Kosova ka mjaftueshëm miell dhe se kapacitetet prodhuese të mullisëve në vend është për 5.5 milionë banorë.
Kështu ka thënë kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Ferzi duke shtuar se gjatë vitit të kaluar asnjë kilogram grurë nuk është importuar nga Ukraina apo Rusia.
“Në Kosovë ka të instaluar mullinj të mjaftueshëm. Kapacitetet prodhuese në vend janë për 5.5 milionë banorë. Mullinjtë janë të kujdesshëm dhe kanë importuar në kohë të duhur sasitë e nevojshme prej jashtë”, tha Ferizi gjatë një konference për medie.
“Importi i grurit në Kosovë ka qenë nga vendet e afërta dhe po potencoj se asnjë kilogram grurë apo miell nuk është importuar nga Ukraina apo Rusia”, ka shtuar ai.
Sipas tij, miell në Kosovë ka edhe për tre muaj të tjerë.
“Miell ka mjaftueshëm të prodhuar. Ka sasi të konsiderueshme edhe për tre muaj të tjerë. Në kohën e kërkesë së madhe, këto produkte nuk blihen në markete”, ka përfunduar ai.