Kryeministri Kurti deklarohet për ngritjen e çmimeve, Ministrja Hajdari tregon a ka bllokadë për furnizim me naftë

Aktuale

Kryeministri Kurti deklarohet për ngritjen e çmimeve, Ministrja Hajdari tregon a ka bllokadë për furnizim me naftë

Më: 9 mars 2022 Në ora: 09:02
Qeveria e Kosovës

(E ploësuar 14:41) - Qeveria i propozoi Kuvendit emrat për bordin e OShP-së dhe AKK-së

Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërkohë pezulloi regjimin e vizave për shtetasit e Ukrainës që hynë në Kosovë. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi i propozoi Kuvendit kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe kandidatët për Komisionin Kosovar të Konkurrencës. Derisa, i dhanë dritën e gjelbër Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe nisën procedurat për blerjen e objekteve të ambasadave të Kosovës në Uashington DC/Uashington dhe në Londër/ Mbretëria e Bashkuar.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se objektivi i grupit punues është intensifikimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe fuqizimi ibashkëpunimit me aleatët strategjik të Kosovës që janë pjesë e kësaj organizate.

Gërvalla: Objektiv i grupit punues është intensifikimi për anëtarësimin e Kosovës në NATO

“Përbërja e grupit punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në NATO është MPDJ kryesuese, ministri i Mbrojtjes anëtar, ministri i Punëve të Brendshme si anëtar, ministrja e Drejtësisë si anëtare, një përfaqësues i lartë nga Zyra e Presidentes, Zyra e Kryeministrit, përfaqësuesi i Kosovës për marrëdhëniet me NATO-në si anëtarë, ambasadori i Kosovës në ShBA si anëtar. Objektivat e grupit punues, duke pasur rëndësinë e integrimit në NATO dhe përforcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar, MPJD konsideron se janë: intensifikojnë punën për procesin e integrimit të Kosovës në NATO duke synuar përfshirjen sa më të shpejtë të Kosovës në partneritetin për paqe. Anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në kartën e Adriatikut A5, si dhe duke avancuar praninë e Kosovës në organizatat dhe mekanizmat rajonal të sigurisë dhe mbrojtjes si mekanizma komplementar në NATO. Objektivi i dytë është të fuqizohet bashkëpunimi me aleatët strategjik të Kosovës që janë pjesë e kësaj organizate”, tha ajo.

Derisa, kryeministri Kurti, arsyetoi vendimin për pezullim të regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës për të hyrë në Kosovë.

Kurti: Me qëllim të solidarizimit me shtetasit e Ukrainës propozojmë pezullimin e regjimit të vizave

“Me qëllim të solidarizimit me shtetasit e Ukrainës që po ballafaqohen me agresionin ushtarak nga Federata Ruse propozojmë pezullimin e regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës për Republikën e Kosovës”, theksoi Kurti.

Sa i përketblerjes së objekteve të ambasadave të Kosovës në Uashington dhe në Londër, kryediplomatja Gërvalla se e njëjta është në përputhje me ndarjet buxhetore për vitin 2022.

Gërvalla: Është aprovuar shuma mbi tetë milionë euro për blerjen e objekteve

“Përmes të cilit është aprovuar shuma mbi tetë milionë euro për blerjen e objekteve të ambasadave në këtë vit fiskal”, shtoi ajo.

Duke prezantuar emrat e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kurti tha se komisioni vlerësues ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, rrjedhimisht, sipas tij kanë përdorur diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Kurti: Komisioni ishte tepër i pakënaqur me kandidatë që kanë aplikuar për OSHP

“Komisioni ishte tepër i pakënaqur me kandidatë që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës profesionale dhe profesionalizmit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim komisioni i ka rekomanduar qeverisë të përdorë diskrecion në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik. Ky rekomandim është pranuar dhe ju ftoj të votojmë listën e kandidatëve me këtë përbërje: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Vedat Peterqoj, Faruk Rexhaj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahimi, Dafina Gashi, Vjosa Menxhuani dhe Kimete Gashi....sot para jush propozoj të aprovohet propozim vendimi për kandidatët për kryetar, zëvendëskryetar dhe anëtarë të Komisionit Kosovar të Konkurrencës, si në vijim: Hekuran Nikqi kryetar, Kaltrina Sela, Shpend Miftari, Besim Stublla dhe Nafie Ostautaj anëtarë”, tha kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu paraqiti ndryshimet përmbajtjesore të Projektligjit për KPK-në.

Haxhiu: Ndryshimi më përmbajtjesor që parasheh ky draft-ligj është ndryshimi i përbërjes së KPK-së

“Ndryshimi më përmbajtjesor që parasheh ky draft-ligj është ndryshimi i përbërjes së Këshillit Prokurial të Kosovës. Nga 13 anëtarë, ku dhjetë janë prokuror, diçka që është e paparë edhe në vendet e rajonit dhe BE-së, duke krijuar rrezik për korporatizëm të sistemit. Ne e kemi shndërruar atë në shtatë anëtarë, tre do të jenë prokuror, përfshirë edhe kryeprokurorin, kurse tre të tjerë do të jenë anëtarë laik, dy do të zgjedhën nga Kuvendi dhe një si përfaqësim nga Avokati i Popullit”, tha ajo.

Në mbledhjen e sotme, qeveria morri vendim edhe për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për “statusin e forcave SOFA” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë dhe lidhjen e marrëveshjes teknike me Poloninë.

Këto marrëveshje u konsideruan të rëndësishme për ngritjen e kapacitetet ushtarake, nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ekzekutivi po ashtu ndau 7 milionë euro për si mbështetje ndaj prodhuesve dhe eksportuese, ndërkohë, miratoi disa vendime për shpronësime.

***

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar rifreskimin e sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë, pas agresionit në Ukrainë.

Ajo tha se shumë shpejt Qeveria do të ndajë edhe një fond humanitar për Ukrainën.

Në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Gërvalla tha se do të punojnë sa i përket intensifikimit të avancimit të Kosovës në NATO.

Nga ana tjetër, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk bëri të ditur nëse do të largojnë akcizën për derivatet.

Ajo tha se s’ka vend për shqetësim pasi furnizimi me karburante po shkon normalisht dhe s’ka asnjë bllokadë.

“Jam në vëmendje të plotë edhe me shtetet e rajonit dhe nuk kemi asnjë bllokadë sa i përket furnizimit të naftës. Ka manipulime dhe do t’i intensifikojmë tash së bashku edhe me Agjencinë për Konkurrencën. Ne jemi analizuar edhe vendimin për marzhën e fitimit të Naftarëve, mirëpo ne jemi siguruar se nuk ka vend për tu shqetësuar sa i përket furnizimit të derivateve”, tha ajo.

Gërvalla paralajmëron sanksione të reja dhe Fond për t’a ndihmuar Ukrainën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se është çështje orësh ose ditësh kërkesa për rifreskimin e sanksioneve ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit e filloi luftën në Ukrainë më 24 shkurt të këtij viti.

Gërvalla poashtu konfirmoi se janë duke punuar për të krijuar një fond për ndihmë humanitare në Ukrainë.

Ndihma sipas saj do të bëhet përmes një shoqate humanitare nga Kosova dhe produktet do të jenë vendore.

“Është punë orësh ose pak ditësh, derisa ta dorëzojmë kërkesën për miratim të Qeveri për rifreskimin e sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse dhe jemi duke shqyrtuar opsionin për të krijuar një fond të caktuar për ndihmë humanitare në Ukrainë përmes një shoqate humanitare nga Kosova që do të pajiste njerëzit në nevojë edhe me produkte vendore të Kosovës”, tha ajo.

Konferenca pas mbledhjes së Qeverisë.

Kosova themelon grupin punues për anëtarësim në NATO

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, 9 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se objektivi kryesor i këtij grupi do të jetë avancimi i procesit të integrimit në NATO, fuqizimi i pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjikë ndërkombëtarë.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje urgjente, duke përmendur pushtimin rus në Ukrainë.

“Kosova dhe shtetet tjera demokratike pro-perëndimore në rajon po ballafaqohen çdo ditë e më shumë me veprime destabilizuese, të provokuara nga Rusia përmes vartësve të saj. Duke marrë parasysh kontekstin aktual të agresionit të paprecedentë rus ndaj Ukrainës, dhe synimeve për destabilizim dhe minim të të gjitha progreseve euroatlantike e kërcënimit për paqen globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është urgjent si rrallëherë më parë për solidifikimin e arkitekturës së sigurisë në rajon dhe Evropë”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Jashtme do të jetë kryesuese e këtij grupi, kurse anëtarë do të jenë ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministrja e Drejtësisë.

Përfaqësues do të ketë nga Presidenca, Kryeministria, përfaqësuesi i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, nga Ambasada e Kosovës në Bruksel dhe ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më 5 mars se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm që të ruhet paqja në rajon.

“Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, andaj anëtarësimi është më i domosdoshëm se kurrë, dhe është parakusht për paqen në rajon”, ka deklaruar Osmani.

Disa ditë më parë, ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj ka kërkuar që të ndodhë anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane në Kosovë.

Traktati i NATO-s thotë se anëtarësimi në aleancë është i hapur për çdo shtet evropian që plotëson standardet e kërkuara, por aty theksohet se vendimi për zgjerim duhet të merret me marrëveshje unanime. Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

Kosova heq vizat për shtetasit e Ukrainës

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për pezullimin e regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka propozuar në mbledhjen e qeverisë heqjen e regjimit të vizave për shtetasit ukrainas të cilët po largohen nga atje shkaku i agresionit rus.

“Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me të cilën po përballen qytetarët e Ukrainës, Ministria e Punëve të Jashtme propozon pezullimin e regjimit të vizave për shtetasit e Ukrainës. Këtë e bazojmë në kërkesat humanitare në mënyrë që të mundësohen lehtësira për ukrainasit që Kosovën e shohin si vend të sigurtë. Përjashtimi nga regjimi i vizave do të mundësonte hyrjen e tyre në Kosovë apo në tranzit për vendet e tjera”, ka deklaruar ministrja Gërvalla.

Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme që të pres 5 mijë refugjatë nga Ukraina të cilët po largohen shkaku i invazionit rus.

Kosova synon blerjen e objekteve për Ambasadë në Uashington dhe Londër

Qeveria e Kosovës ka filluar procedurat për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës në Uashington të ShBA-së dhe në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër.

Kryeministri Albin Kurti tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, ka propozuar këtë vendim në këto dy kryeqendra botërore.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, tha se me miratimin i këtij propozimi do të hapen rrugët për fillimin e procedurave së blerjes së këtyre objekteve.

Qeveria ia propozon Kuvendit emrat për bord të OSHP-së dhe të AKK-së

Qeveria e Kosovës ia ka propozuar Kuvendit të Kosovës listën me 10-të emra për kandidatë dhe anëtarë bordi të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se komisioni i caktuar për përzgjedhjen e kandidatëve ka shfaqur pakënaqësi me aplikimet për shkak të mungesës së përvojës dhe të profesionalizmit.

Emrat që i kanë shkuar Kuvendit për bord të OSHP-së janë: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava Vedat Petërqoj, Faruk Rexha, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahimi, Dafina Gashi, Vjosa Gradina-Mexhuani dhe Kimete Gashi.

Gjithashtu, Qeveria ka proceduar emrat edhe të anëtarëve të Komisionit Kosovar të Konkurrencës (AKK). Hekuran Nikqi është rekomanduar për kryetar të AKK-së, ndërsa për anëtarë janë propozuar Kaltrina Sela, Shpend Miftaraj, Besim Stublla dhe Nafije Osdautaj.

Kryeministri Kurti deklarohet për ngritjen e çmimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se ngritja e çmimeve në gjithë botën për produktet elementare është kostoja e mbrojtjes së lirisë së Ukrainës.

Shefi i Qeverisë ka thënë se Kosova preket nga ngritja e çmimeve për shkak të varësisë së saj të madhe nga importi.

“Sot po bëhen dy javë nga fillimi i agresionit në Ukrainë. Republika jonë ka treguat gatishmëri për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina dhe kemi ndarë 150 mijë euro për pranimin e gazetarëve nga Ukraina. Kujtojmë se Rusia është një prej eksportuesve ma të mëdha të gazit dhe naftës në Evropë”.

“Energjia që mundëson prodhimin dhe nafta për transport janë fillimi dhe fundi i zinxhirit. E di edhe kuptojmë shqetësimin e gjithsecilit prej jush për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo s’është shkaktuar nga ne, po na prek edhe ne. Kur para 12 ditëve iu bashkuam botës për sanksionet, një kosto e tillë ishte e pashmangshme. Por kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë”, ka thënë ai.

Nis mbledhja e Qeverisë

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria mblidhet sot

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot, me fillim nga ora 10:00.

Lajmin e ka bërë me dije Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Ngjarja që zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë, mund të përcillet vetëm nga gazetarët, kameramanët dhe fotografët që janë të akredituar dhe kanë me vete kartelat e akreditimit.

Për ngjarjet që zhvillohen në ndërtesë të Qeverisë, gazetarët, kameramanët dhe fotografët duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse dhe t’i vendosin ato”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat