​Aksioni “Brezovica 3”, tetë të arrestuar ndalohen për 48 orë

Aktuale

​Aksioni “Brezovica 3”, tetë të arrestuar ndalohen për 48 orë

Më: 3 mars 2022 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica 3” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur 12 lokacione të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

Fillimisht janë arrestuar shtatë persona të dyshuar, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe katër pronarë të kompanive ndërtimore, ndërsa, gjatë ditës është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar.

Tetë personat e arrestuar me inicialet A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, tri armë, një karikator me pesë fishekë të kalibrit 7.65mm, tre fishekë të kalibrit 6.35mm, 20 fishekë të kalibrit 7.62mm, një kompjuter, një veturë e tipit X6, pesë telefona, një orë dore.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat