ZPS-ja parashtron përgjigje ndaj mocionit të mbrojtjes së Hashim Thaçit

Aktuale

ZPS-ja parashtron përgjigje ndaj mocionit të mbrojtjes së Hashim Thaçit

Më: 7 mars 2022 Në ora: 11:27
Hashim Thaçi

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka parashtruar përgjigje ndaj mocionit të mbrojtjes së Hashim Thaçit për zbulimin e dëshmitarëve me status të dyfishtë.

Kjo është bërë e ditur përmes parashtresës së publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas prokurorisë, mocioni për zbulimin e kodeve të dëshmitarëve dhe aplikimet e viktimave me status të dyfishtë është në kundërshtim me kornizën e aplikueshme dhe nuk tregon se një ndryshim i masave mbrojtëse është i justifikuar dhe duhet të refuzohet.

Tutje, thuhet se procedura e propozuar nga mbrojtja, përkatësisht ajo e aplikuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (‘GJPN’), bazohet në një kuadër tjetër dhe nuk është i zbatueshëm para Dhomave së Specializua.

“Ndërsa, rregullat e Gjykata Penale Ndërkombëtare parashikojnë shprehimisht zbulimin e formularëve të aplikimit për viktima, Rregulli 113(1)4 parashikon që, në Dhomat e Specializuara, formularë të tillë nuk do t’u zbulohen palëve”, thuhet në parashtresë.

Po ashtu, thuhet se  në dhënien e anonimitetit të viktimave pjesëmarrëse, gjyqtari i procedurës paraprake konsideroi se zbulimi te publiku dhe palët i çdo materiali ose informacioni që çon në identifikimin e viktimave pjesëmarrëse përbën një rrezik objektivisht të justifikueshëm për ta dhe anëtarët e familjes së tyre.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake nënvizoi se “statusi i mundshëm i dyfishtë i ndonjë [Viktimave pjesëmarrëse] ka në këtë pikë efekt minimal në aftësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur në lidhje me dëshmitë e ardhshme”, thuhet në këtë parashtresë.

Sipas ZPS-së, në këtë drejtim, procesi i aplikimit të viktimës është në vazhdim e sipër pranë gjyqtarit të procedurës paraprake.

Gjithashtu, thuhet se aktualisht, numri i viktimave pjesëmarrëse dhe nga ana tjetër, numri i mundshëm i dëshmitarëve me status të dyfishtë është relativisht i kufizuar.

“Më tej, në përputhje me Rregullën 102(1)(b) dhe duke iu nënshtruar çdo mase të nevojshme dhe proporcionale mbrojtëse të urdhëruar nga gjyqtari i procedurës paraprake, mbrojtja ka marrë tashmë, ndër të tjera, deklaratat e dëshmitarëve që ZPS synon të thërrasë, duke përfshirë ndonjë me status të dyfishtë”, thuhet në këtë parashtresë.

Tutje, thuhet se siç u theksua në vendimet e mëparshme të gjyqtarit të procedurës paraprake duke përfshirë në dhjetor 2021, pak para se ZPS të dorëzonte listën e dëshmitarëve, masat mbrojtëse të viktimave pjesëmarrëse nuk paragjykojnë ndonjë ndryshim të nevojshëm në një fazë të mëvonshme, përfshirë nga trupi gjykues.

“Duke marrë parasysh (i) fazën e procedurës, duke përfshirë faktin që ende nuk është caktuar data e gjykimit dhe se procesi i aplikimit të viktimës para gjyqtarit të procedurës paraprake është në vazhdim, (ii) cenimi minimal, nëse ka, ndaj Mbrojtjes, dhe ( iii) rreziqet reale dhe objektive për viktimat pjesëmarrëse, Mocioni nuk arrin të demonstrojë se çdo ndryshim i masave mbrojtëse është aktualisht i justifikuar”, thuhet në fund të mocionit.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat