Lufta në Ukrainë pas agresionit rus po vazhdon që 11 ditë. Mbi 1 milion ukrainas janë larguar nga vendi.
Por një ngjarje interesante ka ndodhur ditëve të fundit atje.
Gruaja dhe djali i shqiptarit nga Kosova 38-vjeçar, Hydaver Murati, i cili jeton dhe vepron në Norvegji qe 22 vite, janë gjendur në zonat e luftimeve.
Muratit i është dashur shumë mund të që bashkohet sërish me gruan e tij ukrainase Olha Vashchuk, dhe djalin e tyre tre vjeçar. Por punën më të vështirë e ka realizuar një shtetas norvegjez.
Ata në këtë periudhë kanë qenë larg njëri tjetrit pasi ukrainasja Vashchuk nuk ka pasur lejeqëndrim në Norvegji dhe tre vite më parë asaj dhe djalit i është pamundësuar qëndrimi atje. Kësisoj, bashkëshortja dhe djali i Muratit kanë jetuar në Ukrainë.
Por tani djali dhe gruaja e kosovarit janë të sigurt dhe janë larguar nga Ukraina pasi shtetasi norvegjez Erik Helgesplass, i ka dalë në ndihmë për t’i larguar ata nga Ukraina.
Prej që ka filluar lufta në Ukrainë, Helgesplass udhëton pothuajse çdo të dytën ditë, vullnetarisht me një furgon të tijin, nga Kievi për në Moldavi dhe Sllovaki. Ai nxjerr refugjatë nga zonat e thella të luftës.
Kështu ka ngjarë edhe me familjen e kosovarit Murati. Helgesplass i mori gruan dhe djalin e Muratit nga Kievi dhe i afroi në kufirin me Sllovakinë ku i priste kryefamiljari kosovar.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/06/850x636_7bf60ede-50a1-4873-9318-9e715d3684d81646588263.jpg)
Situata e gruas së tij e cila duhet ta lëshonte vendlindjen, Ukrainën, Muratit ia kujton arsyen për të cilën ai është larguar nga Kosova.
Para 22 vitesh Murati u largua për të njëjtën arsye, nga lufta që kishte shpërthyer në Kosovë me agresorin serb.
Murati, në një deklarim prë të përditshmen norvegjeze, VG, ka thënë se ajo që po ndodhë në Ukrainë ia kujton periudhën e luftës në Kosovë.
“E kam përjetuar tërë luftën në Kosovë. Ajo që po ndodh tani sjell kujtime të luftës”, ka thënë Murati.
Autoritetet e Kosovës javën e kaluar kanë njoftuar se dy qytetarë kosovarë që ishin atje janë larguar në zona të sigurta për në kufirin me Poloninë.