Panik e madhe në Prishtinë, qytetarët në radhë për të blerë miell, kaos në komunikacion

Aktuale

Panik e madhe në Prishtinë, qytetarët në radhë për të blerë miell, kaos në komunikacion

Nga: M.L. Më: 9 mars 2022 Në ora: 15:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Serbia ka paralajmëruar se nga e enjtja e 10 marsit do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit, për shkak të krizës në tregje, që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.

Gruri është lëndë e parë për prodhimin e miellit dhe si i tillë konsiderohet produkt strategjik për sigurinë kombëtare.

Për sigurimin e tij, Kosova varet skajshmërisht nga importi.

Kjo ka ngjallur panik edhe tek qytetarët e kryeqytetit. Gazeta “Bota sot” ka siguruar një fotografi ku shihen shumë qytetarë me makina teksa presin në radhë për të blerë miell, përcjell "Bota sot".

Rruga “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, përkatësisht magazina e miellit që gjendet në këtë lagje sot ka qenë e mbushur plot me qytetarë dhe kjo ka shkaktuar edhe kaos në trafik.

Kujtojmë se më 4 mars, edhe Hungaria – vend nga ku Kosova importon po ashtu grurë dhe miell – ka ndaluar të gjitha eksportet e drithërave, për shkak të rritjes së çmimeve që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës dhe sanksionet që ka ndërmarrë Perëndimi kundër Rusisë.

Kosova, më 26 shkurt, e ka rritur sasinë e rezervave të saj shtetërore.

Shoqatat e mullisëve dhe kultivuesit e grurit e kanë siguruar Qeverinë se kanë furnizime dhe se “për tre muaj deri në gjashtë muaj, popullata nuk ka nevojë të brengoset”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat