Arian Idrizaj është arrestuar dje në aksionin “Brezovica 3”.
Biznesmeni nga Prishtina dyshohet për dhënie ryshfeti. I njëjti ka edhe aktakuzë të hapur për “degradim të ambientit” në Sharr.
Biznesmeni Arian Idrizaj është njëri nga tetë të arrestuarit në rastin “Brezovica 3”, aksion ky që u zhvillua gjatë ditës së djeshëm në tri lokacione.
Idrizaj dyshohet se ia ka dhënë 100 mijë euro, ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.
“Për të pandehurin A.I., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar [v.j. ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq] që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt.
Biznesmeni nga Prishtina dyshohet për veprën penale “dhënie ryshfeti” dhe “ushtrim të ndikimit”, pasi për këtë të fundit, gjithmonë sipas njoftimit të Prokurorisë, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar [v.j. ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq], që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij.
Për Idrizajn dhe shtatë të arrestuarit në rastin “Brezovica 3” Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, thuhet në njoftimin Prokurorisë ferizajase.
Ndryshe, biznesmeni Idrizaj, ka edhe një aktakuzë të hapur pikërisht për degradim të ambientit në Parkun Kombëtar “Sharri”.
“Arian Idrizaj akuzohet se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore”, shkruan në aktakuzën.
Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Malokun, më 16 nëntor, të vitit 2020.
Mbi Idrizajn rëndojnë disa dyshime, sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Insajderi. “…në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe token, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit”, shkruhet në aktakuzën e vitit 2020.
Gjykimi ndaj Idrizajt dhe të tjerëve nuk ka nisur akoma, pasi të shtatë seancat e thirrura kanë dështuar për shkak të mungesës të të akuzuarve.
Një seancë e fundit, ishte thirrur më 14 shkurt të këtij viti, por edhe ajo ka dështuar – në këto rrethana, seanca fillestare për këtë rast është caktua më 15 mars, të vitit 2022.