Pacolli: Lufta e UÇK-së dhe lufta në Ukrainë sot janë luftë e civilizimit kundër barbarisë në Evropë

Aktuale

Pacolli: Lufta e UÇK-së dhe lufta në Ukrainë sot janë luftë e civilizimit kundër barbarisë në Evropë

Më: 6 mars 2022 Në ora: 13:50
Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, e ka kujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përvjetorin e saj.

Me anë të një reagimi në rrjetin social Facebook, Pacolli ka thënë se Epopeja e UÇK-së e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari shënon kulminacionin e sakrificës për lirinë dhe pavarësinë që gëzohet sot.

“Bota perëndimore njohu guximin, sakrificën, flijimin, dhe vullnetin e shqiptarëve për liri dhe shtet. UÇK-ja ishte në ballë të kombit, përderisa ajo çfarë gëzojmë sot, ishte besimi i ushtarëve, se kjo tokë e ky vend, përherë ka qenë, është, dhe do të mbetët, amaneti i njerëzve të saj”.

“Heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës. UÇK-ja u dha fund përpjekjeve për ta çuar Kosovën në autonomi dhe nën sundimin vazhdueshëm serb dhe bëri që populli i Kosovës të luftojë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Pas sakrificës së familjes Jashari, nuk kishte rrugë tjetër veç sakrificës kolektive për atdheun”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka deklaruar mes tjerash se “epopeja edhe lufta e UÇK-së në Kosovë dhe lufta në Ukrainë sot janë luftë e civilizimit kundër barbarisë në Evropë. Luftë kundër agresionit. Është lufta kundër fashizmit dhe tiranisë!”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat