainën. Kemi kërkuar që Qeveria të ndajë një fond të veçantë për Ukrainën që t’iu dalë në ndihmë në këtë periudhë”, tha Krasniqi.
“Kriza humaniste po merr karakter të shpërnguljes të dhunshme të Ukrainës, kërkuam nga Qeveria që në rast nevoje të mundësojë strehimin e 5 mijë ukrainasve. Duhet t’i hapim dyert e vendit tonë që sot njerëzit janë detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre”, tha ai.