​Përfundon seanca për pabarazinë gjinore të grave në shoqëri

Aktuale

​Përfundon seanca për pabarazinë gjinore të grave në shoqëri

Më: 7 mars 2022 Në ora: 07:32
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 17:25) - ​Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën u diskutua për pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.

Rezoluta e propozuar nga Tinka Kurti lidhur me kërkesën që Muzeu i Kosovës të krijojë hapësirë përmes së cilës do të paraqitej kontributi dhe sakrifica e grave gjate luftës, do të hidhet në votim në një seancë tjetër për shkak se rezoluta do të harmonizohet me kërkesat e grupeve tjera parlamentare.

Kurti ka thënë sot se në këtë mënyrë do të edukoheshin gjeneratat e reja me një frymë barazie.

Haxhiu: Të bashkohemi në një ide, që asnjëherë më në këtë Kuvend të mos fyhen deputetet apo gratë e kabinetit qeveritar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që asnjëherë më në Kuvend të fyhen gratë deputete apo ministra të kabinetit qeveritar.

Ministrja Haxhiu tha se për shumë vite në këtë Kuvend është prodhuar gjuhë fyese ndaj grave deputete e ministra. Ndonëse tha se që nga ardhja e Qeverisë Kurti, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Ky Kuvend mund të jetë shembull. Jo rrallë herë edhe nga Kuvendi i Kosovës kemi parë gjuhë seksiste, mizogjene dhe fyerje ndaj vajzave dhe grave, mirëpo edhe deputetet e këtij Kuvendi edhe ministret e kabinetit qeveritar. Ndoshta është koha e fundit që t’i japim fund këtyre problemeve nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, sikurse edhe nga kabineti qeveritar. Ndonëse për këta të fundit përgjatë kohës së Qeverisë Kurti nuk mbajë mend gjuhë seksiste apo mizogjene që i’u është bërë ndonjë deputeteje grua të këtij Kuvendit. Prandaj është mirë që sot të për bashkohemi në një ide, që asnjëherë më në këtë Kuvend të mos fyhen deputetët apo gratë e kabinetit qeveritar. Unë konsideroj që duhen të merren masa disiplinore ndaj këtyre deputetëve”, tha ministrja Haxhiu.

Ajo tha se vetëm kështu mund të arrihet të jepet një shembull i mirë. Tutje tha se diskriminimi gjinorë ka prodhuat dhunën në shoqërinë e vendit.

Dominimi i burrave ndaj grave i ka bërë ato të ndihen të pafuqishme. Pandemia ua ka cenuar grave edhe më shumë sigurinë e tyre. Vrasjet e vajzave dhe grave kanë shpërfaqur shumë në sistem të drejtësisë”, tha ajo.

Deputetët diskutojnë rreth pabarazisë gjinore të grave në shoqëri

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet rreth pabarazisë gjinore të grave në shoqëri, deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi ka thënë se e rëndësishme mbetet përfshirja e grave në sektorin e sigurisë.

Ajo ka thënë se në shoqërinë kosovare duhet luftuar për ambient të barabartë dhe për të drejtat e garantuara me ligj.

Mehmeti-Selimi: Roli i gruas duhet të ketë hapësirën e nevojshme në sektorin e sigurisë

“Në shoqërinë tonë duhet luftuar edhe për ambient të barabartë ashtu sikur edhe për të drejtat e garantuara me ligj. Sikur në përfaqësim politik në Kuvend apo në Qeveri, roli i gruas duhet të ketë hapësirën e nevojshme edhe në institucione të tjera, sidomos në ato të sigurisë, polici, ushtri e të tjera. Nëse dikur në luftë kishte Xheva e Fatmire, Kosova sot ka plot të tilla që mund t’i shërbejnë vendit tonë ndonëse në kushte dhe rrethana të tjera. E rëndësishme mbetet përfshirja e grave në sektorin e sigurisë në Kosovë, edhe pse në numër shumë të vogël gratë kanë qenë të përfshira në procesin e ndërtimit të sektorit të sigurisë”, ka thënë ajo.

E deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku ka thënë se gratë ballafaqohen me pabarazi në shumë fusha përfshirë pronën dhe trashëgiminë.

Ajo ka përmendur edhe dhunën ndaj grave dhe ngacmimet seksuale në rrugë për çka ka thënë se institucionet e sigurisë dhe gjyqësori duhet të distancohen nga gjuha dhe komunikimi patriarkal.

Bunjaku: Gratë shtatzëna nuk preferohen në vende pune për shkak se u duhet pushimi

“Gratë shtatzëna nuk preferohen në vende pune për shkak se duhet pushimi, prandaj në vend të urimit të bëjmë diçka korrekte. Urimi më i mirë është avancimi i barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës duke e respektuar ligjin. Prandaj edhe ne si LDK këtë rezolutë të propozuar do ta përkrahim”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka thënë se gratë duhet të jenë më të përfaqësuara në institucione.

Bytyqi: Çfarë kemi bërë për gratë që kanë mbetur të veja në luftë

“Çfarë kemi bërë dhe çka po bëjmë për gratë që kanë mbetur të veja në luftë, si i mbështetëm ato? Çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë për gratë e përdhunuara në luftë e ato të dhunuara e keqtrajtuara pas luftës? Pastaj të mendojmë se çfarë kemi bërë dhe çka po bëjmë për të parandaluar martesat e hershme dhe për të shtyrë gratë të marrin ato që i takojnë nga trashëgimia? Çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë që gratë të jenë më shumë të përfaqësuara në institucione? Mund të themi që kemi një përfaqësim pak a shumë të mirë në parlament por është e qartë se kemi ende shumë punë për të bërë në institucione të tjera”, ka thënë ajo.

E deputetja Albena Reshitaj ka thënë se kuota prej 30% që u garanton grave ulëse në Parlament po e kufizon pjesëmarrjen më të madhe të tyre.

Reshitaj: Duhet tejkaluar paragjykimet se politika konsiderohet fushë për burrat

“Përfundimisht duhet tejkaluar paragjykimet se politika konsiderohet fushë e dedikuar për burrat. Nëse analizojmë ndër vite situatën në tri institucionet kryesore politike të vendit, ky konstatim ende qëndron ndonëse në vitet e fundit kemi një progres të lehtë. Që nga viti 2000 në Kuvendin e Kosovës është bërë e mundur një shkallë minimale e përfaqësimit të grave përmes kuotës e cila u rezervon 30% të ulëseve kundrejt burrave. Personalisht mendoj që kjo praktikë duhet të ndryshohet”, ka thënë ajo. 

***

Në debatin parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqërim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk duhet të ketë procese zyrtare në Kuvend dhe Qeveri pa gratë dhe sipas tij ato duhet të konsultohen për çdo vendim që merret.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se duhet nxitur kultura dhe durimi tek burrat.

Kurti: Duhet të nxisim një kulturë durimi tek burrat

“Duhet ta nxisim një kulturë të durimit tek burrat, të mos reagojmë njëherë e sidomos të mos paragjykojmë me bazë gjinie. Ne duhet ta dekurajojmë imponimin e dominimin edhe aty ku nuk është në formën e vetme të dukshme. Duhet të sigurohemi që a po sfidohet një profesioniste apo një grua, a po diskriminohet një nxënëse apo një vajzë. E treta, jo vetëm thjesht përfshirje e grave e inkuadrim i grave, por pjesëmarrje e tyre sepse përfshirja, inkuadrimi nënkupton kontributin e grave, kurse pjesëmarrja nënkupton edhe fitimin edhe përftimin që e kanë gratë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka thënë se nevojitet emancipim i burrave sa i përket barazisë.

Kurti: T’u flasim pak më shumë burrave se çka është barazia

“Ne duhet të pranojmë kritikën, duhet t’i përcjellim analizat e organizatave të grave dhe kujtdo që na drejtohet me sugjerime për pjesëmarrje të grave. E dyta është emancipimi shoqëror me theks të emancipimit të burrave sepse shpeshherë kur themi emancipimi mendojmë t’i emancipojmë gratë, por vetëm emancipimi nënkupton që besa t’u flasim pak më shumë burrave sesa grave se çka është barazia edhe pse po ngjanë dhe nuk duhet të ngjajë diskriminimi. Pra, emancipim shoqëror që në spikamë ka vetëdijesimin dhe edukimin e burrave. Pra, emancipimi shoqëror është i nevojshëm por emancipimi dhe edukimi i burrave më së shumti e më së shpejti”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se edhe për çdo vendim që nuk është në duart e grave, duhet patjetër konsultimi me to.

Kurti: Duhet të sigurohemi që të mos kemi procese zyrtare në Parlament dhe qeveri pa gra

“Ne duhet të sigurohemi të nderuar deputetë që të mos kemi procese zyrtare as në parlament as në Qeveri pa gra, për çdo vendim që merret nëse nuk është në duar të grave me patjetër duhet të konsultohen ato. Nuk ka tema që nuk i prekin jetët e grave por ka tema të mëdha që prekin vetëm jetët e grave andaj le t’i dëgjojmë ato të gjithë ne së bashku më shumë”, ka thënë Kurti. 

Ganimete Musliu: Shoqëria e Kosovës vazhdon të perceptohet si vend patriarkal, kuota gjinore të bëhet 50 për qind

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, në seancën e jashtëzakonshme ku po debatohet lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri, tha se nuk mund të thurim elozhe për përparim dhe për ngritje të pozitës së gruas në vendin tonë, kur shoqëria kosovare vazhdon të perceptohet si vend me kulturë patriakale.

Musliu theksoi se gratë në çdo fushë të jetës dhe çdo ditë të vitit ballafaqohen me pabarazi dhe ky realitet nuk mund mbulohet me një kuotë të detyruar prej 30% e cila realizohet vetëm në ato segmente ku ndeshet drejtpërdrejtë me obligimin ligjor që ngërthen në vete ky detyrim.

Në politikë, për shembull, gratë përballen me barriera kulturore dhe me stereotipe gjinore nga më të ndryshmet. Nga ofendimet për sa i përket inteligjencës, pamjes, prejardhjes e deri të morali i tyre. Barrierat që ju krijohen Grave në këtë fushë janë strukturore, mediatike dhe mentaliste. Dhe më e shëmtuara këtu është se, edhe në dikasteret shtetërore me të cilat menaxhojnë Gratë, ndodhë diskriminim i gjinisë femërore nga Gratë udhëheqëse të cilat në ato pozita jo rrallë vijnë duke e përdorur me mjeshtëri politikën gjinore.”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së kërkoi që të ketë më shumë gra në pozita udhëheqëse dhe të bëhet detyrim ligjor kuota 50 me 50.

Pse mos ta bëjmë detyrim ligjor kuotën 50:50? Pse për një pozitë pune, në rast të përgatitjes së njejtë, mos ti jepet përprësi Gruas siç aplikohet nëpër shumë demokraci të zhvilluara? Pse mos të përmirësojmë legjislacionin që garanton siguri më të lartë për gratë dhe vajzat? Pse pozitat udhëheqëse nëpër sektorët shtetëror mos tu besohen më shumë grave. Dikush mund të kundërshtoj dhe të thotë se kemi Gra në pozita udhëheqëse. Po kemi, por shtrohet pyetja sa të pavarura janë gratë e zgjedhura në ato pozita?” , tha ajo.

Musliu u shpreh se pabarazia gjinore nuk është temë që trajtohet patetikisht, por duke u njoftuar drejtpërdrejt me sfidat e grave, të atyre që jetojnë në zona periferike, të studenteve, sportisteve, shkencëtareve, mjekeve dhe infermiereve.

Në shumicën e rasteve pabarazia, zanafillën e saj e ka në familje. Prandaj shfrytëzoj rastin të apeloj të familjet që të investojnë në edukimin e vajzave të tyre, t´i forcojnë ato me vlera, arsimim dhe vetëbesim. Arsimimi dhe trajtimi i barabartë në familje janë armët më të sigurta që i jepen një vajze për tu bërë një grua sovrane në jetë.”, tha ajo.

Duke cituar frazën “Bac, çikat na e zbardhën ftyrën”, Musliu kërkoi trajtim të barabartë, e jo degjenerim të pozitës së gruas.

Dua t´i falënderoj publikisht të gjitha ato gra e vajza, heroina të rëna në altarin e lirisë dhe të gjitha veteranet e Luftës sonë Çlirimtare. Pse ju kërkoj falje? Sepse si kategori e lavdishme u lanë nën hijen e burrave, heshtën ato, heshtëm edhe ne. Pse ju them faleminderit? Sepse ato treguan me vepra, se tradita jonë e vërtetë nuk njehë pabarazi primitive ndaj grave. Ato treguan se janë pasardhëset e vërteta të Teutës, Norës, Bubulinës, Elena Gjikës dhe Shote Galicës. Ato, jo vetëm që vertetuan guximin dhe shpirtin trimëror të Gruas, por demostruan në vepër barazinë e vërtetë gjinore, kurse shoqëria ato nuk i trajtoi njejtë.”, theksoi Musliu.

Dreshaj apel partive politike: Rroga e mësuesit të jetë meritore

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka apeluar te partitë politike për bashkim forcash në mënyrë që rroga e mësuesit të jetë meritore.

Në seancën e Kuvendit për nder të Ditës së Mësuesit, Dreshaj tha se tani është koha të kalohet nga fjalët në vepra.

Dreshaj: T’i bashkojmë forcat që rroga e mësuesit të jetë meritore

“Apeloj tek pozitë dhe opozitë që t’i bashkojmë forcat që rroga e mësuesit të jetë rrogë meritore dhe pensioni i të pensionuarit të jetë pension i dinjitetshëm. Është koha të kalojmë nga fjalët në vepra”, tha ai.

***

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në Ditën e Mësuesit kërkoi nga institucionet të krijojnë kushte të dinjitetshme për mësuesit.

Ai në seancën e Kuvendit, tha se institucionet e kanë detyrim edhe rregullimin e statusit të mësimdhënësve, personelit udhëheqës dhe organizativ të mësimit paralel në vitet e 90-ta.

Zemaj: Institucionet duhet të krijojnë kushte të dinjitetshme për mësimdhënësit

“Sot institucionet e shtetit padyshim që kanë detyrim të padiskutueshëm në rregullimin e statusit të mësimdhënësve, personelit udhëheqës dhe organizativ të asaj kohe dhe deri tek pronarët shtëpi-shkolla. Institucionet tona duhet të krijojnë kushte të mira dhe të dinjitetshme në vazhdimësi për mësuesit dhe mësueset”, tha ai.

Shala: Kontributi i PDK-së në rimëkëmbjen e arsimit pas luftës është i pazëvendësueshëm

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se kontributi i PDK-së në rimëkëmbjen e arsimit pas luftës është i pashmangshëm dhe pa zëvendësueshëm.

Në seancën e Kuvendit për nder të Ditës së Mësuesit, deputeti Shala tregoi arritjet që sipas tij, janë bërë nën qeverisjen e PDK-së.

Shala: Kontributi i PDK-së në rimëkëmbjen e arsimit pas luftës është i pazëvendësueshëm

“Debati për arsimin nuk duhet të na ndajë në parti politike, megjithatë e vërteta duhet të thuhet. Këto të vërteta janë fare të thjeshta dhe të dukshme. Kontributi i PDK-së në rimëkëmbjen e arsimit pas luftës është i pashmangshëm pa zëvendësueshëm. Arritjen për zhvendosjen e arsimit dhe mësuesve nga kontejnerët dhe tendat në një infrastrukturë moderne në zonat rurale dhe urbane. Ka hapur edhe investuar miliona euro në universitet publike, ka rritur pagat për punonjësit e arsimit në gjitha nivelet, ka ndërtuar shkolla në gjithë Kosovën”, tha ai.

Gola: Arsimin ta bëjmë prioritet absolut të çdo qeverisje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Arsim, Ardian Gola ka thënë se arsimi duhet të jetë prioritet absolut i çdo qeverisje.

Ai kërkoi konsensus nacional dhe partiak për arritjen e progresit në arsim.

Gola: Arsimin ta bëjmë prioritet absolut të çdo qeverisje

“Pa edukim dhe pa arsimim e ardhmja shndërrohet në një të tashme të përsëritur pa progres, e cila pashmangshëm kthehet edhe në regres. Nuk mund të kemi arsye më të fortë se kjo që arsimin ta bëjmë prioritet absolut të çdo qeverisje. Për të arritur këtë kërkohet konsensusin nacional dhe partiak. Sfida kryesore e arsimit në Kosovë, arsimin si emancipim si edukim liberal dhe vetëdijesim qytetar dhe mjedisor konsideroj se mbetet ruajtja e paradigmës të bashkuar në dallime”, tha ai në seancën e Kuvendit për nder të Ditës së Arsimit”, tha ai.

Veterania e arsimit: Vetëm të arsimuar mund të mposhtim armikun

Veterania e arsimit, Nysrete Berisha- Krasniqi, ka thënë se vetëm të arsimuar Kosova mund të mposhtë armikun.

Në seancën e Kuvendit për nder të Ditës së Mësuesit, Berisha-Krasniqi, tha se mësuesit në Kosovë kanë kaluar në sfida të shumta, veçmas në vitet e 1990-ta.

Megjithatë, sipas saj, me vullnetin dhe guximin e madh në atë kohë e kanë arritur qëllimin për vazhdimin paralel të arsimimit në Kosovë.

Berisha-Krasniqi: Vetëm të arsimuar mund të mposhtim armikun tonë

“Ky është mësimdhënësi zotëri kryeministër, zonja ministre, zotëri deputet që megjithë qeniet e vet, pa frikë dhe guxim të madh dhe vullnet të pathyer punuam deri sa e arritëm qëllimin tonë. Sigurisht edhe ju keni qenë nxënës në atë kohë, ndoshta student, ndoshta edhe profesor i keni përjetuar këto gjëra...Vetëm të arsimuar mund të mposhtim armikun tonë”, tha ajo.

Veterania e arsimit, pati edhe një apel për mësueset e reja.

Berisha-Krasniqi: Mësueset e reja të punojnë se kanë përgjegjësi

“Mësueset e reja që kapin ditarin për herë të parë duhet të punojnë se kanë përgjegjësi shumë të madhe ndaj fëmijëve”, theksoi ajo.

​Kuvendi mban dy seanca të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës sot ka paraparë të mbajë dy seanca të jashtëzakonshme.

Fillimisht duke nisur nga ora 12:00, do të mbaj seancë për shënimin e 7 Marsit - Ditës së Mësuesit.

Kurse, në orën 14:00, është paraparë të mbahet seanca e jashtëzakonshme.

Ku do të debatohet lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat