Kryeministri i Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se është themeluar Fondi për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”. Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria”.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij. Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore”, shkroi në njoftimin e tij kryeministri Kurti.
E tashmë në këtë fond kanë filluar që të deponohen para nga të gjithë shqiptarët, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë.
E mërgimtari Xhevat Shyqeri Berisha që jeton dhe vepron në Gjermani, ka deponuar 10 mijë euro në Fondin për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Për ta forcuar ushtrinë e Kosovës, unë i transferova -10000€”, ka shkruar Berisha, teksa ka bashkangjitur edhe dëshminë e transferit.
Kujtojmë se Berisha ishte shprehur i gatshëm që të kontribuojë edhe për blerjen e dronëve ushtarak.
“Po qe se Komandantja supreme e ushtrisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kërkon mjete finaciare për ta forcuar ushtrinë tonë, unë për fillim i dhuroi 10.000€ (Dhjet mijë €)”, ka shkruar Berisha, përcjellë “Bota sot”.