U raportua sot për arrestimin e Berat Lahut, asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje me titull: “Arrestohet dhëndri i ministrit Liburn Aliu”. Sqarojmë se në këtë artikull na është përvjedhur një gabim i paqëllimshëm.
Ndaj asamblistit të LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Prokuroria e Shtetit ka lëshuar urdhër-arrest mbi dyshimet për përfshirjen e tij në rastin “Brezovica”, bazuar në dokumentet.
Kësisoj, ai nuk është arrestuar.
Shtëpia e asamblistit Lahu është bastisur sot rreth orës 05:00 të mëngjesit, por ai nuk është ndodhur aty. Policia e Kosovës i ka lënë atij një ftesë për paraqitje në stacionin policor dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor.
Në një prononcim për portalin Indeksonline të enjten, Lahu ka thënë se nuk ndodhet në Kosovë. Ka thënë se vend-ndodhja momentale e tij është Belgjika.
Berat Lahu, është dhëndër i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ai është anëtar i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Aksioni ‘Brezovica’, për të cilin u prangosën shtatë persona të enjten, ka vazhduar sot për të tretën herë me radhë, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në zonën e Brezovicës.
Sot janë bastisur 12 lokacione në katër qytete të Kosovës, në Ferizaj janë bastisur 5 lokacione, 1 në Lipjan, 1 në Skenderaj dhe 5 të tjera në Prishtinë.