Pas rritjes së çmimit të derivateve, pritet rritja edhe e çmimit të nisjeve të Radio Taksive në Komunën e Prishtinës.
Nga sa ka qenë 1.50 cent nisja, pritet të bëhet 2 euro. Kështu i është bërë kërkesë Komunës së Prishtinës nga Kryetari i Shoqatës së Radio Taksive të Prishtinës, Faruk Kunushevci.
Kunushevci thotë se, me çmimin momental të nisjes (1.50 cent) janë duke operuar që nga viti 2002, atëherë kur çmimi i naftës ka qenë 0.65 cent litra.
Por pas rritjes së çmimit të naftës, ata kërkojnë që çmimi i nisjes të bëhet 2 euro kurse kilometri të bëhet 0.80 cent, nga sa është 0.65 cent.
“Ne kërkesën e kemi dërguar në Komunën e Prishtinës në muajin nëntor të vitit të kaluar, për shkak se komuna i bën çmimet, me rregullore. Por nuk kemi pasë asnjë përgjigje. Kemi kërkuar atëherë kur është rrita nafta në 1.22-1.23 cent. Është hera e parë që kemi kërku rritje. Me këtë çmim, ne operojmë nga viti 2002 kur ka kushtu një litër naft vetëm 65 cent. Tash litra e naftit është katërfishu, gati 2 euro u bë. Ne e kemi çmimin e vitit 2002, ku ka kushtu 65 cent litra e naftës“, thotë Kunushevci.
Ai tregon që dje kanë pasur takim me nënkryetarin e Prishtinës dhe presin që deri të hënën të kenë një përgjigje.
“Dje kemi pasë takimin me nënkryetarin, edhe presim që deri të hënën me pas një përgjigje për shtrenjtimin e taksit. Ne presim që të kemi bashkëpunim për arsye që 8 vite nuk kemi pasur çasje me pushtetin e Shpend Ahmetit, tash kemi bashkëpunim me komunën“, thotë ai.