Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e di që Partinë Demokratike të Kosovës e ka mbrapa kur shkon në Bruksel dhe kur ulet përballë Vuçiqit.
“Partia demokratike e Kosovës si lidere e opozitës e mbështetë procesin e dialogut. Kjo nuk është hera e parë që po e themi, kryeministri e di dhe po i them edhe unë sonte nga kjo studio që Partinë Demokratike të Kosovës e ka mbrapa kur shkon në Bruksel dhe kur ulet përballë Vuçiqit”, është shprehur mbrëmë Çitaku.
Pas kësaj deklarate ka reaguar analisti politik Xhevdet Pozhari, i cili thotë se, edhe kryeministri Kurti ka deklaruar se të burgosurit në Hagë e kanë përkrahjen e Qeverisë.
Pozhari përmes një postimi në facebook, shprehet se, vetëm kështu ndërtohet shteti, kur është në pyetje fati kolektiv.
Sipas tij, asnjë ndasi politike nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa e ardhmja e përbashkët.
Postimi i plotë:
Vlora Çitaku paska thënë se Albin Kurti e ka mbrapa edhe PDK-në përballë Vuçiçit.
Ditë më parë, Albin Kurti deklaroi se të burgosurit në Hagë e kanë përkrahjen e krejt Qeverisë.
Kështu ndërtohet shteti kur në pyetje është fati kolektiv. Asnjë ndasi politike nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa e kaluara dhe e ardhmja e përbashkët.
Serbia gjithmonë është munduar të përfitojë nga përçarja e shqiptarëve. Jo rastësisht liderët politikë për njëri-tjetrin kanë thënë gjëra më të rënda sesa që kanë thënë për Vuçiçin apo Millosheviçin. Kjo ngaqë secili ka pasur afër ndokënd që i ka fryer urrejtjes dhe ndasive me ose pa vetëdije.
Serbia na urren pse jemi shqiptarë. Ngjyrat partiake mundohet t'i shfrytëzojë veç në dobi të qëllimeve të saj.